Virgjëra i tregon bijës për peripecitë e miqve të Hyjit në botë të cilët herë vuajnë e herë ngushëllohen shpirtërisht dhe për arësyen e mundimeve dhe ngushëllimeve shpirtërore.
Libri 4 – Kapitulli 12

Nëna thotë: "Në këtë botë miqtë e Hyjit ndonjëherë duhet të mundohen shpirtërisht e herë të tjera të ngushëllohen shpirtërisht. Ngushëllimi shpirtëror vjen nga prania e Shpirtit Shenjt, soditja e veprave të mrekullueshme të Hyjit, admirimi i durimit të Tij dhe kryerja e veprave të mira. Mundimi shpirtëror ndodh kur mendime të papastra dhe trazuese e pushtojnë mendjen e njeriut kundër vullnetit të tij, kur ai ndjen dhimbje për çnderimin që i bëhet Hyjit dhe për humbjen e shpirtrave, kur i duhet t’i përkushtohet gjërave tokësore për ndonjë arësye të drejtë. Gjithashtu miqtë e Hyjit ndonjëherë mund të gjejnë ngushëllim tokësor nga bisedat konstruktive, dëfrimet e ndershme apo veprimtari të tjera të moralshme etj, siç do ta kuptosh nga krahasimi i mëposhtëm.

Nëse njeriu e mban pëllëmbën gjithmonë grusht, atëhere ose i dhembin muskujt ose i lodhet dora. Kështu ndodh me gjërat shpirtërore. Nëse shpirti do të qëndronte gjithnjë duke soditur, atëherë do ta harronte veten, apo mund të përfundojë në ferr për shkak të mendjemadhësisë ose kurora e tij e lavdisë do të jetë më pak e çmuar.
Arësyeja pse miqtë e Hyjit ndonjëherë ngushëllohen me praninë e Shpirtit Shenjt dhe herë të tjera -me lejen e Hyjit- mundohen, është se mundimi ia pret rrënjët mëkatit dhe mbjell frytin e drejtësisë.

Hyji që i sheh zemrat dhe kupton gjithçka, i mban nën kontroll tundimet e miqve të Tij në mënyrë që njeriu të përparojë, pasi gjithçka Ai e bën dhe lejon të ndodhë me masë. Meqenëse je thirrur në Shpirtin e Hyjit, mos ki frikë, sepse është shkruar se asnjë nuk vjen tek Hyji po nuk e tërhoqi Ati. Bariu përdor një tufë lulesh për të tërhequr delet dhe për t’i futur në vathë e pastaj e mbyll vathën me kujdes. Kështu delet nuk mund të dalin prej aty dhe thjesht sillen rrotull pasi vatha ka mure të sigurtë, tavan të lartë dhe dyer të kyçura. E ato mësohen aq shumë të hanë kashtë saqë zbuten e nisin të ushqehen nga dora e bariut. Kështu ka ndodhur me ty. Çka më parë të dukej e padurueshme dhe e vështirë, tani të duket aq e lehtë saqë asgjë nuk të jep më tepër kënaqësi se Hyji."