Një bisedë e mrekullueshme mes Hyjit dhe nuses në formë pyetjesh dhe përgjigjesh në lidhje me një mbret dhe të drejtën e trashëgimisë në mbretëri dhe si disa territore duhet të reklamohen nga pasardhësit e disa të tjera jo.
Libri 4 - Kapitulli 3

O Zot," tha nusja, "mos u zemëro që po të pyes, por kam dëgjuar të lexohet me zë të lartë se asgjë nuk duhet të marrim me të padrejtë dhe se nuk duhet mbajmë asgjë të fituar padrejtësisht. Mbreti i tanishëm ka territor që disa thonë se i takon me të drejtë ndërsa të tjerë thonë të kundërtën. Prandaj sinqerisht habitem si Ti toleron tek ky njeri çka dënon tek të tjerët."

Hyji u përgjigj: "Pas përmbytjes nuk mbeti gjallë njeri përveç atyre që ishin në arkë. Prej tyre zuri fill një racë që shkoi në lindje dhe disa prej tyre shkuan në Suedi. Një klan tjetër shkoi në perëndim dhe prej tyre dolën ata që shkuan në Danimarkë. Të parët që filluan të punojnë tokën që nuk rrethohej nga ujrat, nuk gllabëruan territorin që u përkishte atyre që jetonin përtej ujrave apo në ishuj. Përkundrazi, ata ishin të gjithë të kënaqur me çka gjetën, siç shkruhet për Lotin dhe Abrahamin. Abrahami tha, 'Nëse ti shkon djathtas, unë do t’ia mbaj nga e majta’, si për të thënë 'Çfarë do të zgjedhësh, të përket ty dhe trashëgimtarëve të tu.' Me kalimin e kohës erdhën gjykatësit dhe mbretërit që ishin të kënaqur me kufijtë e tyre dhe nuk pushtuan territorin e atyre që jetonin në ishuj apo përtej ujrave. Përkundrazi, secili qëndroi brenda kufijve dhe caqeve të stërgjyshërve të vet."

Ajo u përgjigj: "Po kur një pjesë e mbretërisë dhurohet, a mund ta reklamojë atë një pasardhës i mbretit?" Hyji: "Në mbretëri pronat mbretërore që i përkisnin mbretit ruheshin për të. Populli, duke e konsideruar të paaftë veten të mbijetonte pa mbret, zgjidhte një të cilit i besoheshin pronat mbretërore për t’i ruajtur dhe për t’ia trashëguar mbretit të ardhshëm. Nëse mbreti i zgjedhur do të vendoste t’i transferonte ose reduktonte pronat e mbretërisë, patjetër që mbreti i ardhshëm mund dhe duhet t’i reklamojë ato pasi pronat e mbretërisë nuk duhen reduktuar. Mbreti nuk duhet as të reduktojë pronat mbretërore as ta japë kurorën, me përjashtim të rastit kur këtë e bën për ndonjë arësye të nevojshme. Ç’simbolizojnë pronat mbretërore përveç autoritetit të tij mbretëror? Ç’është mbretëria përveç banorëve të mbretërisë? Ç’është mbreti përveçse ndërmjetës dhe shpëtues i mbretërisë dhe i popullit? Prandaj shpëtuesi dhe mbrojtësi i kurorës nuk duhet në asnjë mënyrë t’i ndajë apo reduktojë pronat mbretërore në dëm të një mbreti të ardhshëm."

Nusja u përgjigj: "Po nëse mbreti detyrohet me dhunë ose nga nevoja që të transferojë një pjesë të pronave mbretërore?" Hyji tha: "Nëse dy vetë do të grindeshin dhe më i forti nuk do të bënte asnjë lëshim nëse tjetrit nuk i pritej një gisht, kujt do t’i përksite gishti i prerë përveç atij që pëson dëmin? I tillë është edhe rasti që ka të bëjë me mbretërinë. Nëse, për nevojë ose me dhunë, mbreti humbet një pjesë të mbretërisë, patjetër që mbreti i ardhshëm mund ta reklamaojë, pasi mbreti nuk është zotëria i mbretërisë por timonieri i saj dhe nevoja nuk është ligj."

