Krishti i tregon nuses për tre detyrat që ka prifti: e para, të shugurojë trupin e Krishtit; e dyta, të ketë pastërti trupi dhe shpirti; e treta, të kujdeset për bashkësinë e tij. Ai duhet të ketë edhe një libër dhe vaj; prifti është engjëll i Hyjit pasi ofiqi i tij është më i lartë se ai i engjëjve.
Libri 4 – Kapitulli 59

Biri thotë: "Tre detyra ka prifti: e para, të shugurojë trupin e Hyjit; e dyta, të jetë i pastër në trup dhe shpirt; e treta, të kujdeset për bashkësinë e tij. Por ti mund të pyesësh: 'Ç’dobi ka kur ai ka kishë por jo bashkësi?' Unë të përgjigjem: Kur prifti synon t’i bëjë mirë gjithkujt dhe të predikojë nga dashuria për Hyjin, atëherë është sikur ai të kishte një bashkësi të madhe sa bota mbarë pasi, nëse do të mund t’i fliste gjithë botës, ai nuk do ta kursente veten. Prandaj synimi i mirë i llogaritet si vepër. Në fakt, për shkak të mosmirënjohjes së dëgjuesve, Hyji shpesh ua kursen të zgjedhurve të Tij lodhjen e predikimit e ata nuk e humbasin shpërblimin.

Prifti duhet të ketë gjithashtu një libër dhe vaj. Libri shërben për të udhëzuar ata që janë të papërsosur dhe vaji për vajosjen e të sëmurëve. Ashtu si një libër përmban mësime shpirtërore dhe fizike, po ashtu prifti duhet të ketë njohuri për mbajtjen nën kontroll të trupit të vet që të mos rrënohet nga mungesa e vetëpërmbajtjes, gjë që do t’i skandalizonte anëtarët e famullisë. Ai duhet të dijë si t’i largohet lakmisë që ia prish bukurinë e kishës dhe si të shmangë sjelljet vulgare që e çnderojnë dinjitetin e klerikut. Dijet shpirtërore nevojiten për të mësuar të paditurit, për të korigjuar të shthururit, për të nxitur të përparuarit. Vaji simbolizon ëmbëlsinë e lutjes dhe të shembullit të një jete të mirë. Ashtu si vaji ka më shije se buka, po ashtu shembulli i lutjes dhe i një jete të mire i tërheqin më shumë njerëzit dhe e zbusin më shumë Hyjin.

Me të vërtetë po të them, bija Ime, se është gjë e madhe të quhesh prift. Edhe një engjëll i Hyjit është ndërmjetës, por ofiqi i priftit është më i lartë sepse ai prek Hyjin dhe në duart e tij gjërat më të ulta bashkohen me gjërat qiellore."