Krishti i tregon nuses se përse të mirët vuajnë në këtë jetë dhe të ligët begatojnë. Hyji i tregon asaj me anë të një shëmbëlltyre se Ai ndonjëherë premton të mira të përkohshme që duhen kuptuar si të mira shpirtërore dhe e sqaron se përse Hyji, që di gjithçka, nuk ka parathënë ekzaktësisht kohën kur do të ndodhin ngjarje të caktuara.
Libri 4 - Kapitulli 15

Biri i Hyjit thotë: "Ti po bën çudi përse dëgjove që një mik i Hyjit që duhet nderuar, po kalon vështirësi, ndërsa një armiku të Hyjit, që ti mendove se duhet ndëshkuar, i janë bërë ndere, siç t’u tregua në një vegim tjetër. Të përgjigjem: Fjalët e Mia duhen marrë edhe në kuptim shpirtëror edhe në kuptim trupor. Ç’është vuajtja e botës përveçse përgatitje dhe ngjitje drejt kurorës së shpërblimit? E ç’është begatia tokësore për kë e shpërdoron hirin, përveçse zbritje në ferr? Kush vuan në botë, ngjitet drejt jetës. Ndërsa begatimi në botë është në të vërtetë zbritje në ferr për të padrejtin. Do të të tregoj një shëmbëlltyrë.

Imagjino një nënë me dy djem, njëri prej tyre ka lindur në një burg të errët e nuk njeh gjë tjetër përveç hijeve dhe qumështit të nënës. Tjetri ka lindur në një kasolle dhe ka ngrënë ushqime njerëzore, ka shtrat për të pushuar dhe një shërbëtore që kujdeset për të.
Nëna i tha djalit të lindur në burg: 'Biri im, po dole nga errësira do të kesh ushqim më të shijshëm, shtrat më të butë dhe banesë më të sigurt.' Kur djali e dëgjoi këtë, ai doli nga burgu. Por nëse e ëma do t’i kishte premtuar gjëra më të mëdha, si për shembull shëtitje me kuaj shtëpi të fildishtë apo pallat madhështor, ai nuk do ta kishte besuar sepse nuk ka parë gjë tjetër në jetë përveç hijeve dhe qumështit të nënës. Po ashtu Hyji ndonjëherë premton gjëra të vogla, por me to ka parasysh gjëra më të mëdha, në mënyrë që njerëzit të fillojnë t’i kuptojnë gjërat qiellore me anë të atyre tokësore.

Ndërsa djalit tjetër nëna i tha: 'Biri im, pse banon akoma në këtë kasolle të fëlliqur? Vërma veshin dhe do të të dalë për mirë. Ka dy qytete: në të parin banorët përjetojnë gëzim të pafund dhe të papërshkrueshëm dhe nder të përjetshëm. Në qytetin e dytë luftëtarët stërviten dhe kush fiton bëhet mbret e kush humbet fiton.' Kur dëgjoi këtë, djali shkoi në stadium dhe pastaj u kthye dhe i tha së ëmës: 'Pashë një ndeshje të pabesueshme në stadium: Disa i plandosnin shuk përdhe dhe i shkelnin me këmbë, të tjerë i zhvishnin dhe i rrihnin, e prapë se prapë asnjë nuk bënte zë, të gjithë luanin dhe askush nuk ngrinte krye e as e çonte dorë kundër atyre që i godisnin.'

Nëna u përgjigj: 'Qyteti që pe është periferia e qytetit të lavdisë. Hyji ka dashur që në këtë periferi njerëzit të provohen për të parë kush e meriton të hyjë në qytetin e lavdisë. Ai u jep kurorë më të lavdishme atyre që tregohen më vigjilentë në garë. Prandaj në periferi banojnë njerëz që vënë në provë ata që do të kurorëzohen në lavdi. Ti pe që njerëzit nuk bëzanin kur i plandosnin përdhe dhe i zhvishnin. Kjo ndodh ngaqë errësira ku banon njeriu ia ka ndotur atij petkat.

Për t’i larë mirë nevojitet garë dhe luftë e ashpër.' Djali përgjigjet: 'Është e vështirë të heshtësh kur të shkelin me këmbë. Më mirë po kthehem në kasolle.' Nëna i thotë: 'Po ndenje në kasolle, do të dalin lloj-lloj maluketërish nga hijet e do të të kallin datën dhe kur të të pickojnë nuk do të kesh më takat e do të pendohesh që ke lindur sepse me ta është e pamundur të jetohet.' Kur djali e dëgjoi këtë, ai u ndez nga dëshira për të mira materiale, por nëna fliste me gjuhë shpirtërore. Kështu djalli merrte zemër çdo ditë e më tepër për t’u përpjekur për kurorën e shpërblimit.

