Krishti i flet nuses dhe i krahason sjelljen dhe veprat e mira të klerikëve me ujin e pastër dhe sjelljen dhe veprat e tyre të këqija me ujin e ndotur.
Libri 4 – Kapitulli 69

Biri thotë: "Tre gjëra tregojnë se uji i një burimi nuk është i mirë. E para, uji nuk ka ngjyrën e duhur; e dyta, ka baltë; nuk lëviz dhe në të bien papastërti që nuk eleminohen.
Me këto ujra Unë kam parasysh sjelljen dhe zemrat e klerikëve. Me sjelljen e tyre të mirë ata duhet të jenë si ujë burimi që ka ujë të ëmbël për t’u pirë e nuk pranon asnjë lloj vesi. Prandaj ngjyra e duhur e priftit është përvujtëria e vërtetë. Sa më tepër e sheh veten të detyruar të punojë për Hyjin, aq më tepër ai duhet të përvujtërohet me mendje dhe zemër. Ngjyra e djallit gjendet kudo që ka krenari. Krenaria është si dorë e gërbulur që nxjerr ujë nga një burim dhe e bën edhe vetë ujin t’u duket i neveritshëm atyre që e shohin. Kështu krenaria e priftit i tregon veprat e tij të ndotura.

Uji është me baltë nëse prifti është lakmitar dhe nuk kënaqet me gjërat e nevojshme. Kur ka ankth ai është i padobishëm për veten dhe i dëmshëm për të tjerët me shembullim e lakmisë. E treta, uji është i papastër kur grumbullon pisllëqe por nuk i eleminon ato. Kjo vjen ngaqë ka grykëderdhje të mbyllur dhe nuk lëviz. Prifti është i papastër atëherë kur do kënaqësi fizike me zemër dhe trup dhe nuk çlirohet nga papastërtitë me të cilat ndotet. Njollat janë të shëmtuara kudo në trup, por sidomos në fytyrë. Njëlloj papastërtinë duhet ta urrejnë të gjithë, por veçanërisht ata që janë thirrur për gjëra më të larta. Për shërbimin Tim nuk duhen zgjedhur priftërinjtë e fryrë me llafollogji, por ata që kanë përvujtëri dhe pastërti e që sillen mirë dhe i mësojnë të tjerët me fjalë dhe shembull. Edhe një dorë e gërbulur është e dobishme për punën Time kur mendja është e pastër dhe nuk mungon dora shpirtërore."