Virgjëra e mëson bijën si duhet të sillen shërbëtorët e Hyjit me të padurueshmit dhe e krahason krenarinë me një fuçi.
Libri 4 - Kapitulli 24

Nëna thotë: "Kur një fuçi birre nxehet dhe birra fillon të gufojë dhe të shtojë vëllim, ajo avullon dhe shkumëzon herë më shumë e herë më pak dhe papritur niveli ulet përsëri. Ata që rrinë rrotull fuçisë e kuptojnë se këto shkumëzime mbarojnë shpejt dhe se ato shkaktohen nga fortësia e birrës dhe janë një mënyrë për të çliruar nxhtësinë. E kështu ata me durim presin që kjo të përfundojë dhe që birra apo vera të jenë gati. Dy gjëra ndodhin kur njerëzit rrotull fuçisë e afrojnë hundën për të nuhatur: Ose teshtijnë fort ose u dhemb shumë koka.

E njëjta gjë ndodh në jetën shpirtërore. Ndodh ndonjëherë që zemrat e disave fryhen dhe krekosen nga krenaria dhe padurimi i mendjeve të tyre.
Kur të virtytshmit e shohin këtë krekosje, e kuptojnë se ajo vjen ose nga paqëndrueshmëri shpirtërore ose nga arësye trupore. Prandaj tregohen të durueshëm me fjalët e tyre fyese dhe presin që të mbarojnë, duke e ditur që paqja e pason stuhinë dhe se durimi është më i fortë se ushtria që rrethon një qytet pasi durimi e fiton kalanë nga brenda, gjë që është më e vështirë për t’u bërë. Por ka nga ata që janë të padurueshëm dhe i përgjigjen fyerjeve me fyerje. Duke mos e sjellë ndërmend shpërblimin që njeriu meriton në sajë të durimit, as kotësinë e favoreve tokësore, këta trazohen mendërisht për shkak të tundimeve të padurimit – e afrojnë shumë hundën tek fuçia që zien, domethënë i marrin shumë seriozisht fyerjet që nuk janë tjetër veç flluska.

Prandaj, kur shihni ndonjë që tregohet i padurueshëm, mbajeni gjuhën me ndihmën e Hyjit dhe mos i ndërprisni veprat e mira për shkak të fjalëve të tij. Madje bëjeni një vesh shurdh, aq sa drejtësia e lejon, njëlloj sikur të mos keni dëgjuar asgjë, derisa ai ta thotë shqeto çfarë ka në zemër."