Fjalët e nuses drejtuar Hyjit për një mënyrë të luturi që është e pëlqyeshme në sytë e Hyjit.
Libri 4 - Kapitulli 60

I bekuar je Ti, Krijuesi dhe Shëlbuesi im. Mos u zemëro nëse të flas si një pacient i plagosur flet me mjekun, si një shpirt i trazuar flet me atë që ngushëllon, si një i varfër me një të pasur dhe bujar. I plagosuri thotë: 'O doktor, më shëro nga dhimbjet, sepse ti je vëllai im!' Shpirti i trazuar thotë: 'O më i madhi ngushëllues, mos më përçmo, më ka kapluar ankthi, prandaj jepi paqe mendjes dhe zemrës sime!' I varfri thotë: 'O ti që je i pasur e nuk të mungon asgjë, shikomë, jam shumë i uritur. Shikoje lakuriqësinë time dhe me jep rroba që të më mbajnë ngrohtë!'

Njëlloj unë them tani: O Zot i plotfuqishëm dhe i tejetlartë, unë i vështroj plagët e mëkateve të mia që më kanë lënduar qysh nga fëmijëria dhe më vjen keq që e kam keqpërdorur kohën. Nuk kam forcë të mjaftueshme për të realizuar detyrat që më takon të bëj pasi e kam shpërdoruar atë me kotësira. Dhe meqenëse Ti je burimi i çdo mirësie dhe mëshire, unë të lutem: Ki mëshirë për mua; prekma zemrën me dorën Tënde, pasi Ti je më i miri i mjekëve; ngushëlloje shpirtin Tim, pasi Ti je ngushëlluesi i mirë!"