Gjon Ungjilltari i flet Virgjërës së lavdishme për një hipokrit mëkatar dhe Virgjëra i përgjigjet në lidhje me karakteristikat e tij, si djalli e ka mashtruar atë dhe si shpirti i mirë dallohet nga shtatë shenja dhe po nga aq shenja njihet shpirti i lig.
Libri 4 - Kapitulli 23

Gjon Ungjilltari i tha Nënës së Hyjit: "Vërma veshin, Virgjër dhe Nëna e një Biri të vetëm dhe jo e disa bijve, Nëna e Birit të vetëmlindur të Hyjit, Krijuesit dhe Shëlbuesit të gjithçkaje. Dëgjo, po të them, pasi ti sigurisht që dëgjon, si djalli e ka mashtruar këtë njeri, si po përpiqet të arrijë diçka të pamundur, si dhe në ç’mënyrë është udhëzuar nga shpirti i gënjeshtrave, sa shumë është larguar nga Hyji me lëkurën e tij prej deleje por me zemër luani. Unë mësova se janë tre që dëshmojnë në qiell dhe në tokë: Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt. Ndërsa shpirti i keq dëshmon se ky njeri është bërë krejtësisht i shenjtë. Por Ati nuk e forcon atë me fuqinë e Vet, as Biri nuk e viziton me urtinë e Tij, as Shpirti Shenjt nuk e ndez me dashurinë e Tij. Kjo nuk është për t’u çuditur, pasi ai aspiron për pushtet në kundërshtim me pushtetin e Atit; ai don të jetë i urtë në kundërshtim me urtinë e Birit; ai dëshiron të ndizet por jo siç ndez Shpirti Shenjt. Prandaj kërkoji Birit tënd që ose ta marrë shpejt, që të mos humbasin ende shpirtra të tjerë, ose ta bëjë të ulë kokën për gabimet e tij."

Nëna u përgjigj: "Dëgjomë, virgjër, edhe pse je mashkull dhe jo femër. Ti je ai që Hyjit i pëlqeu ta nxjerrë nga bota me vdekjen më të lehtë pas times. Në fakt për mua ishte si të isha duke fjejtur kur shpirti dhe trupi im u ndanë, por pastaj u zgjova në gëzimin e amshuar. Kjo nuk është për t’u çuditur në fakt, pasi unë vuajta më shumë se të tjerët për vdekjen e tim Biri e Hyjit iu pëlqeu për këtë të më ndante nga bota me vdekjen më të lehtë. Por ti ishe më afër meje se të gjithë apostujt, t’u treguan më tepër shenja dashurie se të tjerëve dhe pasioni i tim Biri të shkaktoi vuajtje më të mëdha se të tjerëve pasi ti e ndoqe nga më afër se të tjerët dhe jetove edhe më gjatë se të tjerët dhe vuajte për vdekjen e tyre. Prandaj Hyjit i pëlqeu të të thërriste nga bota me vdekjen më të lehtë pas times, pasi Virgjëra iu besua një virgjëri. Prandaj çfarë kërkove do të realizohet pa vonesë.

Bija ime, lërmë të të tregoj ç’lloj njeriu është ky person për të cilin po flasim. Ai është si shërbëtori i atij monedhë-bërësit, djallit. Djalli e shkrin dhe pastaj e stampon monedhën e tij – domethënë shërbëtorin e vet – me sugjerime dhe tundime, derisa i jep formën që do. Pasi e ka korruptuar dhe drejtuar vullnetin e njeriut drejt kënaqësive të mishit dhe dashurisë për botën, ai pastaj gdhend në të imazhin dhe firmën e vet dhe bëhet fare e qartë nga shenja të jashtme se cilin do me gjithë zemër ky person. Kur njeriu e vë në praktikë dëshirën e mendjes dhe dëshiron të angazhohet më tepër në çështje tokësore sesa ia kërkon pozicioni i vet dhe do të bënte dhe dëshironte akoma më tepër gjëra, po të mundej, atëherë është e qartë se ai është monedhë e përsosur e djallit.

Megjithatë duhet ta kuptosh se monedha e Hyjit ndryshon nga monedha e djallit. Monedha e Hyjit është prej ari, vezulluese, fleksibël dhe e çmueshme. Çdo shpirt me vulën e Hyjit shkëlqen me dashuri hyjnore në durimin e tij pathyeshëm, është i vlefshëm me veprat e mira të vazhdueshme. Po ashtu, çdo shpirt i mirë shkrihet nga fuqia e Hyjit dhe sprovohet me shumë tundime. Me anë të tyre shpirti, duke parë difektet dhe origjinën e vet, si dhe mirësinë dhe durimin e Hyjit ndaj tij, bëhet edhe më i çmueshëm për Hyjin, më i përvuajtur, i durueshëm dhe i kujdesshëm.

