Jezu Krishti i thotë nuses të mos u zërë besë as ëndrrave të bukura as atyre të këqija dhe i tregon për djallin që përzien gënjeshtra me të vërteta në ëndrra e ato bëhen burim gabimesh në botë; profetët nuk gabuan ngaqë e deshëm Hyjin mbi gjithçka.
Libri 4 - Kapitulli 38

Biri thotë: "Pse të ekzaltojnë kaq shumë ëndrrat e bukura? Dhe pse të deprimojnë kështu ëndrrat e këqija? A nuk të kam thënë se djalli është ziliqar dhe pa lejen e Hyjit nuk mund të të bëjë më tepër se ç’të bën një fije bari nën këmbë? Të kam thënë edhe se ai është ati dhe shpikësi i gënjeshtrave dhe se përzien ca të vërteta me gënjeshtrat e tij. Të them edhe që djalli kurrë nuk fle por të vjen rrotull për të gjetur rastin që të të fusë në kurth.

Prandaj duhet të jesh e kujdesshme që djalli të të mos mashtrojë duke shfrytëzuar dijet e tij dinake për të zbuluar gjendjen tënde shpirtërore nga shenjat e jashtme. Ndonjëhere ai të sjell në humor të mirë që të ndjesh gëzim e të biesh; herë të tjera të deprimon në mënyrë që prej trishtimit t’i lësh pas dore veprat e mira që mund të bësh dhe të trishtohesh dhe të ndihesh fatkeqe para se diçka e trishtë të ndodhë.

Gjithashtu djalli ndonjëherë vendos shumë gënjeshtra në zemrën e atij që dëshiron ndere tokësore dhe kështu mashtron shumë vetë. Kjo u ndodh atyre që i duan gjërat e veta më shumë se Hyjin. Prandaj ndodh që gjenden të vërteta në mes një morie fjalësh mashtruese, pasi djalli nuk do të mashtronte dot kurrë asnjë nëse nuk do të përziente ca të vërteta me gënjeshtrat, siç del qartë nga rasti i atij personi që ti pe vetë. Edhe pse dëshmonte se ka një Hyj, gjestet e tij të pacipa dhe fjalët e çuditshme treguan se djalli e kish pushtuar dhe banonte në të.

Por ti mund të pyesësh: Përse e lejoj djallin të gënjejë? Unë përgjigjem: E kam lejuar dhe e lejoj këtë për shkak të mëkatit të popullit dhe të priftërinjve që kanë dashur të dinë gjëra që Hyji nuk donte që ata të dinin, që dëshironin sukses në fusha që Hyji gjykonte se nuk i bënin mirë shpëtimit të tyre. Për shkak të mëkateve Hyji lejon shumë gjëra të ndodhin e që nuk do të ndodhnin sikur njerëzimi të mos kish abuzuar me hirin dhe arësyen. Ata profetë që nuk dëshironin tjetër gjë përveç Hyjit dhe nuk donin t’i thonin fjalët e Hyjit përveçse për hir të Hyjit, ata nuk ranë pre e mashtrimit por i shpallën dhe i deshën fjalët e së vërtetës.

Megjithatë, ashtu sikurse nuk i duhet besuar çdo ëndrre, po ashtu nuk duhen shpërfillur të gjitha ëndrrat, pasi Hyji ndonjëherë rrëfen gjëra të mira në ëndrra, përfshirë orën e vdekjes së të këqinjve në mënyrë që ata të pendohen për mëkatet e tyre.

Ka raste edhe kur Ai u rrëfen gjëra të mira njerëzve të mirë në mënyrë që ata të përparojnë më shumë drejt Hyjit. Prandaj sa herë që të ndodhin gjëra të tilla, mos i ndryej në zemër por diskutoji ato me miq të përshpirtshëm, përndryshe fshiji nga kujtesa njëlloj sikur të mos i kishe parë, pasi ata që jepen pas gjërave të tilla shpesh budallallepsen dhe kanë shqetësime. Beso palëkundur në Trininë e Shenjtë, duaje Hyjin me gjithë zemër, tregoju e bindur si në dështime ashtu edhe në suksese, mos e kujto veten më të mirë se të tjerët por dridhu madje edhe kur bën mirë, mos i beso vetes më tepër seç u beson të tjerëve por besoja gjithë vullnetin tënd Hyjit, e gatshme për të bërë gjithçka që Hyji dëshiron. Pastaj nuk do të kesh më frikë nga ëndrrat. Nëse janë ëndrra të bukura, mos u zër besë e as mos i dëshiro kur ato nuk janë për lavdinë e Hyjit; nëse janë të këqija, mos u trishto por vëre veten tërësisht në duart e Hyjit."

Pastaj Nëna thotë: "Unë jam Nëna e Mëshirës. I bëj gati veshjet sime bije ndërsa ajo fle; përgatis ushqimin për bijën time ndërsa ajo vishet; përgatis kurorën dhe çdo të mirë për time bijë ndërsa ajo punon."