Nëna i tregon bijës si, në sajë të lutjeve të shërbëtorëve të Hyjit, ajo dëshiron të kujdeset për një djalë dhe ta armatosë me armë shpirtërore.
Libri 4 - Kapitulli 55

Kujto ç’është shkruar për Mojsiun: Bija e mbretit e gjeti në ujë dhe e deshi si birin e vet. Gjithashtu në Historinë Skolastike shkruhet se Mojsiu e shtiu në dorë tokën e vet me ndihmën e zogjve që i hëngrën të gjithë gjarpërinjtë helmues. Unë jam bijë mbreti nga familja e Davidit dhe dua të kujdesem për këtë djalë që e kam gjetur në një det lotësh të derdhur për shpëtimin e shpirtit të tij. Shpirtin gjendet në arkën e trupit që do të rritet prej atyre që të tregova derisa të arrijë moshën në të cilën dua ta armatos dhe ta dërgoj që të shtjerë në dorë tokën e mbretit të qiellit. Si do të ndodhë kjo, ti nuk e di, por unë e di. Do ta edukoj në atë mënyrë sa për të do të thuhet: 'Jetoi si burrë dhe vdiq si kampion. Erdhi në gjykim si ushtar i mirë.' "

SHTOJCË
Biri i Hyjit thotë: "Kur një kafshë të uritur e përzënë nga preja e saj, ajo pret larg derisa të gjejë rastin për t’u kthyer tek preja. Kur nuk e gjen, kthehet në shpellë. Unë e kam trajtuar prijësin e këtij vendi në mënyrë të ngjashme. E paralajmërova me mirësitë e mia, e paralajmërova me fjalë dhe me goditje. E sa më e urtë dhe e butë tregohesha me të, aq më mosmirënjohës dhe neglizhent ai bëhej. Prandaj tani do ta zbrez nga froni pasi refuzon të qëndrojë i kurorëzuar. Mbi të dhe ata që e miratojnë sjellë e tij do të vë një malukat të tmerrshëm të lindur nga një nepërkë dhe një nga një dhelpër dinake që do e keqtrajtojë kombin dhe ia shkulë puplat mendjelehtëve. Ai do të ngjitet në majë të kombeve dhe do t’i rrëzojë dhe shtypë mendjemëdhenjtë. Por këtë djalë që miqtë e mi do ta edukojnë unë do ta udhëheq, përgjatë një rruge tjetër derisa të arrijë në një vend më të lavdishëm."

Biri i Hyjit tha përsëri: "Për këtë djalë do të thuhet se meqenëse jetoi si burrë dhe luftoi si ushtar i shquar, ai do të kurorëzohet si mik i Hyjit. O, bijë, ç’u shkon ndërmend grave kur krenohen për përparimin e bijve të tyre kryelartë?
Ky përparim nuk është lavd por turp, pasi ata po imitojnë mbretin e krenarisë.
Ushtari duhet të krenohet atëherë kur e nderon Hyjin me gjithë fuqitë e veta dhe është gati të durojë gjithçka që Zoti dëshiron që ai të durojë. Një i tillë është ushtar i Hyjit dhe si i tillë do të kurorëzohet së bashku me ushtarët e qiellit."