Nëna i tregon bijës për lindjen shpirtërore të dikujt që ish rritur duke mëkatuar rëndë dhe si kjo gjë u realizua në sajë të lutjeve dhe lotëve të shërbëtorëve të Hyjit.
Libri 4 – Kapitulli 54

Shiko birin e lotëve që ka lindur shpirtërisht! Fillimisht ai lindi nga e ëma në botë. Ashtu sikurse gruaja që e nxorri nga barku i nënës në fillim i tërhoqi kokën, pastaj duart, pastaj gjithë trupin derisa ra përtokë, ashtu kam bërë unë me të për hir të lotëve dhe uratave të miqve të mi. E tërhoqa nga bota e tani ai është një bebe shpirtërore e sapolindur. Prandaj i duhet të rritet shpirtërisht dhe fizikisht.

Personi tek i cili të dërgova duhet ta rrisë dhe mbrojë me lutje, vepra të mira dhe këshilla. Gruaja për të cilën t’u tregua do të lutet për të dhe do ta mbrojë shpirtërisht e do të kujdeset edhe për nevojat materiale që mund të ketë, pasi ai ishte zhytur aq thellë në mëkat mortor saqë gjithë djajtë në ferr thonin për të: 'Kur të vijë do hapim gojën që ta përlajmë e kullufisim. Do zgjasim duart që ta kapim e bëjmë fërtele. Le të bëjmë këmbët gati për ta shtypur e mbytur me shqelma.'
Prandaj t’u tha se ai kishte lindur shpirtërisht, sepse ishte çliruar nga pushteti i djajve, siç mund ta kuptoje nga fjalët që dëgjove në lidhje me dashurinë e tij për Hyjin që ai e do mbi gjithçka me gjithë zemër e trup."