Hyji vepron në mënyrë të ngjashme. Ndonjëherë premton dhe jep të mira trupore ose materiale, por me to ka parasysh të mira shpirtërore, e kështu njeriu, për dhuratat që merr, bëhet më i zellshëm dhe nuk rrezikon ta humbasë përvujtërinë e t’i rritet mendja ngaqë kupton gjëra shpirtërore.
Kështu u soll Hyji me Izraelin. Në fillim u premtoi dhe u dha atyre të mira të përkohshme dhe pastaj bëri mrekulli që prej tyre të mësonin për të mirat e padukshme dhe shpirtërore. Dhe kur ata arritën ta njohin më mirë Hyjin, Ai me anë të profetëve u foli me fjalë të errëta dhe të vështira, duke shtuar herë pas herë fjalë ngushëlluese, si për shembull kur u premtoi kthim në atdhe, paqe të përjetshme dhe rimëkëmbje.
Edhe pse njerëzit ishin tepër materialistë dhe i kuptuan të gjitha këto në mënyrë materiale, prapë se prapë Hyji në paradijen e Tij vendosi qysh më parë se disa premtime do të përmbusheshin në kuptim fizik, disa të tjera në kuptim shpirtëror.

Ti mund të pyesësh: Pse Hyji, i Cili di gjithçka, nuk e parakallëzoi qartë kohën kur do të ndodhnin ngjarje të caktuara? Dhe përse nuk i shprehu disa gjëra siç i kishte ndërmend, por i tha ndryshe? Unë të përgjigjëm: Izraeli ishte materialist dhe dëshironte vetëm të mira materiale e nuk mund ta kuptonte të padukshem me anë të së dukshmes. Prandaj Hyji e mësoi popullin në mënyra të ndryshme në mënyrë që kush besonte në premtimet e Hyjit të meritonte kurorë më të lartë në sajë të fesë, kush përpiqej të jetonte virtytshëm të bëhej edhe më i zellshëm, që indiferentët të fillonin ta donin Hyjin, që bakëqinjtë të gjenin forcën për ta lënë mëkatin, që kush vuante t’i duronte vështirësitë më me durim, që ata që lodheshin të këmbëngulnin me gëzim në rrugën e nisur, që ata që shpresonin të merrnin kurorë më të lavdishme për shkak të paqartësisë së premtimit. Nëse Hyji do t’u kishte premtuar vetëm të mira shpirtërore njerëzve materialistë, ata do të ishin ftohur në dashurinë e tyre për qiellin. Nëse do t’u kishte premtuar vetëm të mira fizike, ç’ndryshim do të kishte atëherë mes njeriut dhe shtazës? Por Hyji në mirësinë dhe urtinë e Tij, në mënyrë që njerëzit ta sundonin trupin me drejtësi, si vdekatarë që ishin, u dha të mira fizike. Për të ndezur dëshirën e tyre për gjëra qiellore, bëri për mrekulli.

Që ata t’i trembeshin mëkatit, Ai i bëri të ditura gjykimet e Tij të tmerrshme dhe lejoi që engjëjt e këqinj të hynin tek njeriu. Në mënyrë që ata të prisnin dhe dëshironin atë që do t’u shpjegonte premtimet dhe do t’u jepte urti, Ai tha fjalë të errëta dhe të dyshimta krahas fjalëve inkurajuese.

Edhe sot Hyji i bën të ditura vendimet shpirtërore me terma trupore. Kur flet për lavdi të trupit, Ai ka parasysh llojin shpirtëror. Kjo ndodh që i gjithë autoriteti mësimdhënës t’i njihet vetëm Hyjit. Çfarë është lavdia tokësore në mos erë, cfilitje dhe humbje e ngushëllimit hyjnor? Ç’është vuajtja përveçse stërvitje në virtyt? T’i premtosh lavdi tokësorë një shpirti të drejtë, ç’do të thotë përveçse t’i heqësh ngushëllimin shpirtëror? Por të premtosh vuajtje në botë, ç’do të thotë përveçse ilaç dhe kurim për sëmundje të rënda? Prandaj, bija Ime, fjalët e Hyjit mund të kuptohen në shumë mënyra e kjo nuk do të thotë se Hyji ndryshon por që urtia e Tij duhet admiruar dhe patur frikë. Ashtu siç shumë gjëra i thashë me anë të profetëve me terma truporë, e ato u realizuan edhe materialisht, ashtu si gjëra të tjera i shpreha me terma truporë dhe ato u realizuan ose kuptuan në kuptim shpirtëror, po ashtu veproj tani. Kur të ndodhin këto gjëra, do të ta rrëfej arësyen."