Fjalët e Krishtit për nusen; fjalët e Gjon Pagëzorit në lëvdim të Krishtit dhe lutjet e devotshme që ai bën në prani të Krishtit në emër të të krishterëve dhe veçanërisht të një kalorësi. Me anë të lutjeve të Gjonit, kalorësi me duart e veta dhe me duart ndihmëtare të Virgjërës së lavdishme, të Pjetrit dhe Palit armatoset dhe zbukurohet me armë shpirtërore, domethënë me virtyte. Domethënia e këtyre armëve trupore dhe mënyra për t’u lutur mirë.
Libri 4 - Kapitulli 74

Biri i Hyjit po i thoshte nuses: "Ti e kuptove sot se është më mirë të paraprish se të të paraprijnë. Në fakt Unë të parapriva me hirin Tim të ëmbël që djalli të mos merrte nën kontroll shpirtin tënd."
Papritmas u shfaq Gjon Pagëzori dhe tha: "I bekuar je Ti, Hyj! Ti ke ekzistuar para gjithçkaje. Kurrë nuk ka patur zot tjetër bashkë me Ty ose përveç Teje dhe kurrë nuk do të ketë pas Teje, pasi Ti je dhe ishe një Hyj përgjithmonë. Ti je e vërteta e premtuar nga profetët. Ende pa lindur, unë u gëzova prej Teje. Të njoha më mirë kur të dëftova. Ti je gëzimi ynë dhe lavdia jonë, dëshira jonë dhe kënaqësia jonë. Pamja Jote na mbush me gëzim të papërshkrueshëm që nuk mund ta kuptojë asnjë përveç atij që e ka provuar. Ti je dashuria jonë e vetme. S’ka gjë për t’u çuditur që ne të duam, pasi Ti je dashuria vetë dhe Ti do jo vetëm ata që të duan por, duke qenë Krijuesi i gjithçkaje, je i mirë edhe me ata që nuk marrin mundimin të të njohin. E atëherë, Zoti im, meqenëse ne jemi të pasur nëpër Ty dhe në Ty, të lutemi t’i japësh nga pasuritë tona shpirtërore atyre që nuk kanë pasuri e kështu të shtohen radhët e atyre që kanë pjesë në fatin tonë të mirë, ashtu si ne galdojmë jo për meritat tonë por në Ty."

Krishti përgjigjet: "Ti me të vërtetë je gjymtyrë shumë e rëndësishme krahas kokës dhe pranë saj. Por qafa është më afër dhe më e rëndësishme. Ashtu si Unë jam koka e të gjithëve, ashtu edhe Nëna Ime është qafa e të gjithëve dhe pastaj vijnë engjëjt. Ti dhe apostujt e Mi jeni si nyjet e shtyllës kurrizore pasi ju jo vetëm më doni por edhe më nderoni duke ndihmuar ata që më duan. Prandaj ç’kam thënë mbetet e pandryshuar: Veprat që bëj Unë do t’i bëni edhe ju dhe vullneti juaj është vullneti Im. Ashtu si koka e trupit nuk lëviz pa gjymtyrët, po ashtu, në lidhjen dhe bashkimin tuaj shpirtëror me Mua, dëshira nuk është një gjë dhe mundësia për të bëra diçka tjetër, përkundrazi ju keni aftësinë për të bërë ç’të dëshironi. Prandaj kërkesa jote do të realizohet."

Pasi u thanë këto fjalë, Gjoni solli një kalorës gati gjysëm të vdekur në mes tyre dhe tha: "Ja, Zot, një njeri që ta ka përkushtuar kalorësinë e vet Ty. Ai po përpiqet të luftojë, por nuk është i fortë sa duhet pasi është i paarmatosur dhe i dobët. Më takon ta ndihmoj për një arësye të dyfishtë, për meritat e prindërve të tij dhe për dashurinë që ai ushqen për mua. Prandaj për lavdinë Tënde, jepi një uniformë kalorësi që të mbulojë turpin e lakuriqësisë së vet."

