Vegim për një shpirt që do të gjykohet dhe për akuzat e djallit dhe ndërmjetësimin e Virgjërës. Në këtë vegim qielli simbolizohet nga një pallat, Krishti nga dielli, Virgjëra nga një grua, djalli nga një etiopas, engjëlli nga një kalorës. Përmenden dy vende të pashpresa ndëshkimi dhe një i tretë, ku kish shpresë, si edhe shumë gjëra të tjerë të mrekullueshme, veçanërisht për sufrazhet.
Libri 4 - Kapitulli 7

Dikush që po lutej dhe nuk e kish zënë gjumi, pati një vegim shpirtëror. Pa një pallat madhështor ku kishte figura të panumërta të veshura me petka të bardha dhe të shndritshme, e secili kish një karrige të vetën. Në pjesën kryesore të pallatit gjendej një karrige gjykatësi ku dukej se ish ulur dielli. Rrezet që dilnin nga dielli ishin jashtëzakonisht të gjata dhe të gjera. Pranë kësaj karrigeje qëndronte një vajzë me kurorë të çmueshme në kokë dhe të gjithë shërbëtorët e diellit të ulur në karrige e lëvdonin atë me himne dhe këngë.

Pastaj u shfaq një etiopas, me pamje të tmerrshme, sikur digjej nga zilia dhe zemërimi. Ai bërtiti dhe tha: "O, gjykatës i drejtë, gjykoje këtë shpirt dhe dëgjoji veprat e tij! Pak kohë i mbetet për të jetuar. Më lejo t’ia ndëshkoj trupin bashkë me shpirtin derisa të ndahen nga njëri-tjetri." Pasi tha këtë, pranë karriges u shfaq një si kalorës i armatosur, i pastër dhe i urtë me fjalë dhe modest në gjeste. Ai tha: "O, gjykatës, shih, ja ku janë veprat e mira që ai ka kryer deri tani."

Zëri i diellit të ulur në karrige u dëgjua menjëherë: "Këtu ka më tepër vese se virtyte dhe nuk është e drejtë që vesi të ngrihet në lartësinë e virtytit." Etiopasi u përgjigj: "Atëherë ai meriton të vijë tek unë pasi ka vese e unë jam gjithë ligësi." Kalorësi u përgjigj: "Mëshira e Hyjit e shoqëron çdo njeri deri në çastin e fundit dhe pastaj i vjen radha gjykimit. Shpirti dhe trupi i personit në fjalë janë ende bashkë dhe ai mund të arësyetojë akoma.

Etiopasi u përgjigj: "Shkrimi i Shenjtë, që nuk mund të gënjejë, thotë: 'Duaje Hyjin mbi gjithçka dhe të afërmin si vetvetenyjHyj.' Ky njeri i ka bërë veprat e veta nga frika dhe jo nga dashuria. Të gjitha mëkatet i ka rrëfyer pa shumë pendesë. Prandaj meriton ferrin pasi nuk i takon të shkojë në mbretërinë e qiellit. Mëkatet e tij le të thuhen këtu në praninë hyjnore sepse ai kurrë deri tani nuk është penduar për mëkatet i shtyrë nga dashuria për Hyjin." Kalorësi u përgjigj: "Ai shpresonte të pendohej sinqerisht para se të vdiste."

Etiopasi u përgjigj: "Ti ke mbledhur çdo vepër të mirë që ai ka kryer dhe e di çka thënë dhe çfarë mendon ai për shpëtimin e shpirtit të vet. Të gjitha këto nuk mund të krahasohen me pendesën që lind nga dashuria për Hyjin, me fenë dhe shpresën, prandaj vështirë t’i shlyejnë mëkatet e tij. Drejtësia e përjetshme e Hyjit ka caktuar që asnjë mëkatar nuk mund të hyjë në qiell pa pendesë të përsosur. Është e pamundur që Hyji të marrë vendim në kundërshtim me urdhëresën e Tij. Prandaj ky shpirt meriton të vijë në ferr me mua që të ndëshkohet përjetësisht." Pas këtyre fjalëve kalorësi heshti dhe nuk bëri zë.