Ndërsa monedha e djallit është prej bakri dhe plumbi. Është bakër sepse ngjason me arin: është e fortë dhe elastike, por jo si ari.
Ndërsa shpirti i padrejtë e kujton veten të drejtë, i gjykon të gjithë, interesohet më tepër për veten se për të tjerët, nuk është elastik përsa i përket veprave të përvuajtura, është i butë kur vepron për interesat e veta, i papërkulshën në planet e veta, i admirueshëm në sytë e botës, i përçmueshëm në sytë e Hyjit. Monedha e djallit është edhe prej plumbi sepse është e shëmtuar, e butë, elastike dhe e rëndë. Njëlloj shpirti i padrejtë është i shëmtuar në dëshirat e veta epshore, i rëndë plumb në dëshirën e vet për botën, i përkulshëm si kallam që shkon nga djalli i fryn në vesh, madje ka raste kur është më i gatshëm ai ta bëjë këtë sesa djalli për ta tunduar ta bëjë. Kjo është gjendja e shërbëtorit të monedhëbërësit. Ai mërzitet nga zbatimi i rregulloreve të urdhrit të cilit i përket, gjë për të cilën ishte betuar, dhe vret mendjen si të fitojë simpatinë e njerëzve duke u shtirur si i shenjtë, ndërkohë që e ushqen trupin gjithë salltanete. Pastaj djalli shpejt ia mbushi kokën me gënjeshtra natën. Ato e bëjnë të besojë gjëra të pamundura, që nuk do të realizohen. Përkundrazi jeta e tij do të mbarojë shpejt dhe nuk do t’i fitojë nderet që i dëshiron aq shumë.

Sa herë që dikujt i bie në dorë ndonjë monedhë e panjohur, ai ia çon një eksperti të urtë që ka dije të mjaftueshme për peshën dhe formën e saj. Po ku ta gjejmë një ekspert të tillë ne? Edhe sikur ta gjenim, atij mund t’i bëhet vonë pak ose aspak nëse monedha është apo nuk është fallco. Ka vetëm një zgjidhje në këtë rast, siç do ta shpjegoj me anë të një krahasimi. Po t’i jepje një lek qenit, ai as do të begeniste ta merrte. Por nëse leku do të ishte i veshur me dhjam, nuk ka dyshim se qeni do ta merrte. Rasti konkret është si ky. Nëse do të shkoje tek një ekspert teologjie dhe t’i thoje: 'Ai njeri është heretik,' ai nuk do ta vinte ujin në zjarr, sepse dashuria e tij për Hyjin është ftohur krejtësisht. Por po t’i thoje: 'Ai është i krimbur në para,' atëherë të gjithë do të nxitonin tek ai. Prandaj do të ndodhë shpejt siç thotë Pali: 'Unë do ta shkatërroj dhe përvujtëroj urtinë e të urtit dhe do të lartësoj të përvuajturin.'

Bija ime, ti mund ta njohësh si Shpirtin Shenjt ashtu edhe shpirtin e papastër nga shtatë shenja. E para, Shpirti i Hyjit e bën njeriun ta konsiderojë botën të pavlerë dhe ta mbajë për hiç çdo nder tokësor. E dyta, e mbush shpirtin me dashuri për Hyjin dhe të gjitha gëzimet e mishit ftohen. E treta, Ai i frymëzon atij durim dhe që të krenohet vetëm në Hyjin. E katërta, e nxit mendjen të tregohet e dashur dhe e mëshirshme me të afërmin, madje edhe me armiqtë. E pesta, i frymëzon vetëmohim, madje edhe në gjëra të ligjshme. E gjashta, e bën të besojë tek Hyji mes vështirësive, madje edhe të krenohet në vështirësi. E shtata, i jep dëshirën ta lërë këtë botë që të bashkohet me Krishtin dhe jo të begatojë në botë e të ndotet.

Shpirti i keq ka shtatë ndikime të kundërta. E para, ai e bën botën të duket e ëmbël dhe qiellin jo tërheqës. E dyta, e bën njeriun të kërkojë ndere dhe ta harrojë kuptimin e jetës së tij. E treta, ai ngjall urrejtje dhe padurim në zemër. E katërta, e bën ta mbajë veten me të madh para Hyjit dhe kokëfortë në planet e veta. E pesta, e shtyn që t’i marrë lehtë mëkatet e veta dhe t’i justifikojë ato. E gjashta, i frymëzon mendjelehtësi dhe çdo fëlliqësi trupore.
E shtata, i frymëzon shpresën për një jetë të gjatë dhe ndjenjë turpi për të shkuar në rrëfim. Prandaj ji vigjilene ndaj mendimeve të tua në mënyrë që ky shpirt mos të të mashtrojë."

SQARIM
Ky ishte një prift Cistercian i cili, pas tetëmbëdhjetë vitesh apostazie, u pendua dhe u kthye në manastir. Ai thoshte se ishte e pamundur që njeriu të përfundonte në ferr dhe mohonte se Hyji mund t’i fliste njeriut në këtë botë apo se dikush mund ta shihte fytyrën e Hyjit përpara gjykimit. Kur zonja Brixhida e dëgjoi këtë, Shpirti Shenjt i tha: "Shko e thuaji kështu atij vëllai: 'Vëlla, ti nuk e sheh siç e shoh unë djallin që t’i mban ende lidhur mendjen dhe gjuhën edhe në moshë të thyer. Hyji është i përjetshëm dhe shpërblimi i Tij është i përjetshëm. Prandaj kthehu shpejt dhe me gjithë zemër tek Hyji dhe feja e vërtetë, pasi nuk ke për t’u ngritur nga shtrati por do të vdesësh. Por nëse beson, do të jesh enë për nder të Hyjit.' "

Ai shpërtheu në lotë dhe e falenderoi zonjën Brixhida dhe e reformoi jetën aq përsosshmërisht sa kur vëllezërit u mblodhën bashkë në momentin kur do të vdiste, ai u tha: "O vëllezërit e mi, jam i sigurt se Hyji i gjithëmëshirshëm e ka pranuar pendesën time dhe do të më falë. Lutuni për mua, pasi unë besoj gjithçka që beson Kisha e Shenjtë." Pastaj, pasi mori sakramentet e Hyjit, ndërroi jetë.