Zoti u përgjigj: "Jepi ç’të duash dhe rregulloje si të duash!" Pastaj Gjoni tha: "Eja, biri im, dhe merr prej meje veshjen e parë të kalorësisë sate. Pasi ta marrësh do ta kesh më të lehtë të marrësh dhe të mbash pjesën tjetër të pajimeve të tua kalorsiake. Është mirë që kalorësi të ketë një tunikë të butë dhe të lëmuar ngjitur me lëkurën. Tunika trupore është e butë dhe e lëmuar dhe po ashtu për tunikë shpirtërore duhe të kesh dashurinë për Hyjin dhe gjetjen e gëzimit në të.

Gëzimi në Hyjin vjen nga dy gjëra: meditimi mbi mirësinë e Tij dhe sjellja ndërmend e mëkateve të kryera. Qysh fëmijë unë i kisha këto të dyja. Unë meditoja ç’hir Hyji kish përgatitur për mua qysh përpara se të lindja dhe ç’bekim më kishte dhënë pasi kisha lindur. Unë përpiqesha të gjeja si mund t’ia shpërbljeja denjësisht Hyjit tim. Mendoja edhe për paqëndrueshmërinë e botës, prandaj u largova në shkretëtirë ku Zoti im Jezus u bë aq i ëmbël për mua sa kujtimi i gjithë kënaqësive të botës më lodhte dhe edhe thjesht dëshira për to m’u bë barrë. Eja, pra, vishe këtë tunikë pasi të tjerat do të të jepen në kohën e volitshme."

Pastaj u shfaq i lumi Apostulli Pjetër dhe tha: "Gjoni të dha një tunikë, por unë, që rashë por u ngrita si burrë, do të të siguroj një parzmore, domethënë dashurinë hyjnore. Ashtu si parzmorja është thurur me shumë unaza të hekurta, po ashtu dashuria e mbron njeriun nga goditjet e armikut dhe e bën më të durueshëm në përballimin e të këqijave që i kanosen, më të shkathët për të nderuar Hyjin dhe më të zellshëm në kryerjen e veprave hyjnore, të qetë në shpresë dhe këmbëngulës në detyrat që merr përsipër. Kjo parzmore hekuri duhet të shndërrisë si ar dhe të jetë e fortë si çelik dhe hekur, pasi kushdo që ka dashuri duhet të jetë elastik në përballimin e vështirësive dhe i shndritshëm në urti dhe inteligjencë sa të mos e marrë herezinë për fe të drejtë dhe as të mos vërë në dyshim të vërtetat e sigurta.

Parzmorja duhet të jetë e fortë si hekuri. Ashtu si hekuri mposht gjithçka, edhe njeriu që ka dashuri duhet të jetë i zellshëm për të përvujtëruar gjithçka qëndron në rrugën e fesë dhe të moralit të mirë, pa u tutur nga fjalët fyese. Nuk duhet të përkulet për shkak të miqësive as të bëhet neglizhent për shkak të interesave materiale. Nuk duhet të fshihet për hir të rehatisë trupore, as të ketë frikë të vdesë, pasi askush nuk mund t’ia marrë jetën një tjetri pa lejen e Hyjit. Tani, edhe pse parzmorja përbëhet nga shumë unaza, prapë se prapë, parzmorja e dashurisë endet me dy unaza kryesore. Unaza e parë e dashurisë është njohja e Hyjit dhe meditimi i vazhdueshëm i mirësive dhe këshillave hyjnore.

Kjo e bën njeriun ta kuptojë si duhet të sillet ndaj Hyjit, ndaj të afërmit dhe ndaj botës. Unaza e dytë është mbajtja nën kontroll e vullnetit vetjak për hir të Hyjit. Çdo njeri me dashuri të përsosur dhe të plotë për Hyjin nuk mban asgjë për vete nëse ajo nuk i pëlqen Hyjit. Ja pra, biri im, Hyji të jep këtë parzmore që unë e kam fituar për ty siç ishte parashikuar nga hiri i Hyjit."

