Ligësia e njërëzve në kohët e sotme ia kalon dredhisë së djallit, tani njerëzit janë më të shpejtë për të mëkatuar sesa djalli është për t’i tunduar, për gjykimin e njerëzve të tillë, si miqtë e Hyjit duhet të predikojnë me guxim; gjithashtu, në lidhje me dijen që Hyji u jep miqve të Vet.
Libri 4 – Kapitulli 22

Biri thotë: "Po të zemërohesha, me të drejtë tani duhej të thoja: Jam penduar që i kam krijuar njerëzit. Ata janë bërë si kafshë që vetë shkojnë e bien në kurth. Sado që u flet, ata ndjekin orekset e tyre egoiste. Dhe jo i gjithë faji i duhet vënë sulmeve të ashpra të djallit ndaj njeriut - jo, madje ligësia e njerëzve ia kalon ligësisë së tij. Si qenë gjuetie që fillimisht drejtohen me kamzhik, por pastaj, pasi mësohen të gjuajnë dhe të shqyejnë kafshët, e arrijnë shpejt prenë para gjahtarit, edhe njerëzit, të mësuar tani të mëkatojnë dhe të gjejnë gëzim në mëkat, janë më të shpejtë për të mëkatuar se djalli për t’i tunduar. Kjo nuk është për t’u çuditur. Ka kaluar shumë kohë qëkur Selia e Shenjtë, kreu i botës, i pëlqente Hyjit me shenjtërinë e jetës dhe të shembullit, si në kohët e hershme, prandaj gjithë gjymtyrët e tjera janë dobësuar e janë bërë apatike. Ata as që e vrasin mendjen përse Hyji i pasur u bë i varfër dhe nevojtar – që t’i mësonte njerëzit t’i përbuznin gjërat kalimtare dhe të donin ato qiellore. Njeriu është i varfër prej natyre, por është pasuruar me pasuri të rreme. Kështu përpiqet të veprojë gjithkush me përjashtim të pak vetëve.

Prandaj i Plotfuqishmi do të dërgojë pluguesin. Ai nuk kërkon pasuri apo trupa të bukur dhe as ka kurrfarë respekti për pushtetin e të fortëve e as i trembet kërcënimeve të princave e as lëkundet nga favoret njerëzore. Ai do të mbjellë trupa njerëzish dhe do t’i rrafshojë përdhe shtëpitë e shpirtrave; do t’ua dorëzojë trupat krimbave, ndërsa shpirtrat do t’ua dorëzojë atyre që ata u shërbyen. Prandaj, miqtë e Mi tek të cilët po të dërgoj, le të nxitojnë për të punuar me kurajo pasi ç’po të them nuk do të ndodhë në ditët e fundit, siç thashë më parë, por pikërisht në këto ditë. Shumë prej atyre që tani janë gjallë do të shohin me sytë e tyre plotësimin e shkrimit që thotë: 'Mbetshin të veja gratë e tyre dhe bonjakë fëmijët e tyre,' dhe do të humbasin gjithçka që dëshirojnë.

Megjithatë, Unë, Hyji i mëshirshëm, do t’i pranoj të gjithë ata që vijnë tek Unë me përvujtëri. Do t’u jap Vetveten atyre që kryejnë vepra drejtësie, pasi është e drejtë të pastrohet shtëpia ku do të hyjë mbreti, të lahet gota që pija të jetë e pastër, të ndahet gruri nga kashta dhe të shtypet fort çka po trajtëzohet në formë që ajo të marrë trajtën e formës. Ashtu sikurse vera vjen pas dimrit, edhe Unë do të ngushëlloj pas vështirësive ata që dëshirojnë të jenë si fëmijë të vegjël dhe që vlerësojnë më tepër gjërat qiellore se ato tokësore. Por ashtu si njeriu nuk lind dhe vdes taman në të njëjtin çast, edhe kjo do të realizohet kur t’i vijë koha e vet.

Ta dish edhe se kam ndërmend që disa njerëz t’i trajtoj sipas proverbit: 'Kamzhiku do ta bëjë të ecë' – dhimbja do ta detyrojë të nxitojë.
Të tjerë do t’i trajtoj siç është shkruar: 'Hape gojën sa mundesh e do të ta mbush.' Një kategorie të tretë njerëzish do t’u flas butësisht për t’i frymëzuar: 'Ejani o njerëz të paditur dhe të thjeshtë dhe Unë do t’ju jap gojë dhe urti saqë përqeshësit nuk do të jenë në gjendje t’ju kundërshtojnë.' Kjo është çka kam bërë tashmë: i kam mbushur të thjeshtët me urtinë Time dhe ata janë provë kundër të diturve. Unë i dëbova mendjemëdhenjtë dhe të fortët dhe shpejt ata e mbyllën gojën. Kjo nuk është për t’u çuditur: Unë i urdhërova të urtët t’u prisnin gjuhët gjarpërinjve, siç dëgjove, dhe ata nuk deshën. As nëna e tyre, mallkim për njerëzit e thjeshtë, nuk donte t’ua mbyllte gojën që të shuante zjarrin e dëshirës së ndezur në zemrat e bijve të saj, siç urdhërova Unë. Prandaj ua tregova vendin në kohën e lumturisë së tyre dhe ua shkurtova gjuhën."