Ajo u përgjigj: "Po nëse gjatë jetës së tij mbreti do t’ia jepte një pjesë të pronave të mbretërisë një zotërie dhe kur mbreti të vdiste ai zotëri dhe pasardhësit e tij t’i mbanin ato sikur të ishin pronarë, a duhet reklamuar ajo pjesë?" Zoti: "Ai territor duhet patjetër t’i kthehet pronarit të ligjshëm."

Ajo u përgjigj: "Po nëse nje pjesë e pronave mbretërore do t’i hipotekoheshin dikujt për ndonjë borxh dhe pastaj, pas vdekjes së tij dhe pasi ai të ketë marrë të ardhura prej tyre për shumë vjet, ajo bie në duart e një tjetri që nuk ka të drejtë mbi territorin pasi nuk i është dhënë e as i është hipotekuar atij por i ka mbetur rastësisht dhe nuk dëgjon ta kthejë pa u paguar, ç’duhet bërë?" Zoti tha: "Nëse dikush do të mbante një cope ar në dorë dhe do t’i thoshte një kalimtari: 'Po deshe, kjo është e jotja për kaq e aq para,’ atëherë ajo shumë parash i duhet dhënë patjetër. Nëse toka është blerë ligjërisht dhe mbahet në pronësi paqësisht, ajo duhet reklamuar me maturi dhe të kthehet pasi të llogariten dëmet. Kur zgjidhet një mbret, ai ulet mbi një fron të lartë që ta shohin të tjerët. Kjo do të thotë se ai ka pushtet dhe sundim mbi pjesët veriore të mbretërisë dhe se edhe pjesët jugore i përkasin mbretërisë me të drejtë trashëgimie apo shitblerjeje. Prandaj mbreti do ta mbrojë tokën e fituar që të mos e humbasë sundimin apo të robërohet nëse vepron ndryshe."

Ajo pyeti përsëri: "O Zot, mos u zemëro nëse pyes edhe diçka tjetër. Mbreti i tanishëm ka dy djem dhe dy mbretëri. Në njërën prej mbretërive mbreti zgjidhet me të drejtë trashëgimie, në tjetrën me votim popullor. Por ka ndodhur e kundërta tani pasi më i vogli ka marrë mbretërinë që trashëgohet ndërsa më i madhi ka mbretërinë ku votohet." Hyji u përgjigj: "Ka tre inkoherenca tek zgjedhësit dhe një të katërt që e kanë të spikatur: dashuri e çrregullt, mature shtiracake, lajka njerëzish të pamend dhe mungesë besimi tek Hyji dhe tek njerëzit e thjeshtë.

Prandaj votimi ka qenë i padrejtë, kundër Hyjit, kundër interesit të kombit dhe kundër së mires së përbashkët. Prandaj, për hir të paqes dhe të mirës së popullit duhet që djali i madh të marrë mbretërinë që trashëgohet dhe i vogli atë ku votohet. Përndryshe, mbretëria do të pësojë humbje, populli do të vuajë, do të lindin mosmarrëveshje, djemtë do ta kalojnë jetën në trishtim dhe mbretëritë e tyre nuk do të jenë më mbretëri.
E do të ndodhë siç është shkruar: 'Të fuqishmit do të rrëzohen nga froni dhe njerëzit e thjeshtë do të lartësohen.'

Dëgjo tani: do të të sjell shembullin e dy mbretërive. Në njërën bëhet votim, në tjetrën është në fuqi e drejta e trashëgimisë. Mbretëria e parë, ajo ku bëhen votime, është rrënuar dhe katandisur keq sepse nuk është zgjedhur trashëgimtari i ligjshëm. Kjo për faj të zgjedhësve dhe lakmisë së atij që e kërkoi mbretërinë. Hyji nuk e ndëshkon birin për fajin e të atit dhe zemërimi i Tij nuk zgjat përgjithmonë, por Ai ushtron drejtësi në tokë dhe qiell. Prandaj ajo mbretëri nuk do të kthehet në lavdinë dhe mirëqenien e dikurshme deri kur të mos hypë në fron trashëgimtari i ligjshëm."