Pastaj u shfaq i lumi Pal dhe tha: "O, biri im, Pjetri, kryebariu i deleve, të dha një parzmore. Nga dashuria për Hyjin sot po të jap atë mburojë që është dashuria për të afërmin, gatishmëria të vdesësh për shpëtimin e të afërmit me ndihmën e hirit të Hyjit. Ashtu si shumë pllaka kombinohen në mburojë dhe bashkohen me gozhda, po kështu ka shumë virtyte që bashkohen në dashurinë për të afërmin. Kush e do të afërmin duhet para së gjithash të ndjejë keqardhje, pasi jo të gjithë ata që janë shëlbuar nga gjaku i Jezu Krishtit ia shpërblejnë Atij duke dashur Hyjin. Në radhë të dytë duhet t’i vijë keq sepse Kisha e Shenjtë, nusja e Hyjit, nuk është në kushtet më të lavdërueshme. E treta, sepse ka shumë pak që i kujtojnë vuajtjet e Hyjit me ankth dhe dashuri. E katërta, duhet të ketë kujdes që të mos e shthurë të afërmin duke i dhënë atij shembull të keq. E pesta, ai duhet t’i japë të mirat e veta të afërmit me gëzim dhe t’i lutet Hyjit për të që të përparojë dhe të bëhet i përsosur në çdo mirësi.

Gozhdat që i mbajnë bashkë pllakat janë fjalët e përshpirtshme. Kur një njeri i mirë e sheh të afërmin në hall, ai duhet ta ngushëllojë me fjalë dashurie; ai duhet ta mbrojë kur e sulmojnë padrejtësisht; duhet të vizitojë të sëmurët, të lirojë robërit dhe t’i vijë keq për të varfërit. Ai duhet ta dojë gjithmonë të vërtetën, të mos vërë asgjë mbi dashurinë e Hyjit dhe kurrë të mos devijojë nga rruga e drejtësisë. Unë vetë isha pajisur me këtë mburojë pasi isha i dobët me të dobëtit, nuk kisha turp të thoja të vërtetën para mbretërve dhe princave dhe isha gati të vdisja për shpëtimin e të afërmit."

Pastaj u shfaq Nëna e Hyjit dhe i tha kalorësit: "Biri im, ç’të nevojitet akoma?" Dhe ai tha: "Nuk kam helmetë për kokën." Nëna e mëshirës i tha atëherë engjëllit mbrojtës të shpirtit të tij: "Ç’dobi i ka sjellë mbrojtja jote këtij shpirti dhe ç’ke për t’i paraqitur Hyjit?" Engjëlli u përgjigj: "Kam diçka për t’i paraqitur, por nuk është ndonjë gjë e madhe. Ndonjëherë ai jepte lëmosha dhe ndonjëherë thoshte lutje. Ndonjëherë e mohonte vullnetin e vet për hir të Hyjit duke i kërkuar Hyjit me sinqeritet që të arrinte të ndjente neveri për botën dhe ta donte Hyjin mbi gjithçka."

Nëna u përgjigj: "Është gjë e mirë që ke diçka për të sjellë. Atëherë do të bëjmë çka bën një argjendar i zoti kur dëshiron të bëjë ndonjë objekt të çmueshëm me ar. Nëse i duhet ar dhe nuk ka, ai u kërkon ndihmë miqve që kanë. Miqtë që kanë ar e ndihmojnë ta përfundojë veprën e tij. Nëse dikush po bën një objekt argjile, kush do t’i japë ar? Nuk është e udhës të përzihet ari me argjilën. Prandaj të gjithë shenjtërit, të pasur me ar, bashkë me mua do të sigurojnë një helmetë për ty. Helmeta është synimi për t’i pëlqyer vetëm Hyjit. Ashtu si helmeta e mbron kokën nga shigjetat dhe goditjet, po ashtu një synim i mirë që priret vetëm kah Hyji e mbron shpirtin që të mos e mposhtin tundimet e djallit dhe fut Hyjin në shpirt.

