Nusja paralajmëron një fisnik që t’i kthejë pronat padrejtësisht të marra dhe për zërin e një engjëlli që shpall një gjykim të rreptë ndaj tij.
Libri 4 – Kapitulli 46

Zotëri, po ju paralajmëroj për rrezikun që i kanoset shpirtit tuaj dhe po ju kujtoj se në Besëlidhjen e Vjetër shkruhet për një mbret që dëshironte vreshtin e një tjetri dhe i kërkoi atij që t’ia shiste. Por meqenëse pronari nuk donte ta shiste, mbreti u zemërua dhe padrejtësisht e përvetësoi me dhunë. Shpirti Shenjt i foli atij më pas nëpërmjet gojës së një profeti, duke i dënuar mbretin dhe mbretëreshën me vdekje të mjerë për shkak të padrejtësisë së tyre. Profecia u përmbush në ta dhe fëmijët e tyre nuk patën as edhe dobinë më të vogël nga pronësia e asaj vreshte.

Tani pra, meqenëse ju jeni i krishterë dhe keni fenë e plotë dhe e dini mirë se Hyji është po Ai tani në fuqi dhe drejtësi siç ishte atëherë, duhet ta keni të qartë se nëse padrejtësisht shtini në dorë diçka, qoftë duke e detyruar pronarin ta shesë atë me pahir ose duke e blerë më pak seç kushton, po Ai gjykatës i fuqishëm dhe i drejtë do të hakmerret ndaj jush. Duhet të keni frikë se mos meritoni të njëjtin gjykim që meritoi mbretëresha. Bijtë tuaj nuk do të pasurohen me të mirat që ju padrejtësisht i keni fituar, përkundrazi do të vuajnë nga varfëria.

Për mundimet e Jezu Krishtit që e shëlboi shpirtin tuaj me gjakun e Tij të çmuar, ju nxis dhe ju bëj thirrje të mos e rrënoni shpirtin për hatër të të mirave kalimtare, por t’ua ktheni tërësisht gjërat e veta atyre që pësuan humbje nga ju ose për shkakun tuaj. Ktheni gjithçka keni marrë padrejtësisht që të lehtësoni ata që tani janë të trishtuar dhe për t’u bërë shembull për të tjerët, nëse doni të fitoni miqësinë e Hyjit.

Hyji është dëshmitar se nuk po ju shkruaj nga koka ime, pasi unë nuk ju njoh, por sepse diçka i ndodhi dikujt që më shtyu t’ju shkruaj nga dhembshuria për shpirtin tuaj. Ai person, jo në gjumë por zgjuar në lutje, dëgjoi zërin e një engjëlli që thoshte: "Bjorn, Bjorn, kokëfortë je ndaj Hyjit dhe ndaj drejtësisë! Kokëfortësia jote e ka vënë përfund ndërgjegjen brenda teje dhe ajo nuk bëzan fare, ndërsa vullneti yt flet dhe vepron. Prandaj shpejt do të vish në gjykim në gjykatën hyjnore. Atëherë nuk do të bëzash dhe ndërgjegja jote do të flasë dhe do të të dënojë sipas drejtësisë."