Vegimi simbolik që nusja ka në lidhje me kishën, me moderimin dhe qëndrimin e papës ndaj vetvetes, kardinalëve dhe prelatëve të tjerë të Kishës së Shenjtë, veçanërisht përsa i përket përvujtërisë.
Libri 4 - Kapitulli 49

Dikujt iu duk sikur ishte në një presbiter të gjërë dhe aty u shfaq një diell i madh dhe i shndritshëm. Në presbiter ishin dy si foltore, një në të djathtë dhe tjetra në të majtë, në distancë të madhe nga dielli. Dy rreze dielli ranë mbi foltoret.

Pastaj u dëgjua një zë nga foltorja në të majtë që tha: "Të falem, mbret i përjetshëm, krijues dhe shëlbues, gjykatës i drejtë! Shiko, mëkëmbësi yt, i ulur në fronin tënd në botë, e ka kthyer tani selinë në vendin e dikurshëm, aty ku ishte papa i parë, Pjetri, princi i apostujve." Një zë nga foltorja në të djathtë tha: "Si mund të hyjë ai në Kishën e Shenjtë kur foletë e menteshave të derës janë gjithë ndryshk dhe papastërti? Prandaj dyert gati po bien pasi nuk ka vend në fole ku të futen kunjat që i mbajnë. Kunjat janë shtrembëruar e përkulur jashtë e dera mezi mbahet në këmbë. Dyshemeja është shkatërruar e tëra dhe është mbushur me gropa të thella pus. Tavani është ndotur me zift dhe digjet me flakë squfuri e pikon si shi i dendur. Shtëllungat e dendura e të zeza të tymit që ngrihet nga gropat dhe tavani që pikon i kanë ndotur muret që tani duken sikur t’ishin lyer me gjak të qelbëzuar. Prandaj nuk është e hijshme që miku i Hyjit të banojë në një tempull të tillë."

Zëri nga e majta tha: "Shpjegoje shpirtërisht çka përshkrove fizikisht." Zëri tjetër tha: "Papa simbolizohet nga dyert; foletë e menteshave simbolizojnë përvujtërinë. Kjo nuk duhet të ketë krenari, nuk duhet të ekzistojë asgjë që s’i shkon për shtat ofiqit të përvuajtur të papës, ashtu si në folenë e menteshave nuk duhet të ketë ndryshk fare. Por foletë, domethënë simboli i përvujtërisë, janë tani plot me eksese, pasuri dhe të mira – që mbahen veç për krenari – e asgjë nuk duket e përvuajtur, përvujtërinë e ka zëvendësuar pompoziteti mondan. Prandaj nuk është për t’u çuditur që papa, që simbolizohet nga dyert, priret drejt botës që simbolizohet nga ndryshku dhe papastërtitë. Prandaj, papa së pari le të tregojë përvujtëri të vërtetë: para së gjithash në zbukurime- veshje, ar, argjend dhe enë të argjendta, kuaj dhe orendi të tjera – të heqë dorë nga gjithçka e panevojshme e t’ua dhurojë ato të varfërve, sidomos atyre që ai e di se janë miq të Hyjit.

Pastaj le ta organizojë me maturi stafin e vet dhe të mbajë vetëm shërbëtorët që i nevojiten. Edhe pse i takon Hyjit të gjykojë, prapë duhet që ai të ketë shërbëtorë që vendosin drejtësi e i tregojnë vendin atyre që ngrenë krye kundër Hyjit dhe kundër zakoneve të shenjta të Kishës.

Kunjat e menteshave që janë shtrembëruar e dalin jashtë foleve simbolizojnë kardinalët që priren drejt krenarisë, lakmisë dhe kënaqësive fizike. Prandaj papa duhet të marrë një çekiç dhe pincë e t’i drejtojë menteshat duke mos u lejuar atyre të kenë veshje, shërbëtorë dhe mjete më tepër seç u nevojiten. Le t’i drejtojë me pincë, domethënë me fjalë të buta, këshillim hyjnor dhe dashuri atërore. Pastaj, nëse ata refuzojnë të binden, ai duhet të marrë çekiçin dhe të tregohet i ashpër me ta, duke bërë me ta gjithçka është në kompetencat e tij dhe që nuk bie ndesh me drejtësinë, derisa ata t’i përkulen vullnetit të tij.

Dyshemeja simbolizon ipeshkvinjtë dhe klerikët shekullarë lakmia e të cilëve nuk ka fund. Nga krenaria dhe jetesa e tyre luksoze dalin shtëllunga tymi që i bën engjëjt në qiell dhe miqtë e Hyjit në tokë t’ia mbathin larg prej tyre.

Papa mund ta përmirësojë dukshëm gjendjen duke u lejuar atyre të mbajnë vetëm çka u nevojitet dhe asgjë të tepërt dhe duke i urdhëruar ipeshkvinjtë që ta kontrollojnë sjelljen e klerikëve të tyre. Kush nuk dëgjon të bëjë kthesë dhe të vetëpërmbahet, le të zhvishet nga të drejtat e tij, sepse Hyji preferon më mirë të mos thuhet meshë në një vend të caktuar sesa të lejojë që një dorë e përdalë ta prekë trupin e Tij."