Krishti i flet nuses për tre lloje ligjesh, konkretisht ligjin kishtar, ligjin perandorak dhe ligjin civil. Ai e këshillon të jetojë sipas një lloji të katërt ligj: ligjit hyjnor, shpirtëror, domethënë të jetojë me përvujtëri, me fe katolike të palëkundur dhe të përsosur dhe me dashuri hyjnore, duke e vënë Hyjin mbi gjithçka. Kështu fitohen nderet shpirtërore dhe pasuritë qiellore në lavdinë e përjetësisë.
Libri 4 - Kapitulli 111

Biri i flet nuses dhe i thotë: "Ka tre ligje. I pari është ligji kishtar. I dyti është ligji perandorak. I treti është ligji civil. Të gjitha këto lloje ligjesh janë shkruar në lëkurë kafshësh të ngordhura. Sidoqoftë, ka edhe një ligj shpirtëror që nuk është shkruar në lëkurë por në librin e jetës. Ky ligj nuk humbet kurrë e as nuk shkatërrohet nga vjetërimi. Nuk është i zorshëm për t’u mbajtur e as është e vështirë ta zotërosh. Çdo ligj i mirë duhet të ketë si synim shpëtimin e shpirtrave, respektimin e urdhërimeve të Hyjit, shmangien e së keqes dhe përfitimin e atyre të mirave që duhen dëshiruar me maturi. Ka një frazë në ligjin e shkruar në lëkurë që thotë 'me qëllim përfitimin e kësaj apo asaj gjëje.' Prandaj, për të përfituar diçka, një nga katër kushtet është i nevojshëm: të jetë dhuratë që dikush e bën nga dashuria ose afrimiteti, ose të jetë trashëgimi, ose të jetë pjesë që na takon nga ndarja, ose të jetë shpërblim për vepra të përvuajtura shërbimi.

Kështu ndodh edhe me ligjin shpirtëror. Ligji shpirtëror kërkon që njeriu ta njohë dhe ta dojë Hyjin dhe të gjejë gëzim në të. Në sajë të këtij ligji njeriu fiton nderet dhe pasuritë shpirtërore kur i lë të gjitha krijesat për hir të Krijuesit, e braktis veten në duart e Hyjit,i do virtytet dhe i kthen shpinën botës për hir të qiellit. Këto pasuri fitohen në katër mënyra. Së pari, nëpërmjet dashurisë: Ashtu si një sundimtar tokësor i bën dikujt dhurata i shtyrë nga dashuria, edhe pa meritë nga ana atij të cilit i bëhen dhuratat, po kështu Unë e krijova dhe shëlbova, e ruaj dhe nderoj çdo ditë njerëzimin pavarësisht nga mosmirënjohja e tij. Përveç kësaj, të gjithë ata që me gjithë zemër më duan dhe nuk dëshirojnë tjetër përveç Meje, do të kenë në tokë virtytin e shkruar në zemër nga gishti i Hyjit dhe në qiell do të kenë nderin e shkruar në librin e jetës, domethënë jetën e përjetshme.

Së dyti, nderi shpirtëror fitohet nëpërmjet trashëgimisë. Duke marrë natyrë njerëzore dhe me anë të mundimeve të Mia, Unë bleva qiellin për njerëzimin dhe e hapa për ta me të drejtë trashëgimie. Njeriu ia shiti trashëgiminë hyjnore djallit, e këmbeu gëzimin e përjetshëm me një frut të vockël, pemën e jetës me një frut të ndaluar, të vërtetën me gënjeshtrën. Në bindje ndaj Atit, Unë e grisa letrën e padëgjesës. i ridhashë ëmbëlsi frutit me anë të vuajtjeve të hidhura të zemrës Sime. Fitova pemën e jetës për njerëzimin me vdekjen Time. E rifitova njerëzimin dhe e bazova gjithë të vërtetën tek besimi në natyrën Time njerëzore. Prandaj kushdo që beson në fjalët e të vërtetës Sime dhe ndjek shembullin Tim, do të trashëgojë pasuritë shpirtërore dhe hirin Tim.

Së treti, nderi shpirtëror fitohet nëpërmjet ndarjes. Kjo ndodh kur dikush ndahet nga kënaqësitë e mishit, e në vend të epshit trupor praktikon abstinencë, këmben pasurinë me varfërinë, famën me bindjen e përvuajtur, të afërmit tokësorë me miqtë e Hyjit, kundrimin e botës me kundrimin e Hyjit. Së katërti, nderi shpirtëror fitohet nëpërmjet veprave të përvuajtura të shërbimit. Kjo ndodh kur dikush i shërben Hyjit me durim si ushtar i guximshëm në betejë, i shërben me përvujtëri dhe besim si shërbëtor, i administron të mirat që i janë besuar me mëshirë dhe drejtësi si administrator i mirë, tregohet syhapur ndaj tundimeve si roje e mirë. Një njeri i tillë është i denjë për nderet dhe pasuritë shpirtërore që nuk janë shkruar në lëkurë kafshësh por në shpirt. Tre ligjet e shkruara janë vërtet të dobishme përsa i përket zbatimit të drejtësisë, por ligji shpirtëror është më i mirë kur vjen puna për të fituar shpërblim.

Prandaj, bija Ime, përpiqu të fitosh nder shpirtëror nëpërmjet dashurisë, duke mos dashur askënd dhe asgjë sa Mua. Kërkoje me trashëgimi duke besuar fort çka mëson Kisha. Kërkoje me vepra përvujtërie duke bërë gjithçka për lavdinë Time. Ti je thirrur në ligjin Tim. Prandaj je e detyruar ta mbash ligjin Tim. Ligji Im kërkon që të jetosh sipas vullnetit Tim. Ashtu si një prift i mirë jeton sipas ligjit kishtar, edhe ti duhet të jetosh në përputhje me ligjin e përvujtërisë Sime duke imituar miqtë e Mi. Çdo ligj i përkohshëm priret pjesërisht ndaj nderimit të botës dhe pjesërisht ndaj përbuzjes së saj. Ndërsa ligji Im priret vetëm drejt qiellit, pasi askush përveç Meje dhe atyre që kam dashur t’ua tregoj nuk e ka kuptuar plotësisht sa i lavdishëm është gëzimi i mbretërisë qiellore."