Krishti i shpjegon nuses kuptimin e vdekjes së krishterë dhe në ç’mënyrë njeriu vdes mirë ose keq dhe si miqtë e Hyjit nuk duhet të shqetësohen nëse shohin se shërbëtorët e Hyjit pësojnë një vdekje të vështirë trupore.
Libri 4 - Kapitulli 40

Biri thotë: "Mos ki frikë, bijë: E sëmura nuk do të vdesë, sepse veprat e saj më pëlqejnë." Kur gruaja vdiq, Biri tha përsëri: "A e sheh, bijë? Çfarë të thashë ishte e vërtetë: Ajo nuk ka vdekur, pasi lavdia e saj është e madhe. Ndarja e trupit nga shpirti është për të drejtin si ëndërr, pasi ata zgjohen në jetën e pasosur. Ajo çka duhet quajtur vdekje është kur shpirti jeton i ndarë nga trupi në vdekje të pasosur.

Ka shumë që nuk kujdesen për jetën e ardhshmë por dëshirojnë të kenë vdekje prej të krishteri. Tani, ç’është vdekja e krishterë përveçse të vdesësh siç vdiqa Unë: pafajësisht, me dëshirë dhe me durim? Mos jam vallë për t’u përbuzur sepse vdekja ime ishte e turpshme dhe e vështirë? Apo mos vallë të zgjedhurit e Mi janë të marrë ngaqë iu desh të heqin vuajtje të turpshme? Mos vallë këtu ka të bëjë kismeti apo lëvizja e yjeve? Natyrisht që jo. Unë dhe të zgjedhurit e Mi vërtet vuajtëm shumë, por për të treguar me fjalë dhe vepra se rruga për në qiell është e vështirë dhe që njerëzit ta kuptonin qartë nevojën e pastrimit për të këqinjtë kur të shihnin se të zgjedhurit e pafajshëm vuajtën kaq shumë.

Ta dish pra se njeriu vdes keq atëherë kur ai vdes ndërsa po bën jetë të shthurur dhe me synimin për të mëkatuar, kur ai ka sukses në jetë dhe dëshiron të jetojë gjatë por nuk kujtohet ta falenderojë Hyjin. Njeriu jeton dhe vdes i lumtur kur e do Hyjin me gjithë zemër, edhe pse mund të ketë vdekje të turpshme ose të vuajë nga sëmundje kronike, pasi vdekja e mundimshme ia pakëson mëkatet dhe ndëshkimin e merituar dhe ia rrit shpërblimin.

Ja, po të kujtoj dy vetë, që të dy patën vdekje të turpshme dhe të tmerrshme sipas mendimit të njerëzve. Por nëse mëshira Ime e madhe nuk do t’u kishte taksur një vdekje të tillë, ata nuk do të kishin shpëtuar. Meqenëse Hyji nuk i ndëshkon dy herë të penduarit me zemër, që të dy e fituan kurorën.

Prandaj miqtë e Hyjit nuk duhet të trishtohen nëse heqin vuajtje të mëdha apo vdesin me vdekje të mundimshme. Është bekim të qash për një kohë dhe të kesh andralla në këtë botë, sepse kështu shmanget purgatori më i rëndë nga ku nuk ke nga t’ia mbash dot dhe ku nuk ka më kohë për vepra."