Nëna e Hyjit i flet bijës, nuses së Krishtit, me anë të një alegorie të bukur ku shtatë kafshë simbolizojnë katër njerëz të pamoralshëm dhe tre të virtytshëm.
Libri 4 - Kapitulli 125

Nëna tha: "Janë shtatë kafshë. E para ka brirë shumë të mëdha dhe është krenare për to. U vërsulet kafshëve të tjera por nuk e ka të gjatë sepse, duke patur brirë të mëdha, nuk vrapon dot shpejt pasi pengohet nëpër ferra e degë. Kafsha e dytë është e vogël dhe ka vetëm një bri nën të cilin gjendet një xhevahir. Vetëm ndonjë vajzë mund ta kapë këtë kafshë. Nëse sheh ndonjë vajzë, kafsha i kërcen në prehër dhe vajza e vret. Kafsha e tretë nuk ka kyçe, prandaj pushon duke u mbështetur fort pas njdonjë peme. Një gjahtar i kujdesshëm e pret pemën në mes kështu që kur kafsha përpiqet të pushojë siç e ka zakon, pema rrëzohet dhe kafsha bie në grackë.

Kafsha e katërt duket e butë e nuk sulmon njeri me këmbë apo brirë. Por kushdo që thith frymën e saj gërbulet sepse kjo kafshë prej natyre është krejtësisht e gërbulur nga brenda. Kafsha e pestë është frikacake dhe parasheh e dyshon çdo grackë. Kafsha e gjashtë i trembet vetëm vetes së vet. Nëse sheh hijen e vet, ajo i largohet si vdekjes. Gjithnjë dëshiron të banojë dhe jetojë e veçuar. Kafsha e shtatë nuk i trembet asgjëje, madje as vdekjes, pasi ajo nuk e parashikon vdekjen. Kjo kafshë ka katër tipare të mrekullueshme. Së pari, provon një vetmi të brendshme të pabesueshme. Së dyti, nuk shqetësohet për ushqimin sepse ushqehet me gjërat më të fëlliqura që ekzistojnë. Së treti nuk rri kurrë në një vend por gjithnjë vrapon. Së kartërti, ajo pushon edhe kur ecën dhe bën përpara me masë.

Kafsha e parë i përngjan njeriut që mburret me postin e vet. Duke qenë se është i ngathët në kryerjen e veprave të mira, bie lehtë në kurth kur nuk tregohet i kujdesshëm. Kafsha e dytë që krenohet për xhevahirin që ka nën bri simbolizon njeriun që ka vetëbesim dhe mburret me xhevahirin e pastërtisë, që nuk u vë vesh këshillave dhe e mban veten për më të mirë se të tjerët. Ai duhet të ketë shumë kujdes që të mos bjerë në kurthin e krenarisë që ka fytyrën e një vajze por ka thumb tepër të fuqishëm. Kafsha e tretë, pa kyçe, i përngjan njeriut të cilit i mungojnë kyçet e ndjenjave shpirtërore dhe bie në kurthin e gjërave që i pëlqejnë taman kur po përpiqej të pushonte i sigurt. Kafsha e katërt që është krejtësisht e gërbulur brenda, simbolizon njeriun e gërbulur nga krenaria. Ndotet kushdo që pajtohet me të.

Tre kafshët e tjera do të sqarohen kur t’i vijë koha. Kafsha e parë është si një Tomë i përshpirtshëm që dyshon dhe si gur i latuar dhe i skuadruar. E dyta është si ar në zjarr dhe si një llullë e artë që mbahet në një kuti të bukur. E treta është si pikturë që dëmtohet edhe nga bojrat më të bukura. Nëse këta katër njerëz të pamoralshëm kthehen tek unë, do të dal t’i pres dhe do ta lehtësoj barrën e tyre. Përndryshe do t’u dërgoj një kafshë më të shpejtë se tigri që t’i përlajë. Siç është shkruar, ditët e tyre do të jenë të pakta, fëmijët e tyre jetimë, gratë e tyre të veja dhe në vend të nderit do t’i mbulojë turpi."

SQARIM
Kafsha e parë, domethënë ipeshkvi i parë që krenohej me origjinën e vet fisnike, bëri kthesë në sajë të fjalëve të Shpirtit Shenjt. Ai shkoi në Romë dhe e shoqëroi zonjën Brixhidë në Napoli. Ndërsa gjendeshin në Benevento, ai po vuante shumë nga një gur në veshkë. Shpirti i Shenjtë i foli me anë të zonjës ndërsa dergjej i sëmurë: "Mbreti i Izraelit mori urdhër të vendoste pomadë mbi plagë. Po kështu le të veprojë ky njeri: Le të pranojë me zemër dashurinë e përsosur për Hyjin, gjë që është ilaçi më i mirë dhe mënjëherë do të shërohet." Kur e dëgjoi këtë, ai bëri një kusht dhe rifitoi shëndetin mendor dhe fizik. Për këtë ipeshkëv mund të lexohet në Librin 3, Kapitulli 12.

