Shën Pali i tregon nuses si Hyji e thirri atë në sajë të lutjeve të të Lumit Shtjefën dhe si ujku u bë qengj dhe pse është mirë që të lutemi për të gjithë.
Libri 4 - Kapitulli 6

Shën Pali i thotë nuses së Krishtit: "Bija ime, ti më krahasove me një luan të rritur mes ujqërve e që shpëtoi mrekullisht prej tyre. Ç’është e vërteta, unë isha ujk grykës, bija ime, por Hyji më shndërroi nga ujk në qengj për dy arësye. Së pari për dashurinë e Tij e madhe, pasi me lëndë të pavlefshme Ai bën enë ku zbraz hirin e Vet dhe mëkatarët i bën miq. Së dyti për lutjet e Shën Shtjefnit, martirit të parë.

Lërmë të të tregoj si isha unë atëherë, ç’bluaja me vete ndërsa Shtjefnin e qëllonin me gurë dhe përse i meritova lutjet e tij. Nuk u gëzova e nuk më erdhi mirë për mundimet e Shën Shtjefnit dhe as e pata zili lavdinë e tij. Por prapë doja që të vdiste sepse, sipas meje, ai kishe fe të gabuar. Kur pashë zellin e tij të pashoq dhe forcën me të cilën i duronte vuajtjet, ndjeva shumë dhimbje për mosbesimin e tij – kur në të vërtetë ai ishte besimtari i vërtetë ndërsa unë isha krejtësisht i verbër dhe i pafe. Më erdhi keq e u luta me gjithë zemër që vuajtjet e tij të tmerrshme ta bënin të denjë për lavdi dhe shpërblim.

Për këtë arësye, lutjet e tij më bënë mirë mua, veçanërisht sepse prej tyre shpëtova nga ujqërit e shumtë dhe u shndërrova në qengj. Prandaj është mirë që njeriu të lutet për të gjithë, pasi lutja e të drejtit u vlen të tjerëve për të marrë hir. Unë ankohem që këtë njeri që u tregua aq gojëtar para të diturve dhe shfaqi durim ndaj atyre që e qëllonin me gurë, tani shumë vetë e kanë harruar dhe e neglizhojnë sidomos ata që duhet t’i shërbejnë atij natë e ditë. Ata i sjellin atij enë të thyera dhe bosh, të pisëta dhe të fëlliqura. Prandaj, siç është shkruar, ata do t’i kaplojë një pështjellim dhe turp i dyfishtë dhe do të flaken jashtë prej banesave të kënaqësisë."