Kalorësi i mirë Gjergj kishte këtë synim, siç e kish edhe Maurici dhe shumë të tjerë, përfshirë cubin që u kryqëzua. Pa të askush nuk mund të hedhë themele të forta apo të fitojë shpërblimin. Helmeta duhet të ketë dy të hapura para syve që njeriu të shikojë përpara gjithçka që i afrohet. Këto të hapura janë dija mbi gjërat që duhet bërë dhe kujdesi për gjërat që duhen shmangur, pasi pa dije dhe meditim shumë gjëra që duken të mira në fillim rezultojnë të këqija në fund."

Nëna e pyeti përsëri kalorësin: "Ç’të nevojitet tjetër, biri im?" Dhe ai u përgjigj: "Duart i kam zhveshur e nuk kam mburojë." Nëna tha: "Do të të ndihmoj që të mos i kesh duart zbuluar. Ashtu siç ke dy duar trupore, po ashtu ke edhe dy shpirtërore. Dora e djathtë me të cilën mbahet shpata simbolizon veprat e drejtësisë. Ajo duhet të ketë pesë virtyte si pesë gishta. Gishti i parë nënkupton që njeriu së pari duhet të jetë i drejtë me vetveten. Kjo arrihet duke treguar kujdes në çdo fjalë, veprim apo shembull që mund të ofendojë të tjerët apo mund t’i shthurë ata. Gishti i dytë nënkupton se nuk duhet bërë drejtësi apo vepra drejtësie për interesa njerëzore apo nga lakmia tokësore, por vetëm nga dashuria për Hyjin. I treti nënkupton që nuk duhet të kesh frikë nga askush, as të bësh një sy qorr për hir të miqësisë e as të shkelësh drejtësinë për hir të dikujt, qoftë i pasur apo i varfër, mik apo armik.

I katërti do të thotë të jesh gati të vdesësh për hir të drejtësisë. I pesti do të thotë jo vetëm të bësh drejtësi por edhe ta duash drejtësinë me urti. Gjykimi bëhet me mëshirë dhe drejtësi, ai që bën mëkat më të vogël korigjohet në një mënyrë dhe ai që bën mëkat më të madh korigjohet në mënyrë tjetër dhe ndryshe ai që mëkaton nga padija e ndryshe ai që mëkaton me paramendim ose nga ligësia. Kushdo që i ka këta pesë gishta duhet të tregohet i kujdesshëm që të mos e mprehë shpatën nga padurimi e as mos ta çmprehë me kënaqësi tokësore apo ta hedhë nga pakujdesia ose ta nxijë nga kotësia.

Dora e majtë simbolizon lutjen e drejtë. Edhe kjo ka pesë gishta. I pari është besimi i palëkundur në nenet e fesë në lidhje me natyrat hyjnore dhe njerëzore, duke e vënë gjithçka në zbatim dhe duke besuar gjithçka që Kisha e Shenjtë, nusja e Hyjit, mëson. E dyta është refuzimi për të mëkatuar me dashje kundër Hyjit, krahas dëshirës për të shlyer të gjitha mëkatet e kryera me anë të pendesës dhe veprave pendestare. I treti është t’i lutesh Hyjit që ta shndërrojë dashurinë për trupin në dashuri shpirtërore. I katërti është që të mos jetosh për asgjë tjetër në botë përveçse për t’i dhënë lavdi Hyjit dhe për të reduktuar morinë e mëkateve. I pesti është të mos besosh kurrë në forcat e tua por gjithmonë të kesh frikën e Hyjit dhe të presësh vdekjen në çdo çast. Ja, biri im, këto janë dy duart që ti duhet të kesh. Me dorën e djathtë vringëllo shpatën e drejtësisë kundër shkelësve të drejtësisë. Me dorën e majtë të lutjes kërko ndihmën e Hyjit që të mos i besosh kurrë drejtësisë sate as të tregohesh i pafytyrë ndaj Hyjit."