Kafsha e dytë, domethënë ipeshkvi i dytë, ishte njeri shumë i përkorë për të cilin flitet në Librin 3, Kapitulli 13.
Kafsha e tretë, domethënë ipeshkvi i tretë, që u krahasua me një elefant, ndryshoi për mirë. Krishti flet përsëri: "Çfarë këshilloi elefanti? A nuk tha që martesa të celebrohet jo ligjërisht për të mos çuar dëm shpenzimet e bëra, duke thënë se leja mund të merret lehtë nga papa? Dëgjo tani se ç’them Unë. Ai që me vullnet të plotë mëkaton kundër Hyjit, po nuk tregoi pendesë të thellë, do të përballet me gjykimin e Hyjit dhe trishtim në botë. Ai që merr mbi vete barrën mëkatare të një tjetri mëkaton më rëndë pasi as nuk i trembet Hyjit e as kërkon shpëtimin e shpirtit. Ç’pafytyrësi! Ç’mungesë dashurie të kesh çelësat e drejtësisë në dorë dhe të veprosh kundër tyre për hir të ndonjë interesi të vogël! Prandaj le të nxitojë të bëjë paqe me Hyjin dhe ta nxisë çiftin të bëjë pendesë të frytshme dhe të rrëfehet për faljen e mëkateve! Përndryshe ditët do t’i shkurtohen dhe do të dalë për t’u gjykuar para Meje dhe rrënimi i kishës së tij do të jetë aq i madh sa do të rindërtohet me vështirësi, klerikët e tij do të vuajnë, dëshirat e tyre nuk do të realizohen dhe edhe ata do të përbuzen. Por ti, bija Ime, do t’i shkruash çiftit që ti e njeh dhe do t’i thuash se nëse nuk bëjnë kthesë dhe nuk bëjnë diçka për të merituar faljen, nuk do të kenë fryt jetëgjatë dhe fëmijët e tyre nuk do të jetojnë shumë dhe gjërat që do të kenë grumbulluar do t’u mbesin të tjerëve."

Prapë për të njëjtin ipeshkëv: "Ky ipeshkëv u kthye tek Unë me po atë përvujtëri që biri plangprishës që kish ngrënë lëvozhga u kthye tek i ati. Me të vërtetë, bijë, përkujdesjet tokësore janë si lëvozhga kur fruti brenda tyre, domethënë Hyji, dëbohet nga zemra, kur njeriu bën vepra të pakuptimta dhe të pafrytshme dhe preferon botën para Hyjit. Por meqenëse ky ipeshkëv po fillon të më njohë Mua dhe veten, do të jem si baba i dashur për të dhe do ta harroj të shkuarën. Do t’i dal përpara e do t’i jap një unazë për gishtin dhe këpucë për këmbët dhe një viç të majmë për të ngrënë. Këtej e tutje dashuria Ime do të jetë më e flaktë në veprat e tij, durimi dhe urtia hyjnore do të shihen më qartë në të e do t’i bëjnë për vete njerëzit dhe ai do ta marrë dhe nderojë më shpesh dhe më me kujdes trupin Tim. Këtë dhuratë e ka nga Nëna Ime e shtrenjtë, pajtorja e kishës së tij." Për këtë njeri mund të lexohet edhe në fillim të kapitullit 130, Libri 4.

Kafsha e kartët, që vazhdoi të qëndronte e gërbulur, u thirr nga kjo jetë papritmas dhe pa i marrë sakramentet. Për këtë njeri shkruhet në Librin 6, Kapitulli 97.
Kafsha e pestë ishte si gur i skuadruar, njeri i matur dhe i kujdesshëm në çdo drejtim. Për të shih Librin 3, Kapitulli 33.
Kafsha e gjashtë, domethënë ipeshkvi i gjashtë ishte njeri që i trembej Hyjit, ai e shqyrtonte ndërgjegjen e vet, e drejtonte kishën me urti dhe siguroi për të përjashtim nga shumë detyrime. Kur ai vdiq, Krishti tha: "Shkrimi i artë thotë se frika e Hyjit është fillimi i urtisë. Kjo është e vërtetë, por Unë them se frika e Hyjit është edhe synimi për t’u përsosur. Ky ipeshkëv e kishte këtë dhe erdhi në udhën e shpëtimit nëpërmjet një rruge të shkurtër."

Kafsha e shtatë, domethënë ipeshkvi i shtatë, ishte e njohur për abstinencën. Ai kishte zell për Hyjin dhe nuk heshtte mbi të vërtetën as nga frika as nga dashuria e as nga humbjet që mund t’i vinin. Ai dha shpirt ndërsa po lutej. Ka disa rrëfime për këtë ipeshkëv në jetën e Shën Brixhidës. Ai ishte Shkëlqesia Lord Heming, Ipeshkëv i Åbos dhe mik i Virgjërës së Bekuar, siç del qartë nga Libri 9, Kapitulli 104.

Një zbulesë për ipeshkvin që pasoi kafshën e dytë. Biri i Hyjit thotë: "Shkruaji ipeshkvit dhe thuaji se zogj grabitqarë kanë hyrë në vend për të ndërtuar fole në të. Prandaj ky ipeshkëv duhet që bashkë më miqtë e tij t’ua presë kthetrat që të mos shtien në dorë majat e larta në vend e as mos t’i shtrijnë flatrat mes njerëzve. Në rast të kundërt ata do të përdorin sqepat dhe kthetrat për të shkretuar zonat e begata dhe do të fluturojnë mbi maja e male e do ta rrënojnë vendin."

      ⇨