Fjalët e nuses drejtuar Hyjit në lidhje me virtytet dhe madhështinë e Tij dhe përgjigja ngushëlluese e Virgjërës për bijën; shërbëtorët e mirë të Hyjit nuk duhet të rreshtin së predikuari dhe paralajmëruari njerëzit, pavarësisht nëse ata kthehen apo jo; Virgjëra e sqaron këtë me anë të një krahasimi.
Libri 4 - Kapitulli 21

I bekuar je Ti, Hyji im, që je Tre në Një: Tre persona në një natyrë. Ti je mirësia dhe urtia vetë; Ti je bukuria dhe fuqia vetë; Ti je drejtësia dhe e vërteta vetë. Gjithçka jeton dhe vazhdon të ekzistojë në sajin Tënd. Ti je si lule që rritet vetmitare në fushë. Të gjithë ata që i afrohen provojnë ëmbëlsi në qiellëz, inkurajim në shpirt, kënaqësi për sytë dhe forcë në çdo gjymtyrë. Të gjithë ata që të afrohen bëhen më të bukur duke e lënë pas mëkatin, më të urtë duke ndjekur vullnetin Tënd dhe jo mishin, më të drejtë duke kërkuar të mirën e shpirtit dhe lavdinë e Hyjit. Prandaj, tejet i miri Hyj, ndihmomë të dua çfarë Ty të pëlqen, t’i bëj ballë tundimeve me guxim, t’i përbuz gjithë gjërat tokësore dhe të të mbaj Ty gjithnjë në mendje."

Nëna përgjigjet "Kjo përshëndetje t’u frymëzua në sajë të meritave të Zheromit të mirë që e la urtinë e rremë dhe gjeti urtinë e vërtetë, që e përbuzi nderin tokësor dhe u shpërblye nga Hyji vetë. Lum Zheromi, lum ata që imitojnë jetën dhe doktrinën e tij. Ai kujdesej për të vejat, ishte shembull për ecjen drejt përsosmërisë, mësues i së vërtetës dhe pastërtisë. Por thuamë, bija ime, ç’ta trazon zemrën?" Ajo tha:
"Më lindi një mendim që tha, 'Nëse je e mirë, mjaft e kë mirësinë tënde. Pse të gjykosh e të paralajmërosh dhe mësosh ata që janë më lart se ty, gjë që s’i takon as gjendjes as pozitës sate?' Ky mendim e tulat aq shumë shpirtin saqë e bën të neglizhojë edhe përparimin e vet dhe të ftohet krejtësisht ndaj Hyjit."

Nëna përgjigjet: "Ky mendim i ka penguar edhe shumë shpirtra të përparuar që t’i afrohen Hyjit. Djalli i pengon të mirët që t’u flasin të këqinjve, me qëllim që të këqinjtë të mos pendohen. Ai i pengon edhe që t’u flasin të mirëve që këta të mos përparojnë, pasi po dëgjuan doktrinë të mirë ata përparojnë dhe meritojnë shpërblim më të madh. Për shembull, eunuku që po lexonte Isainë do të kish marrë një nga ndëshkimet më të vogla të ferrit, por Filipi e takoi dhe i mësoi një rrugë të shkurtër për në qiell dhe kështu ai meritoi lumturinë. Po kështu, Pjetri u dërgua tek Korneliusi. Nëse Korneliusi do të kishte vdekur më parë, ai do të kishte shkuar në një vend prehjeje në sajë të besimit, por pastaj erdhi Pjetri dhe i priu tek porta e jetës. Edhe Pali erdhi tek Denisi dhe e i priu drejt shpërblimit të bekimit. Për këtë arësye, miqtë e Hyjit nuk duhet të lodhen në shërbim të Hyjit por të vazhdojnë të përpiqen që të këqinjtë të përmirësohen dhe të mirët të përsosen.

Gjithkush që u pëshpërit në vesh njerëzve se Jezu Krishti është me të vërtetë Biri i Hyjit dhe bën ç’mundet për t’i kthyer ata, edhe sikur asnjë ose pak të kthehen, do të marrë të njëjtin shpërblim sikur të gjithë të ishin kthyer. Do të ta sqaroj me anë të një krahasimi. Nëse, me urdhër të zotërisë së tyre, dy mëditës gërmojnë një shkëmb të fortë dhe njëri prej tyre gjen ar të çmuar ndërsa tjetri asgjë, të dy meritojnë shpërblim të barabartë për shkak të punës dhe synimit të tyre. Si Pali që ktheu shumë njerëz ashtu edhe apostujt e tjerë që kthyen më pak, kishin të njëjtin synim. Provania e Hyjit mbetet e fshehtë, prandaj njeriu nuk duhet kurrë të heqë dorë, qoftë edhe sikur pak ose as edhe një të mos ia hapte zemrën fjalëve të Hyjit. Ashtu si gjembi e mbron trëndafilin dhe gomari mban të zotin, po ashtu djalli, si gjemb mëkati, u bën mirë të zgjedhurve me provat që u shkakton, njëlloj siç i bëjnë mirë gjembat trëndafilit. Në këtë mënyrë ata nuk mposhten lehtë nga krenaria e zemrës. E kështu, taman si gomar, djalli i çon ata tek ngushëllimi i Hyjit dhe një shpërblim më i madh."