Virgjëra i tregon bijës si djalli ndonjëherë i mashtron shërbëtorët e Hyjit nën maskën e devotshmërisë për t’u hapur probleme; kujt i jepen indulgjencat. Ajo përmend një patë për të simbolizuar kishën dhe një klloçkë për të simbolizuar Hyjin dhe shpjegon se cilët janë ata që meritojnë të quhen zogj të Hyjit.
Libri 4 - Kapitulli 16

Nëna e Hyjit i thotë nuses së Krishtit: "Pse u tregove mikpritëse me atë njeri mburravec, materialist, me mënyrë të çuditshme jetese? Ajo u përgjigj: "Sepse e mbajnë për njeri të mirë dhe nuk desha ta shpërfill kë mbahet për gojëtar. Por po ta kisha ditur se kjo gjë nuk i pëlqente Hyjit, do e kisha pritur aq sa mund të prisja një gjarpër." Nëna i thotë: "Vullneti yt i mirë i vuri fre gjuhës dhe zemrës së tij e kështu ia hodhe mirë. Djalli me dredhinë e vet të solli një ujk me lëkurë deleje për të të vënë në pozitë dhe për të të nxjerrë nam të keq." Ajo përgjigjet: "Ai të jep përshtypjen e një njeriu të përshpirtshëm. Ai viziton vendet e shenjta dhe thotë se u ruhet mëkateve."

Nëna përgjigjet: "Thuamë, ç’do të haje po të kishe një patë me pupla, mishin apo puplat? A nuk e pështjellojnë stomakun puplat, ndërsa mishi ushqen dhe ripërtërin? Kjo vlen shpirtërisht për Kishën e Shenjtë. Ajo është si patë sepse mbart brenda vetes trupin e Krishtit, si t’thuash mishin më të freskët. Sakramentet janë të brendshmet e patës. Krahët e saj simbolizojnë virtytet dhe veprat e martirëve dhe dëshmitarëve. Pushi i saj simbolizon mirësinë dhe durimin e shenjtërve, ndërsa puplat indulgjencat që kanë merituar njerëzit e shenjtë. Ata që fitojnë indulgjenca me njetin për të shlyer mëkatet e mëparshme por pa hequr dorë nga veset, marrin vetëm puplat e patës. Shpirti i tyre as ushqehet as ripërtërihet. Kur hanë puplat u pështjellohet stomaku dhe vjellin.

Ndërsa ata që marrin indulgjenca me vendosmërinë për t’iu larguar mëkatit, për t’i kthyer gjërat padrejtësisht të marra, për të bërë pendesë për veprimet e padrejta, për të mos fituar as edhe një dyshkë me allishverishe, për të mos jetuar as edhe një ditë të vetme pa kryer vullnetin e Hyjit, për të bërë vullnetin e Hyjit në ditë të mira e të këqija dhe për t’iu larguar ndereve dhe miqësive tokësore, do të fitojnë faljen e mëkateve dhe do të jenë si engjëj në sytë e Hyjit.

Ata që marrin falje për mëkatet e mëparshme por nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kotësirat dhe dëshirat e çrregullta të mendjes së tyre, që duan të mbajnë gjërat e fituara padrejtësisht, që e duan botën tek vetja dhe familja e vet, që skuqen nga përvujtëria dhe nuk duan t’i lënë zakonet e këqija apo t’ia mohojnë trupit gjërat e tepërta, për njerëz të tillë puplat, domethënë indulgjencat, kanë thjesht efekt pështjellues. Kjo do të thotë se ata pendohen dhe rrëfehen, gjë që i liron nga mëkati dhe u kthen hirin e Hyjit. Pastaj nëse dëshirojnë dhe përpiqen ta ruajnë këtë hir dhe kanë synim të drejtë, ata fluturojnë, sikur të kishin flatra, nga duart e djallit tek prehri i Hyjit."

