Nëna e mëson bijën me një shëmbëlltyrë se miqtë e Hyjit nuk duhet të lodhen e as të heqin dorë nga predikimi; dhe për shpërblimin e madh që i pret këta predikues.
Libri 4 - Kapitulli 65

Nëna thotë: "Ti duhet të jesh si një enë bosh, gati për t’u mbushur, jo aq e gjërë sa nuk mban çka zbrazet në të, as aq e thellë sa mos t’i gjendet fundi. Kjo enë është trupi yt që është bosh atëherë kur është i huaj ndaj dëshirave. Ai ka gjerësinë e duhur kur mishi disiplinohet me maturi në mënyrë që shpirti të jetë në gjendje t’i kuptojë gjërat shpirtërore dhe trupi të jetë në gjendje të punojë. Ena nuk ka fund kur mishi nuk kufizohet me asnjë lloj vetëmohimi dhe nuk trupit nuk i kursehet por i jepet gjithçka që i shkon nëpër mendje.

Tani dëgjo se ç’dua të them: Shërbëtori im foli pa u menduar kur tha: 'Ç’më duhet të flas për gjëra që s’i takojnë pozicionit tim?' Fjalë të tilla nuk i shkojnë për shtat një shërbëtori të Hyjit. Kush e dëgjon dhe e di të vërtetën dhe hesht rreth saj, ai meriton e pakta ndëshkim, në mos refuzim total.

Një sundimtar kishtë një kështjellë të fortë ku gjendeshin katër të mira: ushqim që nuk prishej dhe shuante çdo uri, ujë i shëndetshëm që shuante çdo etje, një aromë e këndshme që i largonte gjithë avujt e dëmshëm, armët e nevojshme për të bërë zap çdo armik. Ndërsa sundimtari po merrej me punë të tjera, erdhi dita dhe kështjella u rrethua. Kur e mori vesh sundimtari, ai i tha lajmëtarit të tij: 'Shko dhe shpallu me zë të lartë ushtarëve të mi: Unë, sundimtari juaj, do ta çliroj kështjellën. Kushdo që më ndjek me vullnet të mirë do të jetë me mua në lavdinë time dhe do të nderohet. Nëse dikush bie në betejë, do ta ngjall në një jetë pa nevoja apo ankth. Do t’i jap nder të përjetshëm dhe bollëk të pafund.' Shërbëtori mori urdhrat dhe bëri shpalljen, por nuk u tregua shumë i kujdesshëm dhe shpallja nuk arriti në veshët e ushtarit më të guximshëm. E kështu ky ushtar nuk u angazhua në betejë.
Çdo t’i bëjë sundimtari këtij ushtari që do të kishte qenë i gatshëm të luftonte port ë kishte dëgjuar fjalët e lajmëtarit? Në të vërtetë ai do të shpërblehet për hir të vullnetit të tij të mirë, ndërsa lajmëtari neglizhent nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit.

Kjo kështjellë është Kisha e Shenjtë e themeluar me gjakun e tim Biri. Në kishë gjendet trupi i Tij që e largon urinë. Në të gjendet uji i urtisë ungjillore, aroma e shembujve të mirë dhe armët e mundimeve të Tij. Kjo kështjellë tani është rrethuar nga armiqtë, pasi ka shumë në Kishën e Shenjtë që predikojnë Birin tim me gojë por jo me sjellje. Çfarë thonë me gojë e kundërshtojnë me synimet e tyre, pasi ata nuk duan t’ia dinë për ardheun e tyre qiellor por vetëm për qejfet e tyre. Po ashtu, në mënyrë që armiqtë e Hyjit të reduktohen në numër, miqtë e Hyjit duhet të jenë të palodhur në përpjekjet e tyre pasi shpërblim i tyre nuk do të jetë i përkohshëm por i një lloji që nuk ka fund."