Vegim mbresëlënës dhe i tmerrshëm për një shpirt para gjykatësit. Argumentat e Hyjit, gjykimet e librit kundër shpirtit dhe dëshmia e shpirtit kundër vetvetes. Ndëshkime të ndryshme që iu caktuan atij në purgator.
Libri 4 - Kapitulli 51

M’u duk sikur pashë një shpirt tek një ushtar dhe etiopasi që pata parë më parë po e shoqëronin për tek gjykatësi. M’u tha: "Çfarë po sheh tani i ka ndodhur këtij shpirti kur u nda nga trupi." Pasi shpirti u shoqërua në prani të gjykatësit, ai qëndroi atje i vetëm, pa shoqëruesit e tij. Qëndroi atje lakuriq dhe i trishtuar, pa ditur se ku do të shkonte. M’u duk pastaj se çdo fjalë në libër i përgjigjej gjithçkaje që shpirti thoshte.

Në prani të gjykatësit dhe të gjithë ushtrisë qiellore, ushtari i armatosur tha: "Nuk është e drejtë që t’i llogariten këtij shpirti mëkatet e rrëfyera." Kur pashë këtë e kuptova fare mirë se ushtari që tashmë po fliste dinte gjithçka në Hyjin, por fliste që unë të mund të kuptoja. Pastaj nga libri i drejtësisë erdhi një përgjigje: "Edhe pse ky shpirt bëri vepra pendestare, ato nuk u shoqëruan me pendesë të vërtetë. Prandaj duhet të vuajë për mëkatet që nuk i ka shlyer sa ishte në gjendje ta bënte këtë."

Pasi u tha kjo, shpirti filloi të qante aq fort sa nuk përmbahej, por prapë, edhe pse mund të shiheshin lotët e tij, as edhe një tingull nuk dëgjohej. Pastaj mbreti i tha shpirtit: "Ndërgjegja jote tani le të deklarojë mëkatet që nuk i ke shlyer me vepra pendestare të mjaftueshme." Pastaj shpirti e ngriti zërin aq shumë sa dukej sikur bota mbarë po buçiste. Ai tha: "Mjerë unë që nuk veprova sipas urdhëresave të Hyjit që i pata dëgjuar dhe i njihja!" Pastaj shtoi duke akuzuar veten: "Nuk iu tremba gjykimit të Hyjit." Libri iu përgjigj: "Prandaj tani duhet t’i trembesh djallit." Menjëherë shpirti filloi të dridhej nga frika: "Gati nuk kisha fare dashuri për Hyjin: Prandaj kam bërë kaq pak mirë." Një përgjigje e menjëhershme iu dha nga libri: 'Prandaj e meriton të rrish më afër djallit se Hyjit, sepse djalli të joshi me tundimet e tij."

Shpirti u përgjigj: "Tani e kuptoj se gjithçka që bëra ishte shtysë e djallit." Përgjigja erdhi nga libri: "Drejtësia e lyp që djalli të t’i paguajë veprat me dhimbje dhe ndëshkim." Shpirti tha: "Nga koka tek këmbët vishesha veç për t’u dukur. Disa lloj sjelljesh për të rënë në sy i shpika vetë unë, të tjerat i ndiqja sipas zakoneve të vendit tim. I laja duart dhe fytyrën jo vetëm për pastërti por edhe që të dukesha bukur para njerëzve." Nga libri erdhi përgjigja: "Drejtësia e lyp që djalli të të paguaj për to pasi ti u veshe dhe zbukurove si të frymëzonte dhe të thoshte ai."

Shpirti tha prapë: "Goja ime shpesh përzihej në biseda vulgare sepse doja t’u bëja qejfin të tjerëve dhe zemra ime gjente kënaqësi në to, nuk doja të turpërohesha dhe të humbja pikë në sytë e botës." Nga libri erdhi përgjigja: "Prandaj e meriton të të tërhiqet gjuha dhe të të përkulen dhëmbët. Dhe do të kesh para syve gjithë gjërat që urren më tepër, ndërsa ato që të pëlqejnë do të të merren." Shpirti tha: "Mua më bëhej qejfi pa masë kur të tjerët imitonin shembullin tim dhe hapnin sytë për të parë se ç’bëja e i kopjonin sjellet e mia." Nga libri erdhi përgjigja: "Prandaj është e drejtë që gjithkush bën mëkatin për të cilin do të ndëshkohesh tani, duhet të vuajë të njëjtin ndëshkim si i yti dhe të sillet tek ty. Dhimbja jote do të shtohet sa herë që vjen dikush që ka kopjuar sjelljet e tua."

Pas këtyre fjalëve, m’u duk sikur ia lidhën dhe shtrënguan kokën fort me zinxhir e koka iu bë petë. Sytë i dolën kallup dhe iu varën nëpër faqe. Flokët dukej sikur t’i ishin përcëlluar nga flakët dhe trutë e copëtuara i rridhnin nga hundët dhe veshët.

Gjuha iu var jashtë dhe dhëmbët i kërcisnin. Krahët iu përdrodhën si litarë dhe kockat iu thërrmuan. Duart e rrjepura i ishin ngjitur në fyt. Gjoksi dhe barku i ishin ngjitur aq fort me shpinën saqë brinjët iu thyen e i dolën jashtë zemra me gjithë të brendshmet; kofshët i tundeshin tek ijet dhe kockat dilnin prej tyre si pe nga vrima e gjilpërës.

Pas kësaj skene, Etiopasi u përgjigj: "O Gjykatës, mëkatet e shpirtit tani e morën dënimin që meritojnë. Tani na bashko bashkë, këtë shpirt dhe mua, që të mos ndahemi kurrë!" Por ushtari i armatosur u përgjigj: "Dëgjo, Gjykatës, ti di gjithçka! Të takon të dëgjosh mendimin dhe ndjenjën e fundit që ky shpirt pati në fund të jetës. Taman në çastin e mbramë atij i regëtiu ky mendim: 'O, sikur Hyji të më jepte kohë, me kënaqësi do të bëja pendesë për mëkatet e mia dhe do t’i shërbeja gjithë jetën e nuk do ta fyeja më.' O Gjykatës, të tilla ishin mendimet dhe dëshirat e tij të fundit. Kujto, gjithashtu, o Hyj, se ky njeri nuk jetoi aq gjatë sa të bëhej plotësisht i vetëdijshëm për veprimet e veta. Prandaj, Zot, ki parasysh moshën e tij të re dhe trajtoje me mëshirë!"

Një përgjigje erdhi pastaj nga libri i drejtësisë: "Mendime të mbrame si këto nuk e meritojnë ferrin." Pastaj Gjykatësi tha: "Për hir të mundimeve të Mia, le t’i hapet qielli këtij shpirti pasi të pastrohet në Purgator për mëkatet e kryera për aq kohë sa i takon të vuajë, nëse nuk i shkurtohet qëndrimi nga veprat e mira të atyre që janë ende gjallë."

SQARIM
Ky ishte shpirti i një gruaje që pati bërë premtim virgjërie në prani të një prifti dhe më vonë u martua. Ajo vdiq në lindje e sipër.