Krishti i flet nuses dhe i thotë të ruhet veçanërisht nga vesi i krenarisë, mos t’i rritet mendja prej bukurisë, pasurive apo familjes së saj. Njeriu krenar krahasohet me një flutur me flatra të gjera dhe trup të vogël.
Libri 4 - Kapitulli 112

Biri i thotë nuses: "Mos u shqetëso për krenarinë e tyre sepse shpejt do të marrë fund. Mes llojeve të insekteve ka një që quhet flutur. Ajo ka flatra të gjera dhe trup të vogël. Ka edhe shumë ngjyra. Së pari, ajo mund të fluturojë lart për shkak të peshës së lehtë, por kur ngjitet lart zbret shpejt duke zbarkuar në vendin më të afërt, qoftë shkëmb apo dru, pasi ka pak fuqi fizike.

Ky lloj insekti simbolizon njerëzit krenarë. Ata kanë flatra të gjera dhe trup të vogël, pasi mendja e tyre është fryrë nga krenaria ashtu si kaceku i fryrë nga ajri. Kujtojnë se kanë çka kanë për shkak të meritave të veta. E vënë veten mbi të tjerët dhe kujtojnë se janë më të vlefshëm se të tjerët. Po të mundeshin, do të donin të bëheshin të njohur në mbarë botën. Por ulen dhe rrëzohen pasi nuk e kuptojnë se jeta e tyre është e shkurtër dhe kalimtare. Së dyti, krenarët kanë shumë ngjyra si flutura, pasi janë krenarë për bukurinë e tyre fizike, pasuritë dhe familjen dhe nuk lënë gjë pa bërë që të ngrihen në shoqëri. Por kur vdesin nuk janë veçse pluhur. Së treti, kur krenarët arrijnë pikën më të lartë në krenari, zbresin me shpejtësi dhe plandosen rrezikshëm në vdekje.

Prandaj ruaju nga krenaria, pasi ajo e bën Hyjin ta largojë fytyrën e Vet prej njeriut dhe hiri Im nuk mund të hyjë në askënd që krenohet."