Fjalët e famshme të nuses për qytetin e Romës. Kujtohet ngushëllimi, devotshmëria dhe mbarëvajtja e dikurshme e klerikëve dhe laikëve dhe pyetet pse gjithë kjo tani ka marrë fund dhe ka pllakosur rrënimi, rrëmuja dhe skandali. Mjerimi material dhe shpirtëror i Romës.
Libri 4 – Kapitulli 33

I Nderuar Zotëri, mes të tjerash papa duhet informuar për gjendjen e vajtueshme të këtij qyteti. Dikur ishte qytet i begatë materialisht dhe shpirtërisht, por tani është materialisht dhe shpirtërisht i mjerë. Është materialisht i mjerë pasi udhëheqësit e tij laikë që duhej ta mbronin, e plaçkisin. Prandaj godinat janë kthyer në gërmadha. Shumë kisha janë shkretuar krejtësisht, ato kisha ku ruhen reliket mrekullibërëse të shenjtërve, shpirtrat e të cilëve janë kurorëzuar në mbretërinë e Hyjit. Me tavanet e shembura dhe dyert e shkulura, tempujt e këtyre shenjtërve janë katandisur në strofulla për njerëz, qen dhe bisha. Qyteti është shpirtërisht i mjerë pasi shumë dekrete papnorë, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt për lavdi të Hyjit dhe për shpëtimin e shpirtrave, tani janë shfuqizuar. Në vend të tyre, mjerisht, janë miratuar shumë abuzime të frymëzuara nga shpirti i lig për ta çnderuar Hyjin dhe për të rrënuar shpirtrat.

Kisha e Shenjtë kishte dekretuar se klerikët që pranoheshin në urdhrat e shenjtë duhej të jetonin në mënyrë të paqortueshme, t’i shërbenin Hyjit me devotshmëri e të bëheshin shembull për të tjerët me veprat e tyre të mira. Ata mbaheshin me të ardhurat e kishës. Ndërsa tani abuzohet rëndë. Të mirat e kishës po u jepen laikëve të cilët nuk martohen për shkak të titullit kanonik, por mbajnë paturpësisht konkubina në shtëpi ditën dhe në shtrat natën dhe thonë pa iu dridhur qerpiku: "Nuk mund të martohemi sepse jemi kanonikë."

Dikur priftërinjtë, diakonët dhe nëndiakonët i trembeshin turpit të një jete të papastër. Ndërsa tani ka nga ata që gëzohen haptazi kur shohin mes grave të tjera femrat e tyre të përdala me bark tek goja. Madje as nuk u skuqet faqja kur miqtë u thonë: "Shpejt do të bëheni me fëmi, zotëri." Njerëz të tillë e meritojnë të quhen vegla të djallit, jo priftërinj të Hyjit.

Etërit e shenjtë si Benedikti dhe të tjerë i themeluan urdhrat fetarë me lejen e kreut të kishës. Ata ndërtuan manastire ku abatët jetonin bashkë me fretërit duke recituar me devotshmëri uficin natë e ditë dhe duke i mëkuar murgjërit me virtyte. Atëherë ishte kënaqësi t’i vizitoje manastiret, kënga e murgjërve i jepte nder dhe lavdi Hyjit ditë e natë, të shthururit bënin kthesë kur shihnin bukurinë e jetës së murgjërve, të mirët merrnin zemër nga mësimet e përshpirtshme të prelatëve dhe shpirtrat e purgatorit fitonin paqen e amshuar në sajë të lutjeve të tyre të devotshme. Nderohej më tepër ai murg që e respektonte më me kujdes rregullin dhe ai gëzonte respektin e Hyjit dhe të njerëzve. Ndërsa murgu që nuk kujdesej të respektonte rregulloren e dinte fare mirë se do t’i dilte nami dhe do të përfundonte në ferr. Murgjërit atëherë dalloheshin prej të tjerëve nga veshja.

Në vend të këtij organizimi të shkëlqyer tani mbizotërojnë abuzimet në shumë vende. Abatët më shpesh banojnë në kështjellat e tyre apo kudo që u pëlqen, në qytet ose jashtë tij. Tani të dhemb shpirti kur i viziton manastiret. Pak murgjër shkojnë në kor për recitimin e uficit hyjnor dhe ka raste kur nuk shkon askush. Ka pak lexime dhe ndonjëherë asnjë këngë, madje me ditë të tëra nuk thuhet meshë. Të mirët trishtohen nga nami i keq i murgjërve dhe të këqinjtë përkeqësohen nga kontaktet me ta. Të paktë janë shpirtrat që përfitojnë lehtësim të ndëshkimeve nga lutjet e tyre.

