Shën Anjeza e mëson bijën si duhet jetuar për t’i pëlqyer Hyjit. Pajtoni simbolizon këtu forcën dhe durimin; ndërsa katër rrotat e tij simbolizojnë katër virtyte: heqjen dorë nga gjithçka për hir të Hyjit, përvujtërinë, dashurinë e vërtetë për Hyjin dhe mbajtjen nën fre të trupit.
Libri 4 - Kapitulli 17

Anjeza i thotë nuses së Krishtit: "A e pe sot Zonjën Krenari në pajtonin e saj të krenarisë?" Nusja i përgjigjet: "E pashë dhe u indinjova sepse mishi dhe gjaku, pluhuri dhe fëlliqësia donte që ta lëvdonin dhe jo ta përvujtëronte veten siç i takon të bëjë. Një krekosje e tillë është shpërdorim i dhuratave të Hyjit, idhujtari e ulët, provë për të drejtin, mjerim për të varfërin, provokim ndaj Hyjit, është të harrosh kush je prej natyre, është rëndim i gjykimit të ardhshëm dhe humbje e shpirtrave."

Anjeza përgjigjet: "Bija ime, gëzohu që ke shpëtuar prej gjërave të tilla. Do të të rrëfej për një pajton ku mund të pushosh e sigurt. Pajtoni ku duhet të ulesh është guximi dhe durimi në vuajtje. Kur njeriu fillon ta mbajë trupin nën kontroll dhe t’ia besojë vullnetin tërësisht Hyjit, atëherë ose i trazohet mendja nga krenaria e fillon ta mbajë veten me të madh sikur të ishte i drejtë dhe të ishte tashmë si Hyji, ose mposhtet nga padurimi dhe paaftësia për të gjykuar drejt e kështu u kthehet zakoneve të vjetra ose forca e tij bie dhe nuk është më i denjë të punojë për Hyjin. Prandaj lypset durim që njeriu të mos bjerë në mëkatet e dikurshme nga padurimi apo të marrë kot, por të veprojë sipas aftësitë dhe kushteve që ka.

Rrota e parë e pajtonit është synimi i sinqertë për të hequr dorë nga gjithçka për hir të Hyjit dhe për të mos dëshiruar tjetër gjë përveç Hyjit. Ka shumë që heqin dorë nga pasuritë tokësore që të mos kenë kokëçarje, por ama mbajnë sa u duhet për nevojat dhe dëshirat e veta. Rrota e tyre nuk komandohet lehtë pasi, kur i pllakos varfëria, dëshirojnë komoditete dhe kur ndjejnë peshën e andrallave të jetës dëshirojnë begati. Kur përvujtëria i sikletos, mërmërisin kundër provanisë së Hyjit dhe përpiqen të fitojnë ndere tokësore.
Kur u kërkohet të bëjnë diçka kundër prirjeve të veta, dëshirojnë lirinë. Prandaj vullneti i njeriut i pëlqen Hyjit atëherë kur ai nuk kërkon asgjë në interes të vet, as në kohë të mira as në të këqija.

Rrota e dytë është përvujtëria. Kjo bën që njeriu ta konsiderojë veten të padenjë për çfarëdo të mirë, sepse i kujton gjithmonë mëkatet e kryera dhe e sheh veten fajtor në sytë e Hyjit. Rrota e tretë është dashuria e vërtetë për Hyjin. Dashuri të vërtetë për Hyjin kanë ata që e shqyrtojnë veten dhe i urrejnë veset e veta, që trishtohen për mëkatet e të tjerëve, gëzohen kur ata përparojnë shpirtërisht drejt Hyjit, që nuk duan që miqtë e tyre të jetojnë për qejfe e komoditete por për t’i shërbyer Hyjit, që nuk i duan sukseset tokësore kur ato e fyejnë Hyjin. E tillë është dashuria e vërtetë që e urren vesin, që nuk u bën lajka njerëzve për të fituar favore apo ndere e që do më tepër ata që e duan më shumë Hyjin.

Rrota e katërt është mbajtja nën kontroll e trupit. Një i martuar mund të gjykojë kështu: 'Ja, trupi po më shtyn në udhë të keqe. Po jetova sipas mishit, me siguri do të zemërohet Hyji që ka krijuar trupin e që është në gjendje të plagosë dhe të dobësojë, të vrasë dhe të japë jetë. Prandaj, nga dashuria për Hyjin dhe frika prej Tij, do t’i vë fre mishit me anë të vullnetit të mirë. Do të jetoj ndershmërisht që ta nderoj Hyjin.' Kush mendon kështu dhe i kërkon ndihmë Hyjit, është njeri që ka një rrotë që Hyjit i pëlqen. Nëse një rregulltar arësyeton kështu: 'Ja, trupi po më shtyn drejt kënaqësive, por edhe pse kam kushte, kohë dhe moshë për t’u dëfryer, prapë, me ndihmën e Hyjit dhe për hir të betimit që kam bërë, nuk do të mëkatoj për një kënaqësi kalimtare. I kam bërë një premtim të madh Hyjit: hyra i varfër e do të largohem edhe më i varfër dhe do të gjykohem për çdo vepër. Prandaj do të vetëpërmbahem që të mos e fyej Hyjin, të mos e skandalizoj të afërmin apo të bëhem i keqi i vetes.' Një vetëpërmbajtje e tillë meriton shpërblim të madh.

