Krishti ngushëllon nusen e frikësuar duke i thënë të mos ketë frikë nga çka ka parë dhe dëgjuar sepse ato vijnë nga Shpirti Shenjt. I flet rreth djallit që simbolizohet nga gjarpri dhe luani, rreth ngushëllimit të Shpirtit Shenjt që simbolizohet nga një gjuhë dhe rreth mënyrës si i duhet bërë ballë djallit.
Libri 4 - Kapitulli 14

Biri thotë: "Përse trembesh dhe trazohesh se mos djalli mund të fusë hundët në fjalët e Shpirtit Shenjt? A ke dëgjuar ndonjëherë që ndonjë ta shpëtojë gjuhën shëndoshë e mirë kur e fut atë mes dhëmbëve të një luani të tërbuar? A ka ndonjë që ka thithur ndonjëherë mjalt të ëmbël nga bishti i gjarprit? Jo, kurrë. Tani çfarë simbolizojnë luani apo gjarpri përveç djallit – luan në ligësi dhe gjarpër në dredhi? Çfarë simbolizon gjuha përveç ngushëllimit të Shpirtit Shenjt? Ç’do të thotë ta futësh gjuhën mes dhëmbëve të luanit përveçse t’i thuash fjalët e Shpirtit Shenjt – që u shfaq në formë gjuhe – për t’u pëlqyer njerëzve? Kushdo që e lëvdon Hyjin për të fituar lëvdata nga të tjerët, nuk ka dyshim se djalli e ka kafshuar dhe mashtruar, sepse ato fjalë, edhe pse vijnë nga Hyji, nuk dalin nga një gojë që ka dashurinë e Hyjit e prandaj gjuha, domethënë ngushëllimi i Shpirtit Shenjt, do t’i merret. Por kush nuk dëshiron gjë tjetër përveç Hyjit, kujt i duken të mërzitshme të gjitha gjërat tokësore dhe nuk kërkon të shohë apo dëgjojë gjë tjetër përveçse çka vjen nga Hyji, ai do të ngazëllehet në shpirt nga prania e Shpirtit Shenjt e nuk mund të mashtrohet, pasi shpirti i lig ia mbath para shpirtit të mirë dhe nuk guxon të afrohet.

Ç’do të thotë të thithësh mjalt nga bishti i gjarprit përveçse të shpresosh të marrësh ngushëllimin e Shpirtit Shenjt nga sugjerimet e djallit? Një ngushëllim i tillë nuk do të vijë kurrë sepse djalli është gati të vdesë njëmijë herë radhazi sesa të thotë ndonjë fjalë ngushëlluese që do ta shtynte shpirtin drejt së mirës. Mos ki frikë pasi Hyji që ka nisur një vepër të mirë me ty, do ta përfundojë me sukses. Kij parasysh se djalli është si qen pa zinxhir që të vërsulet me tundime dhe sugjerime kur sheh se të mungon frymëzimi i Shpirtit Shenjt. Por nëse mban ndonjë objekt të fortë për t’ia thyer ose paralizuar dhëmbët, ai do t’ia mbathë nga sytë këmbët pa të bërë gjë. Objekti i fortë simbolizon dashurinë për Hyjin dhe respektimin e urdhëresave të Hyjit. Kur djalli sheh se këto virtyte janë të përsosura në ty, dhëmbët e tij, domethënë përpjekjet dhe synimet e tij, do të dështojnë në çast pasi ai e kupton se ti do të ishe gati të vuaje gjithçka për të mos mëkatuar."