Shumë murgjër jetojnë në qytet. Disa prej tyre kanë shtëpitë e veta dhe kur miqtë vijnë për t’i parë, ata me gëzim marrin në krah fëmijët e tyre dhe thonë: "Biri im!" Murgu tani zor se njihet nga veshja. Tunika që dikur u arrinte deri në fund të këmbëve, tani mezi u mbulon gjunjët. Mëngët që dikur ishin të gjera hijshëm, tani u rrudhosen ngjitur ngjitur pas krahut. Anash u varet një shpatë në vend të penës dhe pllakave të shkrimit.
Zor se u sheh një veshje që t’i tregojë për murgjër, me përjashtim të skapularit që shpesh e fshehin sikur t’u vinte turp prej petkave murgjërore. Madje disa prej tyre nuk ngurojnë që nën tunikë të veshin parzmore e të mbajnë armë të tjera për të bërë ç’tu teket pasi dehen e bëhen tapë.

Ka patur shenjtër që hoqën dorë nga pasuri të mëdha dhe themeluan urdhra murgjërorë ku praktikohej varfëria, përbuzej çdo lloj lakmie e për pasojë nuk donin të kishin asgjë të vetën. Kishin tmerr nga çdo lloj krenarie dhe pompoziteti. Visheshin me petkat më të varfra, e përçmonin epshin dhe jetonin me pastërti. Ata dhe pasuesit e tyre u quajtën fretërit lypës dhe papët i konfirmuan urdhrat e tyre me gëzim kur panë se ata donin të jetonin në atë mënyrë për nder të Hyjit dhe për të mirën e shpirtrave. Të dhemb shpirti të shikosh tani se edhe në urdhrat e tyre abuzohet dhe gati nuk zbatohen fare rregulloret e hartuara nga Agustini, Domeniku dhe Françesku nën frymëzimin e Shpirtit Shenjt, rregullore që për një kohë të gjatë u zbatuan me përpikmëri nga shumë fisnikë të pasur!

Flitet se shumë që i mbajnë për të pasur kanë më pak sende me vlerë dhe para se ata që kanë bërë betimin e varfërisë. Shumë zotërojnë të mira që rregullorja e urdhrit ua ndalon dhe gjejnë gëzim më të madh në të mirat e tyre të mallkuara se në varfërinë e shenjtë dhe të lavdishme. Ata krenohen edhe për veshjet prej cope të shtrenjtë dhe të çmueshme si ato të ipeshkvinjve të pasur.

Gjithashtu i lumi Gregor dhe shenjtër të tjerë ndërtuan kuvende ku gratë mund të jetonin të veçuara e ishte zor t’i shihje edhe ditën. Por tani ka aq shumë abuzime ne kuvende saqë dyert mbahen hapur si për klerikët ashtu edhe për laikët, për këdo që motrave u pëlqen të presin, madje edhe kur erret. Prandaj vende të tilla tani u përngjajnë më tepër kuplarave se kuvendeve të shenjta të klauzurës.

Gjithashtu ka qenë rregull i kishës që askush nuk duhet të pranonte para për të dëgjuar rrëfime edhe pse, siç ishte e drejtë, lejohej që rrëfyesit të pranonin para nga ata që kërkonin dëshmi me shkrim. Ndërsa tani të pasurit mund të ofrojnë sa të duan pas rrëfimit, ndërsa të varfërit duhet të bien në ujdi me rrëfyesin qysh përpara rrëfimit. Edhe kur japin falje gojarisht, rrëfyesve nuk u vjen rëndë të marrin para me dorën e vet e t’i fusin në xhep.

