Krishti i dëfton nuses madhështinë e Vet dhe si gjithçka ecën në përkim me planin e Tij, me përjashtim të mëkatarëve. Në lidhje me këtë sillen shembuj figurativë. Njeriu duhet të jetë i kujdesshëm në veprimet e tij.
Libri 4 - Kapitulli 67

Biri i thotë nuses: "Unë jam një Hyj së bashku me Atin dhe Shpirtin Shenjt. Të gjitha gjërat janë parashikuar dhe paracaktuar nga provania Ime hyjnore qysh nga fillimi, përpara çdo kohe. Të gjitha gjërat, si trupore ashtu edhe shpirtërore, kanë një farë rregulli dhe rendi dhe ekzistojnë dhe lëvizin ashtu si paradija Ime ka caktuar dhe paraditur. Tre shembuj do të të ndihmojnë ta kuptosh këtë. Së pari mund ta kuptosh nga gjallesat si edhe nga fakti që gruaja, jo burri, lind fëmijë.

Së dyti mund ta shohësh nga fakti se pemët e ëmbla bëjnë fruta të ëmbla dhe pemët e tharta bëjnë fruta të tharta. Së treti mund të shihet nga yjet, domethënë si dielli, hëna dhe të gjithë trupat qiellorë përshkojnë trajektoren e paracaktuar nga Unë. Edhe shpirtrat racionalë Unë i paranjoh. Unë e di qysh përpara çfarë do të bëhen ata, por paradija Ime nuk është aspak pengesë për ta, pasi Unë u kam dhënë atyre lëvizje të lirë, domethënë vullnet të lirë dhe pushtet për të zgjedhur ç’u pëlqen.

Për pasojë, ashtu si gruaja, jo burri, lind fëmijë, po ashtu shpirti i mirë, gruaja e Hyjit, duhet të lindë me ndihmën e Hyjit, pasi shpirti është krijuar për të përparuar në virtyt dhe për t’u bërë i frytshëm me anë të farës së virtyteve e për t’u mbështjellë në krahët e dashurisë hyjnore. Shpirti që largohet nga madhështia fillestare dhe nga Krijuesi i vet vepron në kundërshtim me planin e Hyjit dhe për këtë nuk e meriton ëmbëlsinë e Hyjit.

E dyta, plani i pandryshueshëm i Hyjit del qartë në pah tek pemët, pasi pemët e ëmbla bëjnë fruta të ëmbla dhe pemët e tharta bëjnë të kundërtën. Hurma ka edhe tul të ëmbël edhe bërthamë të fortë. Në të njëjtën mënyrë qysh nga përjetësia është paracaktuar që aty ku banon Shpirti Shenjt, gëzimet tokësore ngjallin neveri dhe gjithë nderet e botës janë barrë. Në zemrën ku banon Shpirt Shenjt ka aq shumë fuqi dhe fortësi që vjen prej Tij saqë ajo nuk mposhtet nga asnjë vështirësi e as merr kot nga sukseset. Po ashtu është paracaktuar nga përjetësia se kudo që banon djalli, fruti do të jetë i kuq nga jashtë por plot papastërti e gjemba brenda. Prandaj, ndërsa në dukje ka ëmbëlsi kalimtare në gëzimet që sjell djalli, ato janë plot gjemba e hidhërime sepse sa më shumë njeriu përzihet me botën, aq më e madhe llogaria që do të japë. Dhe kështu, ashtu si çdo pemë prodhon fryt sipas llojit të rrënjës dhe trungut që ka, po ashtu çdo njeri do gjykohet nga synimi me të cilin i ka kryer veprat.

Në radhë të tretë, të gjithë elementët u përmbahen rregullave të paracaktuara nga përjetësia dhe vazhdojnë të ekzistojnë sipas vullnetit të Krijuesit të tyre. Kur një qenie e arësyeshme bën të kundërtën, është e qartë se ajo e shpërdoron lirinë. Kështu, ndërsa krijesat e paarësyeshme u përmbahen limiteve të tyre, qeniet e arësyeshme njerëzore e ulin veten nga madhështia fillestare dhe e rëndojnë fajin e vet duke mos e vënë në përdorim arësyen.

Prandaj duhet të ketë kujdes si sillet. Unë nuk i bëj keq djallit më tepër se ç’u bëj engjëjve të Mi. Ashtu si Hyji kërkon ëmbëlsi të pastër dhe të pamatë nga nusja e Tij, po ashtu edhe djalli kërkon gjemba dhe ferra nga nusja e vet. Porse djalli në asnjë mënyrë nuk mund të ngadhnjejë po nuk u shthur vullneti i njeriut."