Virgjëra i ankohet bijës për një të devotshëm shtiracak dhe e krahason atë me një shqytar të keqarmatosur në fushën e betejës.
Libri 4 - Kapitulli 27

Nëna thotë: "Ai njeri thotë se më do, por ma kthen shpinën kur më shërben. Kur i flas, ai më thotë: 'Ç’po thua?' dhe i largon sytë prej meje për të parë gjëra që i pëlqejnë më shumë. Ai është i armatosur në mënyrë të çuditshme. Është si ushtar në një fushë beteje që e vë pjesën ballore të helmetës mbrapa kokës dhe e mban mburojën në shpatull në vend që ta mbajë në krah. Mëhillin e ka bosh sepse e ka flakur shpatën tej. Manteli që duhet t’i mbrojë gjoksin dhe trupin gjendet nën të në samar dhe samarin nuk e ka mbërthyer tek kali.

Kështu është i armatosur shpirtërisht ky njeri në sytë e Hyjit. Ai as nuk di të bëjë dallim mes miqve dhe armiqve dhe as si ta mposhtë armikun. Shpirti që lufton në të është si dikush që arësyeton kështu: 'Dua të qëndroj në prapavijë që ta kem afër pyllin e t’ia mbath nëse ushtarët e humbasin betejën. Por nëse fitojnë, do të dal vrap në vijën e parë të sulmit që të numërohem mes ushtarëve më të mirë.'
Prandaj ai që e braktisi betejën veproi sipas urtisë së mishit dhe jo nga dashuria për Hyjin."