Nusja ka një vegim të ndëshkimeve që e presin një shpirt ende gjallë fizikisht. Këto ndëshkime, nëse shpirti kthehet përpara se të vdesë, shndërrohen në nderin dhe lavdinë më të madhe për të.
Libri 4 – Kapitulli 34

M’u duk sikur pashë ca njerëz që bënin gati litarë dhe përgatisnin kuaj dhe disa të tjerë që merreshin me farkëtimin e kunjave metalike ose me ndërtimin e një trekëmbëshi. Ndërkaq u shfaq një vajzë që duhej e shqetësuar. Ajo më pyeti nëse e kuptoja çfarë po shihja. Kur i thashë se nuk e kuptoja, ajo ma ktheu: "Ky është ndëshkimi shpirtëror që po përgatitet për atë që njeh ti. Litarët janë për të lidhur kuajt që do të tërheqin shpirtin e tij. Kunjat janë për t’i çjerrë hundën, sytë, veshët dhe buzët. Trekëmbëshi për ta varur."

Meqenëse kjo gjë më shqetësoi, vajza më tha: "Mos u shqetëso. Ende ka kohë. Po të dojë, ai mund t’i këpusë litarët, t’i vrasë kuajt, t’i shkrijë kunjat si dyll dhe t’i shpëtojë trekëmbëshit. Gjithashtu ai mund të ndizet me dashuri aq të zjarrtë për Hyjin sa këto simbole ndëshkimi mund të bëhen për të shenjat më të larta të nderit, litarët që do të shërbenin për ta lidhur me turp do të shndërrohen në breza të artë për të. Në vend të kuajve që duhej ta tërhiqnin përgjatë fushave, do të dërgohen engjëj për ta shoqëruar tek Hyji. Në vend të kunjat me të cilat do të gjymtohej tmerrësisht, flegrat e hundës do t’ia përshkojë një aromë e këndshme dhe në gojë do të provojë një shije të mrekullueshme, sytë do t’i kënaqen me pamjet më të bukura, veshët me meloditë më të ëmbla."

SQARIM
Personi në fjalë ishte marshall i mbretit. Ai erdhi në Romë me aq përvujtëri dhe pendesë sa shpesh i përshkonte stacionet kokëzbuluar e i lutej Hyjit dhe u kërkonte edhe të tjerëve që të luteshin për të që ai mos kthehej në atdhe nëse rrezikonte të mëkatonte si dikur. Hyji e dëgjoi uratën e tij. Kur iku nga Roma dhe shkoi në Montefiaskone, ai u sëmur dhe vdiq atje.

Edhe një zbulesë tjetër ka të bëjë me të: "Bijë, ja ç’bën mëshira e Hyjit, çfarë arrin një synim i mirë. Ky shpirt ishte mes nofullave të luanit, por synimi i mirë e shpëtoi prej dhëmbëve të luanit dhe tani është në rrugën drejt atdheut dhe do të përfitojë nga të gjitha të mirat e kishës së Hyjit."