E bekuara Mari u shfaq përsëri dhe i tha kalorësit: "Ç’gjë tjetër të nevojitet, biri im?" Ai u përgjigj: "Mburoja këmbësh." Dhe ajo tha: "Dëgjomë, o kalorës, që dikur i përkisje botës por që tani je i imi. Hyji krijoi gjithçka në qiell dhe në tokë, por më i bukuri dhe më i denji mes krijesave të ulta është shpirti, i ngjashëm, në planet e veta, me vullnetin e mirë. Ashtu si shumë sythe çelin nga një pemë, po kështu çdo përsosshmëri e virtytshme buron nga shpirti me anë të veprave shpirtërore. Prandaj, për të patur mburojë shpirtërore këmbësh, ti duhet, me hirin e Hyjit, të fillosh me vullnet të mirë.

Një meditim i dyfishtë duhet ta mbështesë vullnetin tënd si dy këmbë që qëndrojnë në baza të arta. Këmba e parë e shpirtit të përsosur është meditimi që vijon: që ti nuk do të mëkatoje edhe sikur të mos kishte ndëshkim për mëkatin. Këmba e dytë konsiston në kryerjen e veprave të mira me durim të madh dhe dashuri për Hyjin, qoftë edhe sikur të mallkohesh. Gjunjët e shpirtit janë gëzimi dhe forca e synimit të mirë. Ashtu si gjunjët mblidhen e përkulen me përdorimin e këmbëve, edhe synimi i shpirtit duhet të përkulet dhe ndalojë në bindje për të arësyetuar sipas vullnetit të Hyjit.

Është shkruar se shpirti dhe mishi janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Prandaj edhe Pali thotë: 'Nuk bëj të mirën që dua.' Eshtë sikur të thoshte: 'Dua të bëj mirë sipas shpirtit, por nuk jam i aftë për shkak të dobësisë së mishit. Por çfarë ndodh kur ndonjëherë jam në gjendje t’i bëj ato por pa gëzim?' A do t’i mohohet shpërblimi Apostullit ngaqë pati vullnet por jo aftësi, apo pse bëri vepra të mira por jo me gëzim? Patjetër që jo!

Përkundrazi, shpërblimi i tij do të dyfishohet: e para sepse, përsa i përket njeriut të jashtëm, veprimi ishte i vështirë për të për shkak të rezistencës së mishit për të bërë mirë; e dyta sepse, përsa i përket njeriut të brendshëm, ai nuk mori gjithmonë ngushëllim shpirtëror. Po ashtu shumë laikë punojnë në botë por nuk marrin shpërblim për këtë pasi veprojnë për motive materiale. Nëse do t’i kish urdhëruar Hyji të punonin, ata nuk do të ishin aq të zellshëm. Këto dy këmbë të shpirtit atëherë, refuzimi për të mëkatuar kundër Hyjit dhe synimi për të bërë vepra të mira edhe sikur të çonin në mallkim, duhen pajisur me një mburojë të dyfishtë, konkretisht përdorimin me inteligjencë të të mirave të përkohshme dhe dëshirën inteligjente për të kërkuar ato qiellore. Përdorimi inteligjent i të mirave kalimtare do të thotë t’i zotërosh për qëllimin e një jetese të thjeshtë dhe jo për salltanete. Dëshira inteligjente për të mira qiellore nënkupton synimin për të fituar qiellin me anë të veprave të mira. Njeriu është larguar nga Hyji me anë të mosmirënjohjes dhe plogështisë, prandaj ai duhet të kthehet tek Hyji me vepra dhe përvujtëri. Prandaj, biri im, meqenëse ti nuk i ke këto, le t’u drejtohemi martirëve dhe dëshmitarëve të shenjtë që ishin të kamur me pasuri të tilla dhe t’u kërkojmë ndihmë për ty."