Pastaj u shfaqën djaj të panumërt që dilnin si shkëndija nga një zjarr i nxehtë dhe bërtisnin njëzëri. Atij që qëndronte si diell në karrigen e gjykatësit ata i thanë: "Ne e dimë se Ti je një Hyj në tre Persona, pa fillim dhe fund. Nuk ka hyj tjetër përveç Teje. Ti je vetë dashuria, mëshira dhe drejtësia. Ti ke ekzistuar në vetvete qysh nga fillimi pa u reduktuar apo ndryshuar, siç i ka hije Hyjit. Jashtë Teje nuk ka asgjë dhe pa Ty nuk ka gëzim. Dashuria Jote i krijoi engjëjt jo prej materies por nga fuqia Jote hyjnore. Veprove siç diktonte mëshira. Megjithatë, kur ne u ndezëm nga krenaria e brendshme, zilia dhe lakmia, dashuria Jote drejtësidashëse na hodhi bashkë me ligësinë tonë përvëluese nga qielli në një humnerë të pafund dhe të errët që tani quhet ferr. Këtë bëri dashuria Jote atëherë. Edhe tani dashuria Jote nuk mund të ndahet nga drejtësia kur Ti gjykon me mëshirë dhe paanshmërisë. Madje mund të themi edhe më tepër: Nëse personi që Ti do mbi të gjithë, domethënë Virgjëra e panjollë që të lindi, do të kish mëkatuar rëndë dhe do të kish vdekur pa pendesë të sinqertë, dashuria Jote për drejtësinë është e tillë sa shpirti i saj kurrë nuk do të kishte hyrë në qiell e do të kishte përfunduar me ne në ferr. Prandaj, Gjykatës, përse nuk na e jep ne këtë shpirt që ta ndëshkojmë siç e meritojnë veprat e tij?"

Pastaj u dëgjua një bori, asnjë nga të pranishmit nuk pipëtinte dhe një zë foli dhe tha: "Qetësi, të gjithë ju engjëj, shpirtra dhe djaj dhe dëgjoni ç’ka për të thënë nëna e Hyjit!" Pastaj vetë Virgjëra u shfaq para karriges së gjykatësit dhe dukej sikur poshtë mantelit mbante fshehur disa sende të mëdha. Ajo tha: "Ju, armiq! Ju sulmoni mëshirën dhe e doni drejtësinë, por pa dashuri. Edhe pse veprat e mira të shpirtit mund të jenë të mangëta dhe për këtë arësye ai nuk duhet të hyjë në qiell, prapë shikoni se ç’kam poshtë mantelit!" Pastaj Virgjëra hapi dy anët e mantelit. Nga njëra anë shihej një si kishë e vogël me murgjër brenda. Nga ana tjetër dukeshin burra dhe gra, miq të Hyjit, rregulltarë dhe të tjerë, e të gjithë luteshin njëzëri: "Ki mëshirë, o Zot i mëshirshëm!"

Pastaj pllakosi heshtja dhe Virgjëra tha: "Shkrimi thotë: Kush ka fe të përkryer mund të lëvizë edhe malet me të. Ç’të themi për zërat e atyre që kanë fe dhe i kanë shërbyer Hyjit me dashuri të flaktë? Çfarë nuk janë në gjendje të bëjnë ata? Ç’do të bëjnë miqtë e Hyjit të cilëve ky njeri, që dëshiron qiellin për veprat e tij të mira, u ka kërkuar të luten për të me qëllim që t’i shpëtojë ferrit dhe të shkojë në qiell? A nuk munden gjithë lotët dhe lutjet e tyre ta kapin dhe ngrenë në mënyrë që ai të fitojë dashurinë hyjnore dhe pendesën e përsosur përpara se të vdesë? Edhe unë do t’i bashkoj lutjet e mia me lutjet e gjithë shenjtërve në qiell."

Pastaj ajo shtoi: "O djaj, me pushtetin e gjykatësit ju urdhëroj të thoni çka shihni." E ata të gjithë u përgjigjën njëzëri: "Ne shohim se në botë pak ujë dhe shumë ajër e zbusin zemërimin e Hyjit. Po kështu Hyji zbutet nga lutja jote dhe priret drejt mëshirës dhe bamirësisë." Pastaj u dëgjua zëri i diellit tek thoshte: "Për hir të lutjeve të miqve të Mi ky njeri do të pendohet sinqerisht përpara se të vdesë e nuk do të shkojë në ferr por do të pastrohet mes atyre që ndëshkohen rreptësisht në purgator. Kur shpirti i tij të pastrohet, ai do të marrë shpërblimin qiellor bashkë me ata që kishin fe dhe shpresë në tokë por pak dashuri." Pas kësaj djajtë ia mbathën.

