Shën Anjeza e mëson bijën të mos kthehet mbrapsht e as të marrë kot përpara, për mënyrën e duhur për të filluar apo vazhduar me praktikat vetëmohuese dhe ç’lloj vetëpërmbajtjeje i pëlqen Hyjit.
Libri 4 – Kapitulli 20

Anjeza thotë: "Bijë, qëndro e palëkundur dhe mos u kthe mbrapsht, pasi në thembër ke një gjarpër gati për të të kafshuar. Por as mos merr kot përpara, pasi përballë ke majën e një heshte të mprehtë dhe po ece më shpejt seç duhet, do të plagosesh. Ç’do të thotë të kthehesh mbrapsht përveçse të të vijë keq në kohë të vështira që i je futur një mënyre jetese më të rreptë dhe më të shëndetshme dhe të dëshirosh t’u kthehesh zakoneve të vjetra dhe t’u gëzohesh mendimeve të fëlliqura? Mendime të tilla, edhe nëse i japin ca gëzim mendjes, errësojnë çdo gjë të mirë dhe gradualisht largojnë nga mirësia. Dhe as duhet të marrësh kot përpara, domethënë nuk duhet ta ndëshkosh veten më tepër se ç’mund të durosh apo të imitosh veprat e mira të të tjerëve përtej mundësive të tua. Hyji ka vendosur qysh nga përjetësia që qielli t’i hapet mëkatarëve kur ata kryejnë vepra dashurie dhe përvujtërie, por ata duhet të tregojnë moderim dhe maturi në gjithçka. Ndërsa djalli ziliqar e bind njeriun e papërsosur të agjërojë përtej forcës së vet, të premtojë të bëjë gjëra të pazakonta që nuk mund t’i realizojë, të dëshirojë të imitojë modele më të përsosur pa marrë parasysh pikat e veta të forta dhe të dobëta. Këtë djalli e bën në mënyrë që, kur të mos ketë më forcë, njeriu të vazhdojë me premtimet e filluara keq vetëm që të mos turpërohet në sytë e njerëzve dhe jo për hir të Hyjit, apo në mënyrë që të heqë dorë shpejt nga përpjekjet si pasojë e pakujdesisë dhe dobësisë.

Për këtë arësye, përdor si kut vetveten, domethënë pikat e tua të forta dhe të dobëta, pasi disa janë më të fortë prej natyre, të tjerë më të dobët, disa më të zellshëm në sajë të hirit të Hyjit, të tjerë më të përkushtuar në sajë të zakoneve të mira. Prandaj duhet ta organizosh jetën sipas këshillës së njerëzve të përshpirtshëm, që gjarpri të të mos pickojë prej pakujdesisë sate dhe maja e helmatisur e shpatës, domethënë e sugjerimeve helmatisëse të djallit, të mos e mashtrojë mendjen tënde duke të shtyrë që të dëshirosh të dukesh më tepër seç je apo që të përparosh më shumë se ta lejojnë fuqitë dhe mundësitë e tua.

Ka në fakt disa njerëz që besojnë se mund të shkojnë në qiell në sajë të meritave të veta dhe Hyji i ruan nga tundimet e djallit për shkak të planit të Tij të fshehtë. Ka të tjerë që mendojnë se mund t’ia shlyejnë Hyjit mëkatet që kanë bërë me anë të veprave të tyre. Gabimi i të gjithë këtyre është fatal, pasi edhe sikur dikush ta vriste trupin e vet njëqind herë me radhë, ai nuk do të mund të shlyente as të njëmijtën pjesë të borxhit që i detyrohet Hyjit, pasi është Hyji që na jep aftësinë dhe vullnetin, kohën dhe shëndetin, që na mbush me dëshirë për të bërë mirë, që na jep pasuri dhe ndere, që vret dhe jep jetë, që lartëson dhe ul. Gjithçka është në dorë të Tij. Prandaj vetëm Atij i duhet dhënë çdo nder dhe askush nuk meriton të mbahet për ndonjë gjë para Hyjit.

Meqenëse po vret mendjen për zonjën e shthurur që erdhi për indulgjenca, unë të përgjigjem: Ka disa femra që e kanë virtytin e vetëpërmbajtjes, por nuk e duan. Ato as nuk përjetojnë ndonjë dëshirë të madhe për kënaqësi e as tundime të forta. Nëse do të kishin propozime të lakmueshme për martesë, ato do të pranonin. Por meqenëse nuk marrin propozime të pëlqyeshme, ato i përçmojnë ofertat më pak të pëlqyeshme. E kështu vetëpërmbajtja ndonjëherë u shkakton krenari dhe mendjemadhësi të cilat, me lejen e Hyjit, i çojnë në mëkat, siç more vesh tani. Nëse një grua do ta kishte ndarë mendjen të mos njollosej as edhe një herë, edhe sikur t’ia ofronin gjithë botën, do të ishte e pamundur që ajo të turpërohej. Por nëse në drejtësinë e Tij të fshehtë Hyji e lejoi këtë rënie, kjo kjo do t’i kishte dalë për mirë dhe jo për keq nëse ajo do të kishte rënë kundër vullnetit të vet.

Dije pra se Hyji është si shqiponjë që nga lart vështron gjithçka. Nëse shqiponja sheh ndonjë gjë që ngrihet nga toka, ajo menjëherë lëshohet vrik mbi të dhe e kap. Nëse i kap syri ndonjë gjë helmuese që i drejtohet asaj, ajo e shpon si shigjetë, nëse diçka e papastër hidhet mbi të nga lart, e largon me një shkundje të fortë, siç bën pata. Nëse e sheh zemrën e njeriut të ngrihet kundër Tij për shkak të dobësisë së mishit apo tundimeve të djallit, Ai menjëherë lëshohet mbi të duke i frymëzuar pendim apo vepra pendestare dhe e vë përfund duke e detyruar t’i kthehet Hyjit dhe të vijë në vete përsëri. Nëse helmi i dëshirës apo lakmisë trupore hyn në zemër, Hyji shpejt e çpon zemrën me shigjetën e dashurisë së Tij që personi të mos qëndrojë në mëkat dhe të ndahet nga Hyji.
Nëse ndonjë papastërti krenarie apo fëlliqësi epshi e ndot shpirtin, Ai e shkund menjëherë, si një patë, nëpërmjet fesë dhe shpresës së paepur, që shpirti të mos ngurtësohet në ves e që shpirti që është bashkuar me Hyjin të mos njolloset fatalisht.
Prandaj, bija ime, në të gjitha ndjenjat dhe veprat e tua, kujto drejtësinë dhe mëshirën e Hyjit dhe gjithmonë kij parasysh fundin."