Nëna i flet Birin për nusen dhe përgjigja që Krishti i jep asaj. Pastaj Nëna shpjegon çfarë simbolizojnë luani dhe qengji dhe si Hyji, për shkak të mosmirënjohjes dhe padurimit të njerëzve, lejon që atyre t’u ndodhin gjëra që nuk në rast të kundërt nuk t’u ndodhnin.
Libri 4 - Kapitulli 39

Nëna i drejtohet birit të saj Jezus: "Bija jonë është si qengj që e fut kokën në gojë të luanit." Biri iu përgjigj: "Është më mirë që qengji ta fusë kokën në gojë të luanit dhe të bëhet një mish dhe gjak me të, sesa t’i thithë gjak luanit e atë ta zemërojë e vetë të sëmuret sepse ushqim për qengjin është bari, jo gjaku. Megjithatë, e shtrenjta nëna Ime, meqenëse ti ke mbajtur gjithë urtinë dhe plotësinë e inteligjencës në krahëror, shpjegoja asaj kuptimin e luanit dhe të qengjit."

Nëna përgjigjet: "I bekuar je Ti, Biri im, që duke mbetur përjetësisht me Atin, zbrite tek unë pa u ndarë kurrë nga Ati. Ti je luani i fisit të Judës. Ti je qengji i panjollë që Gjoni tregoi me gisht. Njeriu e fut kokën në gojë të luanit atëherë kur nuk ka ndërmend të bëjë vullnetin e vet edhe po të ketë mundësi ta bëjë atë, me përjashtim të rastit kur e di se një gjë e tillë të pëlqen.

Njeriu e thith gjakun e luanit kur tregohet i paduruar me planin Tënd të drejtësisë dhe dëshiron e përpiqet të fitojë gjëra të tjera nga ato që Ti ke vendosur për të, ose kur dëshiron gjendje jetese ndryshe nga ajo që Ty të pëlqen dhe që i bën mirë atij. Hyjit nuk i pëlqejnë dëshira të tilla, por përkundrazi zemërohet. Ashtu sikurse qengji ushqehet me bar, po ashtu njeriu duhet të jetë i kënaqur me kushte të thjeshta jetese dhe pozitë të ulët. Për shkak të mosmirënjohjes dhe padurimit të njeriut, Hyji lejon shumë gjëra të ndodhin për shpëtimin e njerëzimit e që nuk do të ndodhnin nëse njerëzit do të ishin më të durueshëm.
Prandaj, bija ime, besoja vullnetin tënd Hyjit. Nëse ndonjehëre e humbet durimin, nis nga e para duke bërë pendesë, pasi pendesa bën atë që bën rrobalarësja e mirë me njollat, ndërsa veprat pendestare kanë efektin e një shtrydhëseje të mirë rrobash."