Fjalët e Krishtit në lidhje me motrat e Lazrit të ngjallur të cilat (siç besoj unë) simbolizojnë nusen dhe bijën e saj, Lazri shpirtin, Judenjtë ziliqarët. Si Hyji u ka shfaqur këtyre të fundit mëshirë më të madhe se ç’u shfaqi motrave të Lazrit dhe si njerëzit që flasin shumë e bëjnë pak indinjohen me ata që bëjnë vepra të mira.
Libri 4 - Kapitulli 72

Biri thotë: "Ishin dy motra, Marta dhe Maria, vëllain e të cilave Unë e ngjalla nga të vdekurit. Pas ringjalljes ai më shërbeu më shumë se më parë. Edhe motrat e tij, edhe pse më kishin shërbyer dhe kishin qenë të zellshme në përkujdesjet ndaj Meje edhe përpara ringjalljes së vëllait të tyre, u treguan shumë më të zellshme dhe të devotshme më pas. Kështu e ringjalla Unë vëllain tuaj, domethënë shpirtin tuaj që – kutërbues siç ish katër ditë pas vdekjes – ish ndarë prej Meje duke shkelur urdhëresat e Mia e duke u dhënë pas dëshirave të ulta dhe kënaqësive të botës dhe të mëkateve.

Katër ishin arësyet që më shtynë ta ringjallja Lazrin. E para ishte se ai kishte qenë miku im. E dyta ishte dashuria e motrave të tij. E treta ishte se Maria me përvujtërinë e vet kishte merituar një shpërblim të tillë kur më lau lëmbët. Ajo meritoi të gëzohej dhe të nderohej në atë masë që e kish ulur veten për hatrin Tim në sytë e të ftuarve. Arësyeja e katërt ishte për të treguar lavdinë e natyrës Sime njerëzore. Por këto katër arësye nuk vlejnë për ju pasi ju e doni botën më tepër se ç’e donin ato. Prandaj mëshira Ime ndaj jush është më e madhe se mëshira që tregova ndaj motrave. Padyshim është kështu, sepse vdekja shpirtërore është më e rrezikshme se vdekja trupore dhe ngjallja e shpirtit është më e lavdishme se ngjallja e trupit.

Pra meqenëse mëshira Ime ua kalon veprave tuaja, më mirëprisni, siç bënë ato motra, në shtëpinë e mendjes tuaj, me dashuri të flaktë, duke mos dashur askënd e asgjë mbi Mua, duke patur besim të plotë tek Unë, duke u përvujtëruar çdo ditë me Marinë, duke vajtuar për mëkatet tuaja, duke mos patur turp të jetoni të përvuajtur mes krenarëve, të pastër mes të papastërve, duke u treguar të tjerëve me vepra sa më doni me zemër. Gjithashtu, si ato motra, ju duhet të jeni një mendje dhe zemër, të fortë për të përbuzur botën dhe të shpejtë për të lëvduar Hyjin. Po vepruat kështu, Unë do ta ngjall vëllain tuaj – shpirtin tuaj – për ju dhe do ta mbroj që të mos e vrasin judenjtë.

Ç’dobi do të kishte patur Lazri nga ngjallja prej së vdekurish nëse nuk do të kish jetuar më virtytshëm që të ngjallej më i lavdishëm në jetën e përjetshme? Cilët janë judenjtë që kërkonin ta vrisnin Lazrin në mos ata që indinjohen ngaqë ju silleni më mirë se ata që kanë mësuar të flasin me fjalë të mëdha por nuk kanë vepra, që kërkojnë t’u pëlqejnë të tjerëve, i përqeshin veprat e pararendësve të tyre e i tallin sa më shumë nuk arrijnë t’i kapin të vërtetat sublime?

Ka shumë njerëz të tillë. Ata dinë si të flasin për virtytet por jo të jetojnë virtytshëm. Prandaj shpirtrat e tyre janë në rrezik, pasi kanë shumë fjalë por u shihen pak vepra. A vepronin kështu predikuesit e Mi? Në asnjë mënyrë! Ata sigurisht nuk i paralajmëronin mëkatarët me fjalë të mëdha, por me pak fjalë të përzemërta dhe ishin gati të jepnin shpirtin për shpirtin e mëkatarëve. Prej mirësisë së tyre të tjerët fituan mirësi pasi zelli i mësuesit e formon mendjen e dëgjuesit më tepër se fjalët. Shumë predikues sot thonë gjëra të koklavitura rreth Meje pa patur fryt, pasi druri nuk merr zjarr thjesht duke i fryrë por ka nevojë për shkëndija zjarri.

Unë do të të ruaj dhe mbroj nga këta judenj që ti të mos më lësh për çka ata bëjnë apo thonë. Por kjo nuk do të thotë që Unë do të të mbroj për të të ruajtur nga çdo vuajtje, por do të të ruaj që të mos mëkatosh nga paaftësia për të qëndruar. Ji këmbëngulëse dhe Unë do ta ndez vullnetin tënd me dashurinë Time."