Krishti e mbron nusen e Vet, Brixhidën, domethënë shpirtin që e ka lënë botën dhe i është futur jetës shpirtërore, shpirt të cilin babai dhe nëna, motra dhe vëllai përpiqen ta largojnë nga dashuria dhe pastërtia e martesës.
Libri 4 - Kapitulli 123

Biri i thotë nuses: "Unë jam si një dhëndër që është fejuar me një grua të cilës nëna, babai, motra dhe vëllai i kërkojnë të kthehet tek ta. I ati thotë: 'Ma kthe time bijë, pasi ajo ka lindur nga gjaku im.' E ëma thotë: 'Ma kthe time bijë, pasi e kam ushqyer me qumështin tim.' E motra thotë: 'Ma kthe time motër, pasi ajo është rritur me mua.' I vëllai thotë: 'Ma kthe motrën, pasi ajo duhet të më bindet mua.' Dhëndri iu përgjigj atyre: 'Baba, ajo mund të ketë lindur prej gjakut tënd, por tani duhet të mbushet me gjakun tim. Nënë, ti mund ta kesh ushqyer me qumështin tënd, por tani do ta ushqej me gëzimin tim. Motër, ajo mund të jetë rritur duke ndjekur shembullin tënd, por tani do të ndjekë shembullin tim. Vëlla, ajo mund të të jetë bindur ty deri më sot, por tani ajo duhet të më bindet mua.'

Kjo ka ndodhur me ty. Nëse ati yt, domethënë nëse epshet e tua kërkojnë që të kthehesh tek ta, më takon Mua që të të mbush me dashurinë Time. Nëse nëna jote, domethënë qejfet e kësaj bote kërkojnë që të kthehesh tek to, më takon Mua të të ushqej me qumështin e ngushëllimit Tim. Nëse jot motër, domethënë zakonet e shoqërisë kërkojnë të kthehesh tek to, ti duhet të jetosh sipas zakoneve të Mia. Nëse yt vëlla, domethënë vullneti yt kërkon që të kthehesh tek ai, ti je e detyruar të kryesh vullnetin Tim."