Pastaj u shfaqën shenjtërit dhe thanë: "O, e Lumja Zonjë, ti mbajte Zotin e jetës dhe ti je Zoja e gjithë krijimit. Ka gjë që ti nuk mund ta bësh? Ti do dhe bëhet. Vullneti yt është gjithmonë vullneti ynë. Ti je vërtet Nëna e dashurisë pasi ti kujdesesh për të gjithë me dashuri." Nëna u shfaq përsëri dhe i tha kalorësit: "Bir, ende na mungon mburoja. Mburoja ka nevojë për dy gjëra: nga njëra anë fuqinë nga ana tjetër emblemën e zotërisë të cilit dikush i shërben si ushtar. Mburoja shpirtërore simbolizon meditimin për pasionin e mundimshëm të Hyjit. Kjo duhet të jetë në krahum tënd të majtë, pranë zemrës, kështu sa herë që kënaqësia e mishit të josh mendjen ti mund të sjellësh ndërmend plagët e Jezu Krishtit. Sa herë që përbuzja e botës dhe kundërshtimet ta ngacmojnë dhe trishtojnë mendjen, ti duhet të kujtosh varfërinë dhe poshtërimin e Krishtit. Sa herë që nderet dhe një jetë e gjatë trupore të tundojnë, ti duhet të sjellësh ndërmend vuajtjet dhe vdekjen e Krishtit.

Një mburojë e tillë duhet të ketë forcën e këmbënguljes në mirësi dhe zemërgjerësinë e dashurisë. Emblema në mburojë duhet të ketë dy ngjyra, pasi asgjë nuk shihet më qartë në largësi se diçka e përbërë nga dy ngjyra të ndezura. Ngjyrat që e zbukurojnë mburojën e meditimit mbi vuajtjet hyjnore janë, nga njëra anë, vetëkontrolli mbi emocionet e çrregullta dhe, nga ana tjetër, pastërtia dhe mbajtja nën kontroll e dëshirave trupore.

Në të vërtetë qielli ndriçohet nga këto dy ngjyra dhe engjëjt i shohin ato dhe brohorasin me gëzim duke thënë: 'Ja shenja e pastërtisë dhe simboli i miqësisë! Ne duhet ta ndihmojmë këtë kalorës.' Dajtë e shohin kalorësin të zbukuruar me këto simbole në mburojë dhe bërtasin: 'Si t’ia bëjmë? Këtë kalorës është e frikshme ta takosh dhe është i armatosur mirë. Anash ka armët e virtytit, mbrapa tij është një ushtri engjëjsh, në të majtë ka një rojtar të kujdesshëm, Hyjin vetë, dhe rreth e rrotull tij ka shumë sy të kujdesshëm ndaj ligësisë sonë. Po të ndeshemi me të do të turpërohemi pasi nuk mund të fitojmë në asnjë mënyrë.' Lum ai kalorës të cilin engjëjt e nderojnë dhe nga i cili djajtë tremben! Por, biri im, meqenëse ende s’e ke këtë mburojë, le t’u lutemi engjëjve të shenjtë, të cilët shkëlqejnë me pastërti shpirtërore, që të të ndihmojnë."