Dikush tjetër mund të jetojë mes ndereve dhe kënaqësive dhe të arësyetojë kështu: 'Ja, kam me bollëk gjithçka, por ka të varfër nevojtarë dhe të gjithë kemi një Hyj. Ç’kam bërë për të merituar këto që kam, apo ç’kanë bërë ata për të mos i merituar këto që kam unë? E tek e fundit, ç’është trupi përveçse ushqim për krimbat? Ç’janë gjithë këto kënaqësi përveçse burim neverie dhe sëmundjeje, humbje kohe dhe shtyrje në mëkat? Prandaj do ta mbaj trupin nën kontroll që të mos bëhet pre e lakmueshme për krimbat e të meritoj dënim më të rëndë apo ta shkoj dëm kohën e pendesës. Ndoshta trupi im pak i stërvitur nuk do ta ketë të lehtë të jetojë si varfanjak, por gradualisht do t’i mohoj trupit disa kënaqësira pa të cilat ai mund të bëjë e do t’i jap çfarë i nevojitet dhe asgjë më tepër.' Kush ka mendime të tilla dhe bën çmos për t’i vënë në jetë, mund të quhet dëshmitar dhe martir, pasi është një lloj martirizimi të kesh mundësi t’i lejosh vetes kënaqësira e prapë t’ia mohosh ato vetes, të jetosh mes ndereve dhe ta përçmosh nderin, të kesh famë të mirë dhe të mos e kujtosh veten kushedi çfarë. Një rrotë e tillë i pëlqen shumë Hyjit.

Ja pra, bija ime, të përshkrova imazhin e një pajtoni. Karrocieri i pajtonit është engjëlli yt për sa kohë ti nuk e flak tej frenën dhe zgjedhën e tij nga qafa, domethënë për sa kohë ti nuk i shpërfill frymëzimet e tij shpëtimtare duke ua hapur shqisat dhe zemrën tënde gjërave të kota dhe të turpshme. Tani dua të të tregoj për llojin e pajtonit ku ishte ulur ajo zonja. Pajtoni është e qartë se është padurimi – padurimi i saj ndaj Hyjit, ndaj të afërmit dhe vetvetes. Ajo tregohet e padurueshme me Hyjin kur kritikon vendimet e Tij të fshehta, pasi gjërat nuk i shkojnë aq mirë sa do të dëshironte. Ajo e përflet të afërmin kur nuk mund të shtjerë në dorë çka i përket atij. Gjithashtu ajo është e padurueshme edhe me vetveten sepse nuk bën durim por i tregon të fshehtat që ndryen në zemër.

Rrota e parë e pajtonit është krenaria, pasi ajo e vë vetveten mbi të gjithë dhe i gjykon të tjerët; i përbuz njerëzit e thjeshtë dhe ka ambicje për ndere. Rrota e dytë është mosrespektimi i urdhrave të Hyjit. Kjo e bën t’i justifikojë në sytë e vet dobësitë që ka, të jetë mendjemadhe dhe ta mbrojë ligësinë e vet. Rrota e tretë është lakmia për të mira tokësore. Kjo e bën që t’i shkapërderdhë kot pasuritë e veta, të shpërfillë dhe harrojë gjendjen e vet dhe jetën e ardhshme, të trazohet në shpirt, të këtë pak dashuri për Hyjin. Rrota e katërt është egoizmi. Kjo e pengon ta nderojë dhe ta ketë frikë Hyjin dhe nuk e lë të mendojë me kujdes për vdekjen dhe gjykimin që e pret.

Karrocieri është djalli. Ai e mbush me guxim dhe entuziazëm në çdo sipërmarrje që i frymëzon të ndërmarrë. Dy kuajt që tërheqin pajtonin janë shpresa për të jetuar gjatë dhe synimi për të mëkatuar deri në fund. Frena është frika e saj e dënueshme për të shkuar në rrëfim. Me shpresën për të jetuar gjatë dhe synimin për të qëndruar në mëkat, kjo frikë e dënueshme e nxjerr shpirtin nga udha e drejtë dhe e ngarkon aq shumë me mëkat sa as frika as turpi as paralajmërimet nuk arrijnë ta nxjerrin nga bataku. Pikërisht kur të kujtojë se është në terren të sigurt, do të zhytet në humnerë nëse hiri i Hyjit nuk i vjen në ndihmë."

SHTOJCË
Krishti flet për të njëjtën zonjë: "Ajo është nepërkë me gjuhë gruaje të përdalë, me vrer kuçedre në zemër dhe helm të hidhur në trup. Prandaj vezët e saj janë helmuese. Lum ata që nuk do t’u bien për hise!"