Biri i tregon nuses si njeriu duhet të ruhet nga tundimet e të ligut dhe e përshkruan djallin si armik të shtetit, Hyjin si klloçkë, fuqinë dhe urtinë e Tij si flatra, mëshirën e Tij si pupla dhe njerëzit si zogj.
Libri 4 – Kapitulli 47

Biri thotë: "Nëse armiku i turret portave të qytetit, ju nuk duhet të bëni si dhitë që rendin drejt murit apo si cjepër që ngrihen mbi dy këmbët e pasme dhe godasin njëri-tjetrin me brirë. Por duhet të jeni si zogj të vegjël që kur shohin një shpend grabitqar në qiell që synon t’u bëjë keq, nxitojnë të futen nën krahët e nënës së tyre dhe fshihen aty. Janë të kënaqur qoftë edhe sikur të kapin një pupël të vetme dhe të mbulohen me të.

Cili është armiku juaj në mos djalli që e ka halë në sy çdo vepër të mirë dhe e trazon mendjen e njeriut me tundime?
Ndonjëherë ai e tundon të zemërohet e të mos e kontrollojë gjuhën, ndonjëherë e tundon të tregohet i padurueshëm dhe të kritikojë Hyjin kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç i pëlqejnë. Shpeshherë ai e sulmon dhe trazon me mendime të shumta që ta pengojë t’i shërbejë Hyjit dhe të hedhë hije mbi veprat e mira të njeriut në sytë e Hyjit.

Prandaj, çfarëdo tundimesh të kesh, nuk duhet ta lëshosh veten e as t’ia mbathësh si dhi drejt murit, domethënë të bëhesh zemërgur apo të kritikosh me vete veprimet e të tjerëve, pasi kush është i keq sot, nesër ndodh që bën kthesë e bëhet i mirë. Përkundrazi, duhet t’i ulësh brirët, të heshtësh dhe të dëgjosh, domethënë ta përvujtërosh veten dhe me frikë e durim t’i lutesh Hyjit që çka ka filluar keq të përfundojë mirë. E as duhet të bësh si cjepërit që tregojnë brirët, domethënë mos iu përgjigj fyrjeve me fyerje dhe talljeve me tallje.

Mbaje veten fort dhe hesht, domethënë vëri fre pasioneve, fjalët dhe përgjigjet e tua të jenë të matura, pasi i drejti vetëpërmbahet e madje, për të shmangur fjalët dhe fyerjet, nuk bën as vërejtje të ligjshme. Kur njeriu e humbet kontrollin dhe zbraz gjithçka ndjen brenda, i duket sikur lehtësohet, por në fakt nuk bën tjetër veçse tregon çekuilibrin mendor. Mungesa e durimit do ta bëjë ta humbasë shpërblimin. Po të tregohej i duruar, do ta bënte vëllain për vete edhe do të meritonte shpërblim më të madh.

Pra ç’simbolizojnë flatrat e klloçkës në mos fuqinë dhe urtinë hyjnore? Ti e sheh, Unë jam si klloçkë që fuqimisht i mbron nga grackat e djallit zogjtë që rendin tek Unë kur thërras, domethënë ata që dëshirojnë strehën e flatrave të Mia dhe që i thërras në shpëtim me anë të frymëzimeve të urta. Ç’simbolizon pupla përveç mëshirës Sime? Ai që fiton mëshirën Time mund të ndjehet i sigurtë si zog i strehuar nën krahët e së ëmës. Prandaj ji si zogjtë që rendin drejt vullnetit Tim. Në të gjitha tundimet dhe vështirësitë thuaje me gojë plot dhe me vepra: U bëftë vullneti i Hyjit! Sepse Unë, me forcën Time, i mbroj ata që besojnë në Mua; me mëshirën Time i ripërtërij; me durimin Tim i mbaj; me ngushëllimin Tim i vizitoj; me urtinë Time i ndriçoj; me dashurinë Time i shpërblej njëqindfish."