Krishti e mëson nusen sesi një i djallosur mund të lirohet nga djalli. Ai i tregon asaj se shpirti ka gjymtyrë të brendshme shpirtërore ashtu sikurse trupi ka gjymtyrë të jashtme trupore. Këtë Hyji e shpjegon bukur me anë të një shembulli.
Libri 4 - Kapitulli 115

Biri thotë: "Ti je si rrotë që ndjek çka shkon para saj. Prandaj ti duhet të ndjekësh vullnetin Tim. Më parë të tregova për një person shpirti i të cilit zotërohet nga djalli. Tani do të të tregoj se cila pjesë e trupit të tij ka rënë në grackë. Unë jam si ai njeri që i thotë rojes së vet: 'Në shtëpinë tënde janë tre vende për t’u ruajtur. Në të parin gjenden ata që do të dënohen me vdekje. Në të dytin gjenden ata që do të humbasin një prej gjymtyrëve. Në të tretin gjenden ata që do të fshikullohen dhe do të humbasin lëkurën.' Roja i thotë: 'Zot, nëse disa duhen dënuar me vdekje, të tjerë duhen gjymtuar dhe të tjerë duhen fshikulluar, përse u dashka shtyrë gjykimi i tyre? Nëse ndëshkohen shpejt, ata do t’i harrojnë vuajtjet.'

Hyji u përgjigj: 'Nuk bëj çka bëj pa ndonjë shkak. Ata që do të dënohen me vdekje duhet të presin ca kohë në mënyrë që të mirët ta shohin mjerimin e tyre dhe të përmirësohen dhe që të këqinjtë të kenë frikë dhe të tregohen më të kujdesshëm në të ardhmen. Nevojitet që ata që do të gjymtohen fillimisht të provojnë ankth që të pendohen me zemër për të këqijat që kanë bërë dhe t’u vijë keq për krimet që kanë kryer. Ata që do të fshikullohen duhet edhe të sprovohen me trishtime në mënyrë që zhyturit në kënaqësira të mund të arrijnë ta njohin vetveten në trishtim dhe sa më shumë e shohin të vështirë fitimin e lirisë aq më shumë të tregohen të kujdesshëm për të mos kryer më krime të tilla.'

Unë jam Zoti që ka, si të thuash, djallin për roje me qëllim që ai të ndëshkojë të këqinjtë siç e meritojnë. I është dhënë pushtet mbi këtë shpirt, por tani do të të shpjegoj në cilën pjesë të trupit. Pasi ashtu si trupi është i organizuar në gjymtyrë të jashtme, po ashtu ai duhet të jetë i organizuar edhe nga ana shpirtërore. Ashtu si trupi ka palcë, kocka dhe mish, dhe gjak në mish dhe mish në gjak, po ashtu shpirti duhet të ketë tre aftësitë e kujtesës, ndërgjegjes dhe intelektit. Ka disa njerëz që arrijnë të kuptojnë çështje të thella por nuk kanë arësye. Atyre u mungon një gjymtyrë. Ka të tjerë që kanë vetëdije racionale por nuk kanë inteligjencë. Ka të tjerë që kanë intelekt por nuk kanë kujtesë. Këta janë të sëmurë rëndë. Ata që janë të shëndetshëm në shpirt i kanë të shëndetshme arësyen, kujtesën dhe intelektin.

Trupi ka tre depo. E para është zemra. Një membranë e hollë e mbështjell zemrën si mburojë nga çdo papastërti. Edhe sikur njolla fare të vogla ta preknin zemrën, personi do të vdiste menjëherë. Depoja e dytë është stomaku. E treta janë zorrët nëpërmjet të cilave nxirren jashtë substancat e dëmshme. Edhe nga ana shpirtërore shpirti duhet të ketë tre depo. E para është dashuria për Hyjin. Kjo është si zemra. Kjo do të thotë që shpirti të mos dëshirojë tjetër veç Meje, Hyjit të vet. Përndryshe, nëse ndonjë dëshirë e ulët, sado e vogël, hyn brenda, atëherë shpirti njolloset menjëherë. Depoja e dytë është stomaku, domethënë organizimi me urti i kohës dhe i punës. Ashtu sikurse çdo ushqim shpërbëhet dhe tretet në stomak, po ashtu koha dhe çdo mendim e vepër duhen organizuar sipas planit të Hyjit në mënyrë të rregullt, të dobishme dhe të kujdesshme. Depoja e tretë janë zorrët, domethënë pendesa me anë të së cilës papastërtitë eleminohen dhe ushqimi i urtisë hyjnore shijon më shumë.

Trupi ka tre gjymtyrë me anë të të cilave ecën: kokën, duart dhe këmbët. Koka simbolizon dashurinë hyjnore. Ashtu sikurse pesë shqisat gjenden në kokë, po ashtu në dashurinë hyjnore shpirti shijon ëmbëlsisht gjithçka që vjen nga Hyji dhe gjithçka që Ai urdhëron e zbaton gjithmonë. Ashtu sikurse njeriu pa kokë është i vdekur, po ashtu, pa dashuri, shpirti, jeta e të cilit është Hyji, është i vdekur para Hyjit. Duart simbolizojnë fenë. Ashtu sikurse dora ka gishta të ndryshëm, po ashtu ka shumë nene feje edhe pse feja është një. Me anë të besimit përmbushet çdo synim hyjnor dhe feja duhet të shoqërojë çdo veprim të mirë. Ashtu si puna e jashtme kryhet me anë të duarve, po ashtu Shpirti Shenjt vepron nga brenda me anë të fesë. Feja i ruan të gjitha virtytet, pasi ku nuk ka fe, dashuria dhe veprat e mira çbëhen.

Shpresa është si këmbë për shpirtin. Me anë të shpresës shpirti vjen tek Hyji. Ashtu si trupi ecën me anë të këmbëve, po ashtu shpirti i afrohet Hyji me hapat e dashurisë dhe shpresës. Lëkura që mbështjell të gjithë trupin simbolizon ngushëllimin hyjnor që i jep paqe shpirtit të ndjeshëm. Edhe pse ka raste kur djalli lejohet ta turbullojë kujtesën dhë t’u krijojë shqetësime duarve dhe këmbëve, prapë se prapë Hyji e mbron shpirtin si luftëtar dhe e ngushëllon si baba zemërmirë dhe e shëron si mjek e ai nuk vdes.

Shpirti i personit për të cilin të fola ra në kurth kur meritoi t’i humbiste duart për shkak të fesë së paqëndrueshme, pasi nuk pati fe të drejtë. Por tani ka ardhur koha për të treguar mëshirë për një arësye të dyfishtë: së pari, për shkak të zemërmirësisë Sime; së dyti, për shkak të lutjeve të të zgjedhurve të Mi. Prandaj miku Im le të lexojë fjalët e mësipërme që kanë të bëjnë me të. Ai duhet të bëjë tre gjëra. Së pari, duhet të kthejë gjërat e marra padrejtësisht; së dyti, duhet të kërkojë falje nga Kuria Romake për padëgjesën e vet; së treti, nuk duhet ta marrë trupin Tim në sakramentin e Kungimit pa marrë më parë falje."