Pastaj u duk sikur para nuses u hap një vend i tmerrshëm dhe i errët. Aty u shfaq një furrnaltë e zjarrtë. Zjarri ish ndezur jo me lëndë djegëse por me djaj dhe shpirtra njerëzish. Mbi furrnaltë u shfaq shpirti gjykimi i të cilit u përmend më parë. Shputat i kish të ngjitura në furrnaltë dhe qëndronte në këmbë si njeri. Shpirti nuk qëndronte as në majë as në fund të furrrës por sikur të ishte në njërën anë të saj. Forma e furrnaltës ishte e tmerrshme dhe të linte pa mend. Zjarri dukej se ngrihej lart duke kaluar përmes shputave të këmbëve të shpirtit si ujë që rrjedh nëpër tubacione dhe i arrinte në kokë me trysni aq të madhe sa poret e shpirtit dukeshin si damarë ku rridhte zjarr i përvëluar. Veshët i dukeshin si kacekë farkëtari dhe vazhdimisht ia lëkundnin të gjithë trurin me valëvitjen e tyre. Sytë i kish të zgurdulluar, zhytur brenda e ngjitur me pjesën e mbrapme të kokës. Goja hapur, gjuha i dilte nga vrimat e hundës dhe i varej poshtë tek buzët. Dhëmbët i kishte si gozhdë çeliku të ngulura në mish. Krahët i kish aq të gjatë sa i arrinin deri poshtë tek këmbët. Dy duart dukej sikur mbanin dhe shtrëngonin diçka të yndyrshme, si zift që digjej. Lëkura që mbulonte shpirtin dukej si lëkurë kafshe që thjesht sa i varej në trup dhe ishte veshur me një petk si çarçaf i squllur me spermë. Copa ishte aq e akullt sa kushdo që e shihte dridhej. Prej saj dilte qelb si prej një plage të infektuar. Kundërmonte erë të keqe që nuk mund të krahasohet as me erën më të rëndë të kësaj bote.

Pas pamjes së kësaj torture, zëri i shpirtit u dëgjua tek thoshte vaj pesë herë, duke qarë sa fort mundej. Ai tha: "Vaj për mua në radhë të parë që e desha Hyjin aq pak për virtytet e Tij të mëdha dhe për hirin që më kish dhënë. Vaj për mua së dyti që nuk i trembesha drejtësisë së Hyjit siç duhej. Vaj për mua e treta që preferova kënaqësitë e trupit dhe mishit mëkatar. Vaj për mua së katërti për të gjitha pasuritë tokësore dhe krenarinë. Vaj për mua, e pesta, që i hodha sytë mbi ju, Luizë dhe Johana!"

Pastaj engjëlli më tha: "Lërmë të ta shpjegoj vegimin. Pallati që pe simbolizon qiellin. Turma e madhe e atyre që ishin ulur dhe veshur me petka të bardha dhe të shndritshme janë engjëjt dhe shpirtrat e shenjtërve. Dielli simbolizon Krishtin në natyrën e Tij hyjnore; gruaja simbolizon Virgjërën që lindi Hyjin; etiopasi që akuzon shpirtin është djalli; kalorësi që raporton veprat e mira të shpirtit është një engjëll. Furrnalta simbolizon ferrin. Ferri është aq i nxehtë brenda saqë sikur e gjithë bota dhe gjithçka në të të digjej, ato nuk do të mund të krahasoheshin me atë furrnaltë të pamatë. Zërat e ndryshëm që dëgjoheshin në furrnaltë flasin të gjithë kundër Hyjit. Ata fillojnë dhe mbarojnë së foluri me ankime. Shpirtrat duken si njerëz gjymtyrët e të cilëve nuk gjejnë kurrë prehje.

Ta dish edhe se zjarri që pe në furrnaltë digjet në errësirë të përjetshme dhe shpirtrat që digjen aty nuk ndëshkohen të gjithë njëlloj. Errësira përreth furrnaltës quhet limbo. Ajo vjen nga errësira që gjendet në furrnaltë. Por të dyja formojnë një vend të vetëm, një ferr. Kush hyn aty nuk do të banojë kurrë me Hyjin.

Mbi errësirën gjendet ndëshkimi më i rëndë që mund të vuajnë shpirtrat në purgator. Përtej tij gjendet një tjetër vend ku vuhet më pak, ku shpirti ka pak forcë, pak bukuri dhe gjëra të tilla. Është si një njeri që ka lënguar dhe pasi është shëruar dhe i kanë kaluar dhimbjet, nuk ka pikë force derisa e merr veten gradualisht.

Përtej tij gjendet një vend i tretë ku vuajtja e vetme është malli për Hyjin. Që ta kuptosh më mirë, po të sjell një shembull. Ndodh si atëherë kur bakri i përzier me arin shkrihen bashkë në zjarr përvëlues derisa bakri të konsumohet dhe të mbesë vetëm ar i pastër. Sa më i fortë dhe i trashë të jetë bakri, aq më i nxehtë duhet të jetë zjarri, derisa ari të lëngëzohet dhe të marrë flakë i tëri. Mjeshtri pastaj e çon arin diku tjetër që t’i japë trajtën e duhur për t’u parë dhe prekur. Pastaj e vendos në një vend të tretë ku ruhet për t’ju paraqitur të zotit.

