Krishti e këshillon nusen të ruhet nga kontaktet me njerëzit mondanë. Këta i quan rosto të djallit. Virgjëra Mari e mëson që të ketë synim të drejtë në çdo veprim të virtytshëm, në mënyrë që t’i japë Hyjit më shumë lavdi, pasi ka shumë vetë që i shërbejnë Hyjit me veprat e tyre, por synimi i tyre i gabuar hedh hije mbi të mirat që bëjnë.
Libri 4 - Kapitulli 114

Biri thotë: "Ki kujdes nga rostoja e djallit, ajo që gatuhet në zjarret e epshit dhe dëshirës. Kur në zjarr hidhet dhjam, ai fillon të rrjedhë. Kështu rrjedhin edhe mëkatet nga kontaktet dhe shoqëria me botën. Edhe pse nuk mund ta dish çka ndryen ndërgjegja e dikujt, shenja të jashtme tregojnë çka fshihet në ndërgjegjen e tij."

Nëna thotë: "Çdo veprim i yti duhet të jetë racional dhe synimi yt duhet të jetë i drejtë. Kjo do të thotë se ti duhet ta bësh gjithçka që bën me synimin për t’i dhënë lavdi Hyjit, duke preferuar të mirat shpirtërore para kënaqësive trupore. Ka shumë njerëz që i shërbejnë Hyjit me veprat e veta, por synimi i tyre i gabuar hedh hije mbi të mirën që bëjnë. Një krahasim do të të ndihmojë ta kuptosh këtë. Ki parasysh kafshën e quajtur ari. Tek po vdes urije dhe i zë syri prenë e dëshiruar, një këmbë e vë mbi prenë dhe sheh se ku mund ta vërë këmbën tjetër që të mos i ikë preja apo t’ia marrin, dhe kështu qëndron derisa ta ketë ngrënë të tërën dhe ta ketë katandisur si t’ia dojë qejfi. Ariu e ruan pandërprerë prenë dhe nuk sheh rrotull për ar apo bimë aromatike ose pemë, por sheh vetëm për ndonjë pikëmbështetje të sigurt apo diçka ku të kapet që ta mbajë prenë e të mos i ikë.

Shumë vetë më shërbejnë me lutje dhe agjërime për shkak të një farë frike, pasi kanë parasysh ndëshkimin e tmerrshëm dhe gjithashtu mëshirën time të madhe. Më kërkojnë me disa vepra të jashtme, por me synimet e veta shkojnë kundër urdhërimeve të tim Biri. Ashtu si ariu, ata janë dhënë pas epshit trupor dhe dëshirave tokësore, por duke qenë se kanë frikë se mos humbasin jetën dhe i tremben vuajtjeve të ardhshme, ata më shërbejnë për të mos humbur hirin apo që të mos ndëshkohen. Kjo është fare e qartë, pasi ata kurrë nuk meditojnë për mundimet e tim Biri që janë si ari më i çmuar e as nuk ndjekin shembujt e shenjtërve që janë si xhevahirë dhe as që duan t’ia dinë për dhuratat e Shpirtit Shenjt që janë si bimë aromatike. Ata nuk heqin dorë nga dëshira e tyre e nuk kryejnë vullnetin e tim Biri, por duan thjesht diçka ku të mbështeten për të mëkatuar pa teklif dhe për t’u bërë të suksesshëm në botë.

Shpërblimi i tyre do të jetë i vogël, pasi veprimet e tyre rrjedhin prej zemrash të ftohta. Ashtu sikurse ariu pasi e kullufit prenë nuk do t’ia dijë më për një vend të sigurtë ku të vërë këmbët, po ashtu kur për ta vjen ora e fundit dhe epshet e tyre sensuale marrin fund, pikëmbështetja e sigurtë tek unë do t’u vlejë pak, pasi nuk hoqën dorë nga vullneti i vet për të kryer vullnetin tim, dhe as më kërkuan të shtyrë nga dashuria por nga frika. Por nëse e ndreqin synimin e vet në mënyrë të përsosur, veprat e tyre do të gjallërohen shpejt dhe nëse u mungon ndonjë vepër, synimi i mirë do t’u llogaritet si vepër."

SHTOJCË
Ky njeri ishte rektor që jetonte siç ia kish qejfi. Kur shkoi në Romë, ai bëri kthesë. Kur vizitoi Monte Garganon dhe shenjtëroren e Shën Nikollës dhe u kthye tek Zonja Brixhidë, këshillat e së cilës i ndiqte me përpikmëri, ai tha se çuditej përse qyteti i madh dhe i famshëm i Sipontes, ku preheshin trupat e aq shumë shenjtërve, ishte shkatërruar.

Të nesërmen Biri i Hyjit iu shfaq zonjës dhe i tha: "Miku yt çuditet pse u shkatërrua qyteti. Ç’është e vërteta, bijë, mëkatet e banorëve të tij e meritonin këtë. Edhe qytete të tjera e kanë merituar një gjë të tillë, por atje jetonte një miku Im. Ai më donte me dashuri të përsosur dhe i qortonte dhe ngrinte zërin kundër moralit të tyre vazhdimisht. Kur pa kokëfortësinë e tyre, ai me lotë m’u lut që më mirë ta shkretoja vendin sesa të lejoja që aq shumë shpirtra të rrezikoheshin çdo ditë. I pashë lotët e tij dhe meqenëse askush nuk u përpoq ta fashiste plotësisht zemërimin Tim, lejova që të ndodhin ato gjëra për të cilat po flasim tani."

Ajo i tha: "O Zot, është trishtueshme që trupat dhe reliket e shumë njerëzve të mirë gjenden atje si të ishin të papastër dhe të pambrojtur." Krishti u përgjigj: "Ashtu siç mbaj brenda Meje shpirtrat e të zgjedhurve, po ashtu Unë kujdesem për reliket e miqve të Mi – të cilët janë thesari Im – derisa ata të marrin shpërblimin e dyfishtë që u është premtuar."

Zonja foli përsëri. "I dashur Zoti im, besoj se shumë hire dhe indulgjenca janë akorduar nga papët në Siponte. Tani që janë shkatërruar muret, a janë zhvlerësuar hiret?" Krishti u përgjigj: "Ku ka vend më të shenjtë se Jeruzalemi ku Unë, Hyji vetë, lashë gjurmët e Mia? A ka vend tani që përbuzet më shumë se Jeruzalemi, i banuar dhe shtypur nga të pafetë? E megjithatë kushdo që shkon në Jeruzalem do të fitojë të gjitha hiret dhe indulgjencat që fitohesin edhe më parë. E njëjta gjë vlen për Siponten: Kushdo që shtegton atje i shtyrë nga dashuria dhe me synim të drejtë, do të fitojë hirin dhe bekimin që qyteti kishte në kohën e lavdisë së tij në sajë të besimit dhe dashurisë së tij."