Nëna i flet bijës duke e krahasuar Birin e saj me një fshatar të varfër dhe si hallet dhe përndjekjet u ndodhin si të mirëve ashtu edhe të ligëve, edhe pse të mirët ato i shtyjnë, në sajë të durimit, drejt pastrimit dhe shpërblimit.
Libri 4 - Kapitulli 64

Nëna thotë: "Im Bir është si një fshatar i varfër që nuk ka as qe as gomar por i sjell vetë drutë nga pylli bashkë me veglat e tjera që nevojiten për të përfunduar punën. Mes veglave ai ka thupra. Ato i nevojiten për dy arësye: për të rrahur fëmijët e pabindur dhe për të ngrohur ata që kanë ftohtë. Im Bir, Zoti dhe Krijuesi i gjithësisë, u bë shumë i varfër për t’i pasuar të gjithë jo me pasuri kalimtare por të përjetshme. Duke mbajtur mbi shpinë peshën e rëndë të kryqit të mundimshëm, ai i pastroi dhe fshiu mëkatet e gjithkujt me gjakun e Vet. Mes veprave të Tij të ndryshme, ai zgjodhi veglat e virtytit, domëthënë njerëzit e virtytshëm në sajë të të cilëve zemrat e shumë vetëve janë ndezur me dashurinë për Hyjin me ndikimin e Shpirtit Shenjt, duke shpallur udhën e së vërtetës.

Ai zgjodhi edhe thuprat që simbolizojnë dashamirësit e kësaj bote me anë të të cilëve fshikullohen fëmijët dhe miqtë e Hyjit që të përmirësohen dhe pastrohen dhe që të tregohen të vëmendshëm dhe të meritojnë shpërblim më të madh. Këto thupra ngrohin edhe fëmijët që mërdhijnë dhe edhe Hyji vetë ngrohet nga zjarri i tyre. Si ndodh kjo? E mirë, kur bijtë e kësaj bote u hapin telashe miqve të Hyjit dhe atyre që e duan Hyjin gati vetëm nga frika, këta, nga e keqja që po heqin, kthehen më me zell nga Hyji kur shohin zbrazëtinë e botës. E pastaj Hyji ndjen keqardhje për ta dhe u jep kurajo dhe dashuri.

Ç’do të bëhet me thuprat pasi fëmijët të jenë fshikulluar? Patjetër që do të flaken në zjarrin përvëlues. Hyji natyrisht që nuk tallet me të Tijët kur i lë në duart e të pafeve. Përkundrazi, Ai është si një baba që edukon të bijtë dhe shfrytëzon ligësinë e të pafeve si mjet për t’i shpërblyer."