Në prani të nuses, Krishti qorton një prift që po varros dikë që kish vdekur duke vuajtur me durim. Si Krishti do t’u vijë të ligëve me shtatë plagë shpirtërore dhe shtatë trupore dhe si ai shpirt fitoi lavdi qiellore në sajë të durimit të treguar gjatë vuajtjeve dhe meritave të tjera.
Libri 4 – Kapitulli 62

Kur një prift po varroste dikë që ishte dergjur në shtrat për tre vjet e gjysëm, nusja dëgjoi Shpirtin që tha: "Miku im, ç’po bën? Si guxon ta prekësh të vdekurin me duart e tua të përgjakura? Pse i lutesh fort të Gjithëpushtetshmit për këtë njeri me zë bretkoce? Si të shkon mendja se mund ta zbutësh Gjykatësin ndaj këtij njeriu kur morali dhe sjellja jote i përngjajnë më tepër atyre të një palaçoje sesa një prifti të devotshëm? Është fuqia e fjalëve të Mia, dhe jo çka ti bën, që i sjell dobi të vdekurit. Janë feja dhe vuajtjet e tij të gjata që do t’i sjellin shpërblimin."

Pastaj Shpirti i tha nuses: "Duart e këtij njeriu janë të përgjakura në kuptimin që të gjitha veprat e tij janë të një natyre sensuale. Duart e tij nuk e meritojnë ta prekin të vdekurin në kuptimin që ai i sjell dobi atij jo prej meritave të veta por për shkak të fisnikërisë së sakramentit. Priftërinjtë e mirë u sjellin dobi shpirtarve kryesisht në dy mënyra: e para me fuqinë e trupit të Hyjit dhe e dyta me dashurinë që digjet në ta. Zëri i tij duket si zë bretkoce në kuptimin që ai është plot me vepra të ndyra dhe kënaqësi sensuale. Sjellja e tij morale është si ajo e një palaçoje. Ç’bën palaçoja përveçse i përshtatet moralitetit të botës? Ç'tjetër këngë këndon përveçse 'Lë të hamë e të pimë e të bëjmë qejf'? Kështu vepron ky njeri. Me veshje dhe sjellje i përshtatet të gjithëve për t’u bërë qejfin. Ai i shtyn ata drejt ekseseve me shembullin dhe ekstravagancën e vet, duke thënë: 'Lë të hamë dhe të pimë, pasi gëzimi i Hyjit është fuqia jonë. Mjaft që të arrijmë tek portat e lavdisë. Edhe po nuk m’u lejua të hyj, më mjafton të rri jashtë portave. Nuk dua të jem i përsosur.'

Ky zë dhe kjo mënyrë jetese janë vërtet serioze. Askush nuk do të arrijë tek portat e lavdisë përveç të përsosurve ose atyre që janë pastruar përsosshmërisht. Askush nuk do ta ketë lavdinë Time përveç atyre që e dëshirojnë përsosshmërisht dhe përpiqen përsosshmërisht ta fitojnë ndërsa kanë kohë. Megjithatë prapë Unë, Zoti i gjithësisë, hyj tek ky prift edhe pse nuk bllokohem brenda tij e as më ndot. Unë hyj si dhëndër, largohem si gjykatës i ardhshëm, i tallur prej tij. Prandaj Unë, siç kam thënë, do të vij tek priftërinjtë duke sjellë shtatë plagë. Do t’u merret gjithçka që e duan me shpirt. Do të dëbohen nga prania e Hyjit dhe do të dënohen nga zemërimi i Tij.
Do t’ju dorëzohen djajve që të vuajnë papushim, të tallur prej të gjithëve, nuk do të kenë asgjë të mirë e do të kenë me bollëk çdo të keqe.

Do të ndëshkohen me shtatë plagë trupore, siç ndodhi me Izraelin. Prandaj nuk duhet të çuditesh që jam tolerant me të keqin apo kur më çnderojnë në sakramentin Tim. Unë duroj deri në fund që të nxjerr në pah durimin Tim dhe mosmirënjohjen e njerëzve. Dhe as duhet të shqetësohesh kur e nëpërkëmbin trupin Tim, si në rastin kur more vesh se e kishin pështyrë. Kjo tregon mosmirënjohjen e njerëzve dhe sa fajtorë dhe të padenjë ata janë për të marrë kungimin e shenjtë."
Shpirti i foli shpirtit të të vdekurit: "O, shpirt, gëzohu dhe galdo sepse besimi yt të shpëtoi nga djalli. Thjeshtësia ta shkurtoi rrugën përmes Purgatorit. Durimi të solli në dyert e lavdisë ku mëshira Ime do të të prijë dhe do të të kurorëzojë."