Po normat kishtare çfarë parashikonin? Që të paktën një herë në vit çdo person duhet të rrëfente mëkatet dhe të merrte trupin e Krishtit. Kjo vlente për laikët, sepse klerikët dhe rregulltarët e bënin këtë më shpesh gjatë vitit. E dyta, ata që ishin të paaftë të vetëpërmbaheshin duhej të jetonin në martesë. Një rregull i tretë ishte se, me përjashtim të atyre që ishin seriozisht të sëmurë apo në vështirësi të mëdha, të gjithë të krishterët duhej të agjëronin gjatë Kreshmes, në ditë pendese dhe në vigjilje të festave të tjera, rregulla ende mjaft të qarta për gati këdo. Rregulli i katërt ishte se askush nuk duhej të bëntë punë materiale në ditë feste. E pesta ishte se asnjë i krishterë nuk duhet të jepte para me fajde.

Në vend të këtyre rregullave të arta, tani kryhen pesë abuzime të pamoralshme dhe seriozisht të dëmshme. E para është se për çdo person që shkon në rrëfim dhe merr trupin e Krishtit, pa llogaritur priftërinjtë, rregulltarët dhe disa gra, ka njëqind të tjerë që arrijnë moshën e pjekurisë dhe vdesin këtu në Romë pa bërë rrëfime dhe kungime më shpesh seç i bëjnë ata që janë idhujtarë të vërtetë. Abuzimi i dytë është se shumë meshkuj martohen ligjërisht por, kur kanë ndonjë mosmarrëveshje, e braktisin gruan pa lejen e kishës dhe zënë të dashur të cilën e duan dhe respektojnë. Disave madje as ua bën syri tërr ta mbajnë të dashurën në të njëjtën shtëpi më gruan, madje gëzohen kur ato lindin fëmijë në të njëjtën kohë.

Abuzimi i tretë është se shumë njerëz që gëzojnë shëndet të mirë hanë mish gjatë Kreshmes dhe pak prej tyre janë të kënaqur me një vakt në ditë. Ka edhe nga ata që nuk hanë mish dhe e zbatojnë dietën e caktuar për Kreshme gjatë ditës, por fshehurazi i sulen mishit natën në taverna.
Ka raste kur klerikët e bëjnë këtë bashkë me laikët. Sillen njëlloj si saraçenët që agjërojnë ditën dhe dënden me mish natën. Abuzimi i pestë është se ndërsa disa punëtorë nuk punojnë në ditë festash, ka të pasur që në ditë feste nuk ngurojnë t’i dërgojnë mëditësit e tyre për të punuar vreshtat, për të lëruar arat, për të prerë pemë në pyll dhe për të sjellë dru në shtëpi. Në këtë mënyrë të varfërit nuk pushojmë dot më tepër seç pushojnë në ditë pune. Abuzimi i pestë është se të krishterët japin fajde njëlloj si judenjtë, madje fajdexhinjtë e krishterë janë më grykës se ata judenj.

Kisha e kishte rregull t’i shkundte njerëz të tillë me anë të anatemave, ndërsa tani abuzohet edhe në këtë drejtim. Janë të shumtë ata që i tremben dënimit aq sa mund t’i tremben lavdatave. Edhe pse të çkishëruar publikisht, vazhdojnë të shkojnë në kishë e të kenë lidhjet e mëparshme. Të paktë janë ata priftërinj që i ndalojnë të çkishëruarit të hyjnë në kishë. Të paktë janë edhe ata që u shmangen marrëdhënieve dhe bisedave me të çkishëruarit kur i lidh me ta ndonjë lloj miqësie. Dhe as u mohohen ritet kishtare mortore të çkishëruarve kur ata janë pasanikë.

Prandaj, i Nderuar Zotëri, mos u çudit nëse e përshkruaj qytetin e Romës si fatkeq për shkak të këtyre abuzimeve dhe shumë të tjerave që bien ndesh me rregulloret e kishës. Duhet të kemi frikë se feja katolike mund të zhduket shpejt nëse nuk vjen ndonjë që me fe të vërtetë dhe jo shtiracake ta dojë Hyjin mbi gjithçka dhe të afërmin si vetveten dhe t’i shfuqizojë këto abuzime. Prandaj ki mëshirë për kishën dhe për ata klerikë që e duan Hyjin me gjithë zemër dhe kanë neveri nga këto abuzime. Ata kanë qenë si jetimë për shkak të mungesës së papës, por e kanë mbrojtur selinë e atit të tyre si bij dhe u janë kundërvënë me urti trathtarëve dhe u kanë bërë ballë me guxim vështirësive të shumta.