Krishti i flet nuses figurativisht duke e krahasuar veten me një sundimtar në shtegtim, trupin e Vet me një thesar, kishën me një shtëpi dhe priftërinjtë si rojtarë. Hyji i vërtetë i ka nderuar këta priftërinj me nder të shtatëfishtë. Hyji ankohet për priftërinjtë e këqinj që e keqtrajtojnë shtatëfish dhe i shndërrojnë shtatë veshjet që duhet të kenë në shtatë vese.
Libri 4 – Kapitulli 58

Biri thotë: "Unë jam si sundimtar i cili luftoi besnikërisht në tokën ku kish shtegtuar dhe u kthye me gëzim në vendlindje. Ky sundimtar kishte një thesar shumë të çmuar. Përballë tij symjegulluarve u qartësohej shikimi, të trishtuarit gjenin gëzim, të sëmurit shëroheshin, të vdekurit ngjalleshin. Për ta ruajtur këtë thesar u ndërtua një shtëpi e mrekullueshme dhe madhështore me lartësinë e duhur dhe me shtatë shkallë që të çonin tek thesari. Sundimtari ua besoi thesarin shërbëtorëve të vet që të kujdeseshin, ta administronin dhe ta ruanin besnikërisht dhe me pastërti.
Kjo u bë me qëllim që të dilte në pah dashuria e sundimtarit për shërbëtorët e tij dhe që të shihej besnikëria e shërbëtorëve ndaj sundimtarit.

Me kalimin e kohës thesari filloi të përçmohej dhe shtëpia ku ai ndodhej vizitohej rrallë, rojtarët u ftohën në dashurinë e tyre për sundimtarin. Pastaj sundimtari u konsultua me këshilltarët e tij të ngushtë se ç’duhej bërë përballë kësaj mosmirënjohjeje dhe njëri prej tyre iu përgjigj: 'Është shkruar se gjykatësit dhe rojtarët neglizhentë u urdhërua që të vareshin nën diell. Megjithatë, mëshira dhe drejtësia janë natyra Jote; Ti je i butë me të gjithë, pasi gjithçka është e Jotja dhe je i mëshirshëm ndaj të gjithëve.'

Unë jam sundimtari i shëmbëlltyrës. U shfaqa si shtegtar në tokë duke u bërë njeri edhe pse isha i fuqishëm në qiell dhe në tokë në sajë të hyjnisë Sime. Luftova aq shumë në tokë saqë më ranë duart dhe këmbët nga zelli për shpëtimin e shpirtarve. Kur isha gati për ta lënë botën dhe për t’u ngjitur në qiell, i lashë asaj një memorial të denjë, trupin Tim tejet të shenjtë, në mënyrë që ashtu si Besëlidhja e Vjetër mund të krenohej me arkën, me manën dhe pllakat e besëlidhjes dhe ceremonitë e tjera, ashtu edhe njeriu i ri të gjente gëzim në Ligjin e Ri – jo, si dikur, në simbol, por në trupin Tim të kryqëzuar që ishte parakallëzuar në ligj. Që trupit Tim t’i jepej nder dhe lavdi, Unë themelova shtëpinë e Kishës së Shenjtë ku duhet të mbahej dhe të ruhej, caktova edhe priftërinjtë që duhej të ishin rojtarët e tij të posaçëm e që, në një farë mënyre, ua kalojnë engjëjve për shkak të postit të tyre. Atë që engjëjt kanë frikë ta prekin prej respektit, priftërinjtë e prekin me duar dhe gojë.

Unë i nderova priftërinjtë me një nder të shtatëfishtë, si mbi shtatë shkallë.
Në shkallën e parë ata duhej të ishin flamurtarët e Mi dhe miq të veçantë në sajë të pastërtisë së mendjes dhe trupit, pasi pastërtia është posti më pranë Hyjit të Cilin asgjë e ndyrë s’mund të prekë. Nuk është për t’u çuditur që marrëdhëniet bashkëshortore u lejoheshin priftërinjve të ligjit gjatë kohës që ata nuk ofronin fli, pasi ata kishin lëvozhgën, jo arrën vetë. Por tani, me ardhjen e së vërtetës dhe zhdukjen e figurës, njeriu duhet të përpiqet akoma më tepër që të jetë i pastër, pasi arra është më e mirë se lëvozhga. Si shenjë e kësaj pastërtie, fillimisht flokët duhen tonsuruar pasi dëshira për kënaqësi nuk duhet të ngadhnjejë mbi shpirtin apo trupin. Në shkallën e dytë klerikët shugurohen në mënyrë që ata, në përvujtëri të plotë, të bëhen si engjëj, pasi qielli fitohet dhe krenaria e djallit mposhtet me anë të përvujtërisë së mendjes dhe trupit. Në këtë shkallë klerikët autorizohen të dëbojnë djajtë pasi të përvuajturit ngrihen në qiell nga ku ra djalli mendjemadh për shkak të krenarisë së tij.