Ajo përgjigjet: "O, Nëna e mëshirës, lutu për këtë njeri që të gjejë hir në sytë e Birit tënd!" Ajo i përgjigjet: "Shpirti Shenjt e viziton atë por ka diçka të fortë si shkëmb para zemrës së tij që e pengon hirin e Hyjit të hyjë. Ti e sheh, Hyji është si klloçkë që ngroh vezët nga do të çelin zogjtë. Të gjitha vezët poshtë klloçkës ngrohen, por jo ato rreth e rrotull. Nuk është nëna ajo që e thyen lëvozhgën e vezës ku po formohet zogu, por zogu vetë përpiqet ta thyejë lëvozhgën me sqepin e vet. Kur e sheh këtë, ajo përgatit një vend edhe më të ngrohtë për zogun që po çel.

Edhe Hyji i viziton të gjithë me hirin e Tij. Disa thonë me vete: 'Duam t’i qëndrojmë larg mëkatit dhe të bëjmë çmos për t’u përsosur.' Njerëz të tillë Shpirti Shenjt i viziton më shpesh për t’i ndihmuar në synimin e tyre. Ata që ia besojnë gjithë vullnetin e vet Hyjit dhe që nuk duan të bëjnë as edhe gjënë më të vogël kundër dashurisë së Hyjit, por përkundrazi imitojnë ata që shohin se po përpiqen të përparojnë drejt përsossmërisë, duke iu përmbajtur këshillës së të përvuajturve dhe duke iu kundërvënë me urti prirjeve të mishit, këta Hyji i vë poshtë Vetes siç bën klloçka me zogjtë dhe e bën të lehtë zgjedhën e Tij për ta e i ngushëllon në vështirësi. Por ata që ndjekin vullnetin e vet dhe mendojnë se ajo pak e mirë që bëjnë e meriton shpërblimin në sytë e Hyjit dhe nuk përpiqen për përsosmëri më të madhe por ndalojnë në çfarëdo gjëje që ua gëzon mendjen, duke gjetur sebep shembullin e të këqinjve për të justifikuar dobësitë dhe shthurjet e veta dhe për të mbytur ndjenjën e fajit, njerëz të tillë nuk shndërrohen në zogj të Hyjit pasi nuk kanë vullnetin për të thyer ngurtësinë dhe kotësinë e zemrave të tyre. Përkundrazi, po të mundeshin, do të preferonin të jetonin sa më gjatë me qëllim që të mëkatojnë.

Zakeu i mirë nuk veproi kështu, as Maria Magdalena. Përkundrazi, meqenëse e kishin fyer Hyjin me të gjitha gjymtyrët e veta, ata ia përkushtuan Atij gjithë gjymtyrët për të shlyer fajet. Meqenëse me mëkate ishin ngjitur lart në këtë botë, ata e përvujtëruan veten duke e përbuzur botën. Në fakt është e vështirë ta duash Hyjin dhe botën njëkohësisht, duhet të jesh si kafshë që ka sy para dhe mbrapa dhe prapë, sado e kujdeshme të tregohet një kafshë e tillë, ajo vuan. Ata që janë si Zakeu dhe Magdalena kanë zgjedhur pjesën më të sigurtë."

SHPJEGIM
Ky ishte një nëpunës gjykate në Ostergotland që mori pjesë në vitin jubilar i shtyrë më tepër nga frika se nga dashuria. Në lidhje me të, Krishti thotë në Romë: "Kush i shpëton një rreziku të caktuar, duhet të ketë kujdes që t’i qëndrojë larg atij rreziku. Detarët që kanë besim të tepruar tek vetja rrezikojnë edhe kur janë në port. Prandaj ky njeri duhet të ruhet se mos kthehet në punën e mëparshme. Përndryshe, nëse nuk tregohet i kujdesshëm, ai do ta humbasë objektin e dëshirave të veta, të mirat që ka grumbulluar do t’u mbeten të tjerëve, bijtë e tij nuk do ta marrin trashëgiminë e të atit dhe ai vetë do të vdesë me dhimbje mes të huajve."
Por kur u kthye ai përsëri u bë tagrambledhës dhe gjithçka u realizua siç ishte parathënë.