Nëna i tregon bijës me anë të një krahasimi se predikuesit dhe miqtë e Hyjit, në sajë të synimit të tyre të drejtë, do të shpërblehen njëlloj nga Hyji, pavarësisht nëse njerëzit kthehen ose jo nga predikimi që ata bëjnë.
Libri 4 - Kapitulli 31

Nëna e Hyjit thotë: "Dikush merr me mëditje një punëtor dhe i thotë: 'Merr rërë nga bregdeti dhe kontrolloje se mos gjen ndonjë kokrrizë ari.' Punëtori do të shpërblehet njëlloj si atëherë kur nuk gjen asgjë, ashtu edhe kur zbulon një sasi të madhe ari.

I tillë është rasti i një personi që nga dashuria për Hyjin përpiqet me fjalë dhe vepra për të mirën e shpirtrave. Ai do të shpërblehet njëlloj si në rastin kur nuk kthen asnjë, ashtu edhe në rastin kur gjen shumë. Ndodh taman si në shembullin e mësuesit. Ai tha, 'Kush shkon në luftë me urdhër të të zotit, me dëshirën për të luftuar me guxim, por kthehet i plagosur, pa mundur ta kapë armikun, ai, në sajë të synimit të tij të mirë, do të ketë të njëtin shpërblim pavarësisht nëse beteja humbitet ose fitohet.'

E njëjta gjë ndodh me miqtë e Hyjit. Për çdo fjalë që thonë dhe vepër që kryejnë për hir të Hyjit dhe për të mirën e shpirtrave, e për çdo orë vuajtjesh që heqin, ata do të shpërblehen pavarësisht nëse nuk kthehet asnjë apo kthehen të gjithë."