Në shkallën e tretë klerikët shugurohen me qëllim që të jenë dishepuj të Hyjit nëpërmjet leximit të vazhdueshëm të Shkrimit të Shenjtë. Për këtë arësye, ipeshkvinjtë u dorëzojnë një libër, ashtu si kalorësve u dorëzohet shpata, që ata ta kuptojnë çfarë duhet të bëjnë dhe të përpiqen me lutje dhe meditim ta fashisin zemërimin e Hyjit. Në shkallën e katërt klerikët shugurohen si rojtarë të tempullit të Hyjit dhe mbrojtës të shpirtrave. Për këtë arësye ipeshkvinjtë u japin atyre çelësat me qëllim që ata t’u përkushtohen seriozisht shpëtimit të vëllezërve të tyre dhe t’i inkurajojnë ata me fjalë dhe vepra e t’i shtyjnë të dobëtit drejt një përsosmërie më të madhe.

Në shkallën e pestë ata shugurohen si kujdestarë të altarëve, që t’i përbuzin gjërat tokësore e të shërbejnë në altar, të jetojnë prej altarit dhe të përzihen me çështje tokësore vetëm aq sa i takon pozitës së tyre. Në shkallën e gjashtë ata shugurohen për të qenë apostuj që predikojnë të vërtetën e ungjillit dhe për t’u sjellë ashtu siç predikojnë. Në shkallën e shtatë ata shugurohen për të qenë ndërmjetës mes Hyjit dhe njeriut me anë të ofrimit të trupit Tim. Në një farë mënyre, në këtë shkallë, priftërinjtë kanë dinjitet më të lartë se engjëjt.

Por tani më vjen keq që këto shkallë janë shkatërruar. Krenarinë e duan më tepër se përvujtërinë, praktikojnë papastërtinë në vend të pastërtisë, nuk lexojnë mësimet hyjnore por librin e botës, në altare vërehet neglizhencë, urtia e Hyjit konsiderohet si marrëzi, shpëtimi i shpirtrave nuk i merakos. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ata i flakin tej edhe veshjet e Mia dhe qeshin me armët e Mia. Në mal Unë i tregova Mojsiut veshjet që priftërinjtë e ligjit duhej të përdornin. Kjo nuk do të thotë se kishte ndonjë gjë materiale në banesën e Hyjit, por thjesht që gjërat shpirtërore nuk mund të kuptohen përveçse me anë të simboleve fizikë. Prandaj Unë tregova të vërteta shpirtërore me anë të gjërave fizike që njerëzit të mund ta kuptonin sa respekt dhe pastërti duhet të kenë ata që kanë të Vërtetën Vetë - trupin Tim - duke parë që ata që mbanin veç një simbol dhe figurë kishin aq shumë pastërti dhe respekt.

Pse ia zbulova Mojsiut një madhështi të tillë veshjesh materiale? Kjo patjetër për të bërë të qartë dhe për të simbolizuar madhështinë dhe bukurinë e shpirtit. Ashtu si veshjet e priftit ishin shtatë në numër, edhe shpirti që i afrohet trupit të Hyjit duhet të ketë shtatë virtyre pa të cilat nuk ka shpëtim. Prandaj veshje e parë e shpirtit është pendesa dhe rrëfimi. Këto mbulojnë kokën. E dyta është dëshira për Hyjin dhe dëshira për pastërti. E treta është puna në nder të Hyjit si dhe durimi në vështirësi. E katërta është mosmerakosja as për lëvdatat e as për qortimet e botës, por vetëm për nderin e Hyjit. E pesta është vetëpërmbajtja me përvujtëri. E gjashta është sjellja ndërmend e favoreve te Hyjit si dhe frika nga gjykimi i Tij. E shtata është dashuria për Hyjin mbi gjithçka dhe këmbëngulja në kryerjen e veprave të mira.

