Krishti i tregon nuses për lotët që i pëlqejnë Hyjit dhe lotët që nuk i pëlqejnë dhe për lëmoshat që u duhen dhënën të varfërve për të mirën e shpirtrave të të vdekurve. Krishti e këshillon nusen.
Libri 4 – Kapitulli 13

Biri flet: "Ti çuditesh pse Unë nuk e dëgjoj atë njeri që derdh aq shumë lot dhe u jep shumë lëmosha të varfërve në nderin Tim.
Si fillim po të them: Aty ku del ujë nga dy burime ndodh shpesh që, kur ujrat bashkohen, uji i turbullt dhe me baltë i njërit burim e ndot ujin e pastër të burimit tjetër. E kush mund ta pijë ujin me baltë?

Kështu ndodh me lotët e shumë njerëzve. Disa ndonjëherë derdhin lotë nga dhimbja, herë të tjera nga stresi apo frika prej ferrit. Lotë të tillë janë me baltë dhe erërëndë pasi nuk burojnë nga dashuria për Hyjin. Për Mua janë të ëmbël ata lotë që njeriu derdh kur sjell ndërmend mirësinë e Hyjit dhe mëkatet e kryera e qan nga dashuria për Hyjin. Lotë të tillë e lartësojnë shpirtin nga gjërat tokësore në qiell dhe e rilindin atë. Ka dy lloj lindjesh, fizike dhe shpirtërore. Nga lindja fizike del në dritë një fëmijë që kalon nga papastërtia në papastërti. Ai vajton nga dhimbje apo dëme fizike dhe mundohet e cfilitet për gjëra tokësore. Fëmija i lindur kështu nuk është fëmijë lotësh që meritojnë jetën e përjetshme. Ndërsa nga lindja tjetër del në dritë një fëmi lotësh që vajton për humbjen e shpirtrave dhe bën ç’mundet që të mos e fyejë Hyjin. Këta janë lotë që e lindin njeriun në jetën qiellore.

E dyta, përsa i përket lëmoshave që u jep të varfërve, të përgjigjem: Nëse ti do t’i blije tët biri një mantel me paratë e shërbëtorit tënd, a nuk do t’i përkiste me të drejtë ai mantel të zotit të parave? Patjetër që po. Kështu ndodh me çështjet shpirtërore. Ai që i zhvat të tjerët për t’u ardhur në ndihmë shpirtrave të të vetëve, nuk e shuan por e ndez zemërimin Tim, pasi të mirat padrejtësisht të fituara shkojnë në të mirë të pronarit të ligjshëm dhe jo të atyre për të cilët jepen.

Por meqenëse ky njeri është treguar i mirë me ty, ndaj tij do të tregohet mirësi shpirtërore dhe fizike – për hir të lutjeve që i bëhen Hyjit për të. Ti nuk mund ta imagjinosh sa i pëlqejnë Hyjit lutjet e të përvuajturve. Do të ta sqaroj me anë të një krahasimi. Nëse dikush do t’i dhuronte një mbreti një sasi të madhe argjendi, të pranishmit aty do të thonin: 'Ç’dhuratë e çmueshme!' Por nëse po ai person do të thoshte një 'Ati ynë' për mbretin, ata do të qeshnin me të. E kundërta ndodh me Hyjin. Nëse dikush ofron një 'Ati ynë' për shpirtin e një tjetri, ajo lutje është më e pranueshme për Hyjin se një sasi e madhe ari, siç mund të kuptohet nga rasti i Gregorit të mirë që me lutjet e veta i bëri mirë një perandori pagan.

Thuaji atij edhe këtë: 'Meqenëse je treguar i mirë me mua, i lutem Hyjit, shpërblyesit të të gjithëve, që të të shpërblejë me hirin e Vet.' Thuaji edhe këtë: 'Miku im i shtrenjtë, po të jap një këshillë dhe të kërkoj diçka. Të këshilloj t’i hapësh sytë e zemrës e të reflektosh për kalueshmërinë dhe kotësinë e botës. Shiko si është ftohur dashuria jote për Hyjin dhe mendo sa i rëndë do të jetë ndëshkimi dhe sa i tmerrshëm gjykimi i ardhshëm. Fitoje dashurinë e Hyjit duke ia kushtuar lavdisë së Tij të gjithë kohën që ke në dispozicion, të mirat dhe veprat tokësore, dëshirat dhe mendimet e tua dhe besojua bijtë e tu Hyjit duke mos lejuar që dashuria jote për Hyjin të ftohet për shkak të tyre. E dyta, të kërkoj që t’i lutesh sinqerisht Hyjit, i Cili mund të bëj gjithçka, që të të japë durim dhe ta mbushë zemrën tënde me dashurinë e Tij të bekuar."