Krishti e krahason trupin me anijen dhe botën me detin. Vullneti i lirë mund t’i çojë shpirtrat në qiell ose ferr. Bukuritë tokësore krahasohen me një kupë.
Libri 4 - Kapitulli 44

Biri thotë: "Dëgjo ti që dëshiron të arrish në port pas stuhisë së kësaj bote. Kush është në det nuk duhet t’i trembet asgjëje kur me të është ndonjë që mund t’i ndalojë erërat të fryjnë, që ka pushtet të shërojë çdo sëmundje trupore, të thërrmojë shkëmbinjtë dhe t’u japë urdhër stuhive ta çojnë anijen në port të sigurt. Kështu ndodh në botën fizike.

Ka nga ata që e drejtojnë trupin si anije mes ujrave të botës e kështu disa përfundojnë në ngushëllim, të tjerë në vuajtje pasi vullneti i lirë disa shpirtra i çon në qiell, të tjerë në humnerat e ferrit. Vullneti i njeriut i pëlqen Hyjit atëherë kur ai nuk dëshiron të dëgjojë asgjë me aq passion sa dëgjon lëvdatat për Hyjin e as të jetojë për tjetër gjë përveçse për t’i shërbyer Hyjit, pasi Hyji banon me gëzim në ta dhe i çliron nga çdo rrezik e i thërrmon të gjithë shkëmbinjtë që përbëjnë rrezik për shpirtin.

Ç’përfaqësojnë këta shkëmbinj në mos dëshirat e këqija? Njeriu gëzohet kur sheh dhe ka të mira tokësore, kur kundron bukuri fizike dhe shijon gjithçka i pëlqen trupit. Gjëra të tilla e vënë shpesh në rrezik shpirtin. Por kur në anije është Hyji, të gjitha këto gjëra zbehen dhe shpirti i përbuz ato pasi gjithë bukuritë trupore dhe tokësore janë si kupa argjile të pikturuara nga jashtë. Kur kupa thyhet, ajo nuk vlen më shumë se argjila e krijuar që të përdoret për të fituar qiellin. Të gjithë ata që nuk duan t’ia dinë për lëvdatat në adresë të tyre ose të botës, ata që i vënë fre trupit dhe nuk i honepsin epshet, të gjithë këta mund të pushojnë këtu në paqe dhe të zgjohen me gëzim sepse Hyji është me ta në çdo kohë."