Këto veshje tani kanë ndryshuar dhe përçmohen. Njerëzve u pëlqen t’i justifikojnë dhe t’i zbusin fajet e veta në vend që të shkojnë në rrëfim. Atyre u pëlqejnë fëlliqësitë në vend të pastërtisë. Atyre u pëlqen puna në dobi të trupit në vend të punës për shpëtimin e shpirtit. Ata duan ambicjet tokësore dhe krenarinë në vend të nderit dhe dashurisë së Hyjit. Duan çdo lloj teprish në vend të thjeshtësisë së lavdërueshme, kritikimin e gjykimeve të Hyjit në vend të frikës nga Hyji, mosmirënjohjen e klerit ndaj të gjithëve në vend të dashurisë Sime për të gjithë. Prandaj, siç thashë me anë të profetit, do të vij me zemërim dhe ndëshkimi do t’i sjellë në vete."

Pastaj Nëna e Mëshirës, e pranishme aty, tha: "I bekuar je Ti, Biri im, për drejtësinë Tënde. Unë po të flas Ty që di gjithçka për hir të nuses. Ti do që ajo t’i kuptojë të vërtetat shpirtërore, por ajo nuk është në gjendje ta kapë kuptimin shpirtëror përveçse me anë të imazheve. Para se të merrje natyrë njerëzore prej meje, Ti dikur fole si Hyj duke thënë se nëse në një qytet gjendeshin dhjetë të drejtë, Ti do të ishe gati t’i tregoje mëshirë gjithë qytetit për hir të atyre të dhjetëve

Ka ende priftërinj të panumërt që të zbusin duke ofruar trupin Tënd. Prandaj, për hir të këtyre priftërinjve, ki mëshirë për ata që nuk kanë veçse pak mirësi. Këtë të kërkoj unë që të linda me natyrën Tënde njerëzore. Të gjithë të zgjedhurit e Tu e kërkojnë këtë bashkë me mua."

Biri u përgjigj: "E bekuar je ti dhe e bekuar fjala e gojës sate! Ti e sheh se Unë fal në tre mënyra për shkak të së mirës së trefishtë që vjen nga ofrimi i trupit Tim. Tre të mira dolën në pah në Mua nga pafytyrësia e Judës. Po ashtu tre të mira u erdhën shpirtrave nga ofrimi i kësaj flije. E para, durimi Im duhet lëvduar sepse, edhe pse e dija cili ishte trathtari Im, nuk e refuzova shoqërinë e tij. E dyta, fuqia Ime i shfaq kur në prani të trathtarit Tim, të gjithë ata që ishin me të ranë përdhe nga një fjalë e vetme e Imja. E treta, urtia dhe dashuria hyjnore u shfaqën sepse Unë bëra që ligësia e Judës dhe e djallit të shërbente për shpëtimin e shpirtrave.

Po ashtu tre të mira vijnë nga oferta e priftërinjve. E para, durimi Im lëvdohet nga e gjithë ushtria qiellore sepse Unë mbetem po Ai si në duart e priftërinjve të mirë ashtu edhe në ato të të këqinjve dhe jam i paanshëm e ky sakrament realizohet jo për meritë të njerëzve por në sajë të fjalëve të Mia. E dyta, kjo ofertë është në dobi të gjithkujt, pavarësisht se cili prift e ofron. E treta, ajo është në dobi edhe të atyre që e ofrojnë, sado të këqinj qofshin. Ashtu sikurse fraza e vetme 'Unë jam' i bëri armiqtë e Mi të plandosen shuk përdhe, po ashtu kur fjalët e Mia 'Ky është trupi Im' thuhen, djajtë pushojnë së tunduari shpirtrat e ministrave dhe ia mbathin dhe nuk do të guxonin të ktheheshin nëse nuk do të gjenin tek ta dëshirën për të mëkatuar.

Kështu mëshira Ime i fal të gjithë e i duron të gjithë. Por drejtësia kërkon shpagim, pasi Unë thërras çdo ditë e ti e sheh sa janë ata që ma vënë veshin. Pavarësisht nga kjo, prapë do t’i dërgoj fjalët e gojës Sime. Ata që i dëgjojnë, do t’i përfundojnë ditët e tyre në atë gëzim që as mund të shprehet e as mund të imagjinohet, aq i madh është. Por atyre që nuk u vënë veshin do t’u vijnë, siç është shkruar, shtatë plagë në shpirt dhe shtatë plagë në trup. Do ta zbulojnë këtë nëse mendojnë dhe lexojnë çfarë ka ndodhur. Përndryshe do të dridhen dhe ngjethen kur ta provojnë."