Nëna thotë përsëri: "Biri im, na mungon edhe shpata. Shpata duhet të ketë dy cilësi: e para, duhet të ketë tehe të mprehtë dhe e dyta duhet të mprehet mirë. Shpata shpirtërore është besimi tek Hyji për të luftuar për drejtësi. Ky besim duhet të ketë dy tehe: drejtësi në begati, si të thuash, në tehun e djathtë dhe falenderim në fatkeqësi, si të thuash, në tehun e majtë. Jobi i mirë kishte një shpatë të tillë. Kur ishte në begati ai ofronte fli për bijtë e tij dhe ishte si baba për të varfërit dhe dera e tij qëndronte hapur për shtegtarin. Nuk ecte në udhën e kotësisë dhe as dëshironte të mirat e të tjerëve, por i trembej Hyjit si Atij që qëndron në valët e detit. Edhe në fatkeqësi ai falenderoi. Kur humbi fëmijët, kur e shoqja e qortoi dhe i munduar nga plagë të tmerrshme, ai duroi gjithçka me durim, duke thënë: 'Zoti dha, Zoti mori. Bekuar qoftë Zoti.' Kjo shpatë duhet mbajtur e mprehur mirë duke i shpartalluar sulmuesit e drejtësisë siç bënë Mojsiu dhe Davidi, duke treguar zell për ligjin si Fineasi, duke folur me vendosmëri si Elia dhe Gjoni. O sa shumë vetë sot kanë shpatë jo të mprehtë! Edhe pse flasin me fjalë, nuk ngrenë as edhe një gisht e nuk i vënë mend lavdisë së Hyjit por kërkojnë për përfitime njerëzore. Dhe kështu, pasi ti nuk e ke një shpatë të tillë, le t’u lutemi patriarkëve dhe profetëve që kishin besim aq të madh në Hyjin dhe do të na jepet një shpatë."

Nëna u shfaq përsëri dhe i tha kalorësit: "Biri im, të nevojitet edhe diçka tjetër për të mbuluar armët e për t’i mbrojtur nga ndryshku dhe shiu. Kjo mbulesë është dashuria, gatishmëria për të dhënë jetën për Hyjin, madje edhe – nëse do të ishte e mundur – ndarja nga Hyji për hir të shpëtimit të vëllezërve. Kjo lloj dashurie i mbulon të gjitha mëkatet, i ruan virtytet, e fashit zemërimin e Hyjit, i bën të gjitha gjërat të mundshme, i tremb e i largon djajtë dhe është gëzimi i engjëjve. Kjo mbulesë duhet të jetë e bardhë nga brenda dhe të shndritë si ar së jashtmi, pasi kudo që gjendet zelli i dashurisë hyjnore, nuk neglizhohet asnjë lloj pastërtie. Apostujt ishin plot me këtë dashuri. Duhet t’u lutemi që të të ndihmojmë."

Nëna u shfaq përsëri dhe tha: "Biri im, ende të nevojitet një kalë dhe një shalë. Kuptimi shpirtëror i kalit është pagëzimi. Ashtu si kali ka katër këmbë dhe e mban njeriun në udhëtimin që ai duhet të kryejë, ashtu edhe pagëzimi, i simbolizuar nga kali, e mban njeriun në sytë e Hyjit dhe ka katër ndikime shpirtërore. Ndikimi i parë është që të pagëzuarit lirohen nga djalli dhe duhet zbatojnë urdhëresat e Hyjit e t’i shërbejnë Atij. Ndikimi i dytë është se ata pastrohen nga mëkati i rrjedhshëm. I treti është se ata bëhen fëmijë të Hyjit dhe bashkëtrashëgimtarë. I katërti është që atyre u hapet qielli.

E megjithatë sa të shumtë janë sot ata që kur arrijnë moshën e arësyes ia lëshojnë frenat kalit të pagëzimit dhe kalërojnë në rrugë të gabuar! Rruga e pagëzimit është e vërtetë dhe ndiqet taman atëherë kur njerëzit mësohen dhe mbështeten me zakone të mira morale përpara se të arrijnë moshën e arësyes dhe pasi arrijnë moshën e arësyes dhe duke medituar me kujdes për premtimin e bërë në pagëzimore ata e mbajnë të paprekur fenë dhe dahurinë e tyre për Hyjin. Megjithatë ata kalërojnë jashtë rrugës së drejtë dhe i tërheqin kapistrat kalit kur preferojnë botën dhe trupin në vend të Hyjit.