Kështu ndodh edhe për çështje shpirtërore. Ndëshkimi më i madh i purgatorit ndodh në nivelin e parë, mbi errësirën ku pe se pastrohej shpirti i sipërmendur. Aty djajtë mund ta prekin shpirtin; aty ka simbolikisht të pranishëm maluketër helmues dhe kafshë të egra. Ka nxehtësi dhe acar, errësirë dhe pështjellim që vijnë nga ferri. Disa shpirtra ndëshkohen më pak atje, të tjerë më tepër, në varësi të gradës së shlyerjes së mëkateve gjatë jetës tokësore.

Mjeshtri, domethënë drejtësia e Hyjit, e çon më pas arin, domethënë shpirtrat, në vende të tjera ku ata vuajnë vetëm nga debulesa. Atje rrinë derisa çlirohen prej miqve të tyre të ngushtë ose nga veprat e vazhdueshme të Kishës së Shenjtë. Sa më shumë shpirti ndihmohet nga miqtë e vet, aq më shpejt ai e merr veten dhe del prej atij vendi. Pastaj shpirti çohet në një vend të tretë ku nuk ka ndëshkim tjetër përveç dëshirës së zjarrtë për të shkuar në praninë e Hyjit dhe për ta soditur Atë. Shumica e shpirtrave banojnë atje për një kohë shumë të gjatë, me përjashtim të atyre që dëshironin me zjarr të shkonin tek Hyji e ta shihnin qysh kur ishin gjallë në tokë.

Ta dish edhe se shumë prej atyre që vdesin në botë janë aq të drejtë dhe të dlirë saqë shkojnë drejt e në praninë dhe soditjen e Hyjit. Ka edhe nga ata që kanë bërë aq shumë pendesë me veprat e tyre të mira saqë shpirtrat e tyre nuk do të ndëshkohen fare. Por të paktë janë ata që nuk shkojnë në vendin ku ndjehet mall për Hyjin. Kështu të gjithë shpirtrat që banojnë në këto tre vende përfitojnë nga lutjet e Kishës së Shenjtë dhe nga veprat e mira që kryhen në botë, sidomos nga vepra si ato që kanë bërë vetë sa ishin gjallë dhe nga veprat e miqve të tyre.

Ta dish edhe që ashtu si mëkatet janë të llojeve dhe formave të ndryshme, po ashtu ndëshkimet janë të shumta dhe të formave të ndryshme. Prandaj ashtu si i urituri i gëzohet një kafshate buke që i bie ndër dhëmbë, ashtu si i eturi i gëzohet një pijeje, ashtu si një i trishtuar bëhet shend e verë nga një gëzim, ashtu si një i zhveshur u gëzohet rrobave, ashtu si një i sëmurë gëzohet kur ngrihet nga shtrati, po ashtu shpirtrat u gëzohen veprave të mira që bëhen për ta në botë dhe përfitojnë prej tyre." Engjëlli shtoi: "Qoftë bekuar ai që në botë i ndihmon ata me lutje, vepra të mira dhe mundime fizike. Drejtësia e Hyjit, që nuk mund të gënjejë, deklaron se shpirtrat duhet të pastrohen ose pas vdekjes në purgator ose të çlirohen prej aty përpara kohe në sajë të veprave të mira të miqve."

Pastaj nga purgatori u dëgjuan shumë zëra që thonin: "O, Zot Jezu Krisht, gjykatës i drejtë, dërgojua dashurinë tënde atyre që kanë pushtet shpirtëror në botë dhe ne do të mund të përfitojmë më shumë së tani nga këngët, leximet dhe ofertat e tyre."

Mbi hapësirën nga u dëgjuan thirrjet e tyre u duk se u shfaq një shtëpi ku shumë zëra thonin: "Hyji ua shpërbleftë atyre që na ndihmojnë në dobësinë tonë!" U duk sikur rrezet e agimit u shfaqën në këtë shtëpi dhe poshtë rrezeve u duk një re që nuk kish asgjë nga drita e agimit dhe prej saj kumboi një zë që thoshte: "O Zot Hyj, me anë të fuqisë Sate të pafund shpërbleji njëqindfish secilin prej atyre në botë që me veprat e veta të mira na ngre në dritën hyjnore dhe në soditjen e fytyrës Sate!"