Jeta e njeriut të shthurur i përngjan një ure të ngushtë e të rrezikshme. Nëse ai nuk largohet shpejt nga ura duke kërcyer brenda anijes së jetës, të pendesës dhe të virtytit, ai do të flaket kokëposhtë nga armiku, domethënë djalli, në humnerë.
Libri 4 - Kapitulli 122

Atë njeri e kam armik për vdekje, pasi ai tallet me Mua. Ai i plotëson vetes me sa mundet çdo tekë e dëshirë. I përngjan një njeriu që gjendet në një urë të ngushtë e në të majtë ka një humnerë. Kush bie brenda nuk del dot më prej aty. Në të djathtë ka një anije. Nëse kërcen brenda saj dhe përpiqet t’ia mbathë, ka ende ca shpresë për të mbijetuar. Kjo urë simbolizon jetën e tij të vajtueshme, të trishtueshme. Ai nuk sillet as si luftëtar as si shtegtar që përparon çdo ditë. Përkundrazi, qëndron shtrirë me dembelizëm, duke dëshiruar të rrëkëllejë ujrat e sensualitetit. Dy fate e presin nëse e lë urën. Do të gremiset në humnerë, domethënë në fund të ferrit, nëse kthehet në të majtë, pra nëse bën vepra trupore. Ose, nëse kërcen brenda në anije, do të shpëtojë nëse bën përpjekje, domethënë nëse pranon disiplinën dhe urdhëresat e Kishës së Shenjtë, gjë që kërkon ca përpjekje nga ana e tij por në sajë të tyre do të shpëtohej. Pra le të bëjë kthesë shpejt, përpara se armiku ta flakë kokëposhtë nga ura, pasi atëherë kot do të thërriste sepse nuk do të dëgjohej dhe do të përfundonte në dënim të përjetshëm."

SHTOJCË
Kur ky njeri pa se mbreti nuk prekej dhe nuk i kushtonte vëmendje si më parë, ai u zemërua me zonjën Brixhidë. Kur ajo po kalonte në një rrugicë, ai i hodhi ujë nga dritarja. Por ajo u tha kalimtarëve, "E faltë Zoti dhe mos t’ia bëjë ta paguajë në jetën tjetër." Krishti iu shfaq zonjës në Meshë dhe i tha: "Ai që prej zemërimit të hodhi ujë nga dritarja ka etje për gjak. Ai ka derdhur gjak. Ai dëshiron tokën dhe jo Mua. Ai ka guxin të flasë kundër Meje. Ai adhuron trupin e vet dhe jo Mua, Hyjin e tij. Më ka dëbuar prej vetes dhe prej zemrës së tij. Të ruhet se mos vdesë në gjakun e vet."
Ky njeri jetoi pak pas kësaj ngjarjeje dhe pastaj vdiq tek i dilte gjak nga hundët, njëlloj siç kishte parakallëzuar ajo.