Shala e kalit ose e pagëzimit është efekt i mundimeve dhe vdekjes së Jezu Krishtit që i dha pagëzimit efikasitet. Ç’është uji përveçse një element? Sapo gjaku i Hyjit u derdh, fjala e Hyjit dhe fuqia e gjakut të derdhur të Hyjit hynë tek elementi. Prandaj me fjalën e Hyjit uji i pagëzimit u bë mjeti i pajtimit mes njerëzimit dhe Hyjit, porta e mëshirës, dëbimi i djajve, rruga për në qiell dhe falja e mëkateve. Kështu ata që duan të krenohen me fuqinë e pagëzimit duhet të konsiderojnë së pari si efekti i pagëzimit u themelua me dhimbje të madhe. Kur mendja e tyre fryhet me krenari kundër Hyjit, le të reflektojnë sa i hidhur ka qenë shëlbimi i tyre, sa herë i kanë shkelur premtimet pagëzimore dhe ç’meritojnë për kthimet në mëkat.

Për të qëndruar pa u lëkundur në shalën e efektit pagëzimor, dy yzengji nevojiten, domethënë dy meditime në lutje. Së pari njeriu duhet të lutet në këtë mënyrë: Zot Hyj i gjithpushtetshëm, bekuar qofsh Ti që më ke krijuar dhe shëlbuar. Edhe pse meritoj të mallkohem, Ti u tregove tolerant me mëkatet e mia dhe më ktheve me pendesë. Zot, në prani të madhërisë Sate unë pranoj se kam shkapërderdhur kot dhe me faj gjithçka që më ke dhënë për shëlbimin tim. E kam humbur kohën që më është dhënë për pendesë në kotësira, trupin ia kam lëshuar teprive dhe e kam harxhuar hirin e pagëzimit me anë të krenarisë. Të gjitha këto i kam dashur më shumë se Ty, Krijuesin dhe Shëlbuesin im, ushqyesin dhe mbrojtësin tim. Prandaj unë lutem për mëshirën tënde, pasi në vetvete unë jam fatkeq. Meqenëse nuk e njihja durimin Tënd të mirë ndaj meje e as I trembesha gjykimit Tënd të tmerrshëm, nuk mendoja si duhej për t’i shpërblyer dhuratat e Tua të mira të panumërta. Përkundrazi, ditë pas dite unë kërkoja të të provokoja me ligësinë time. Kështu që kam vetëm një gjë për të të thënë: Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës Sate të madhe!'

Lutja e dytë është kështu: 'Zot Hyj i gjithpushtetshëm, e di se gjithçka që kam vjen prej Teje dhe se jam një hiç pa Ty dhe se nuk mund të bëj asgjë pa Ty përveçse asaj çka vetë kam kryer e që nuk është tjetër veç mëkat. Prandaj përvujtërisht kërkoj mëshirën tënde. Mos u sill me mua sipas mëkateve të mia por sipas mëshirës Sate të madhe. Dërgo Shpirtin Tënd Shenjt që ta ndriçojë zemrën time dhe të më forcojë në udhën e urdhëresave të Tua që të jem në gjendje të qëndroj deri në fund në atë që kam mësuar nëpërmjet frymëzimit Tënd dhe kurrë tundimet të mos më ndajnë prej Teje.'
Prandaj, biri im, meqenëse ty të mungon kjo, le t’u lutemi atyre të cilët e ngulitën Pasionin e Hyjit në zemër me keqardhjen më të madhe që ta bashkëndajnë dashurinë e tyre me ty."

Kur u tha kjo, u shfaq papritur një kalë me zbukurime të praruara. Dhe Nëna tha: "Zbukurimet e kalit simbolizojnë dhuratat e Shpirtit Shenjt që jepen në pagëzim. Pavarësisht nëse administrohen nga një ministër i mirë ose i keq, pagëzimi fshin fajin stërgjyshor, rrit hirin, flak çdo mëkat, e jep Shpirtin Shenjt si peng, engjëjt si mbrojtës dhe qiellin si trashëgimi.
Ja, biri im, këto janë pajimet e kalorësit shpirtëror. Kalorësi që i vesh ato, merr pagën e pashprehshme me të cilën mund të blejë gëzim të pasosur, nder tejet të paqtë, bollëk të përjetshëm dhe jetë të amshuar."
Kalorësi ishte zotëri Karli, i biri i Shën Brixhidës.