Nusja lëvdon Krishtin dhe Virgjërën. Përgjigja ngushëlluese që Virgjëra i jep bijës duke i thënë se Hyji shpesh e bën më të dukshëm pushtetin e Vet me anë të gënjeshtrave të djallit. Dhe si provat kanë dobi shpirtërore.
Libri 4 - Kapitulli 75

I bekuar je Ti, Hyji im, Krijuesi dhe Shëlbuesi im. Ti je haraçi i paguar për të na çliruar nga robëria e në sajë të të cilit ne shpëtohemi dhe bëhemi një me Njësinë dhe Trininë. Prandaj, edhe pse skuqem nga shëmtia ime, prapë unë galdoj në sajin Tënd që ke vdekur dikur për të na shpëtuar dhe nuk do të vdesësh më kurrë. Ti je vërtet Ai që ekzistonte përpara çdo kohe, Ai që ka pushtet mbi jetën dhe vdekjen. Vetëm ti je Hyj, i gjithpushtetshëm dhe i mrekullueshëm. Qofsh bekuar përgjithmonë!

Por ç’të them për ty, o e lumja Mari, shpëtimi i botës mbarë? Ti je si dikush që ka një mik të trishtuar për diçka të humbur dhe ia vë atij papritur para syve sendin e humbur, duke ia lehtësuar kështu dhimbjen, duke i shtuar gëzimin dhe duke ia ndezur gjithë shpirtin me ngazëllim. Ti, tejet e ëmbla Nënë, i tregove botës Hyjin që ajo kish humbur. Ti linde Atë që kish lindur para kohës dhe për lindjen e të Cilit u gëzua qielli dhe toka. Prandaj, e ëmbla Nënë, po të lutem të më ndihmosh që armiku të mos ketë pse të gëzohet prej meje e as të më mposhtë me dredhitë e tij."

Nëna u përgjigj: "Unë do të të ndihmoj. Përse trazohesh që diçka e pe shpirtërisht dhe diçka tjetër e dëgjove fizikisht – domethënë për kalorësin e gjallë fizikisht por që t’u tregua si i vdekur shpirtërisht, nevojtar për ndihmë shpirtërore? Dëgjo tani diçka që është e sigurtë. Çdo e vërtetë vjen nga Hyji dhe çdo gënjeshtër nga djalli që është ati i gënjeshtrave. Por edhe pse e vërteta vjen nga Hyji, prapë, nga ligësia dhe fallsiteti i djallit, që Hyji ndonjëherë e lejon sipas vendimeve të Tij të fshehta, fuqia e Hyjit del më qartë në pah, siç do ta tregoj me anë të një krahasimi.

Na ishte njëherë një vajzë që e donte shumë dhëndrin dhe ai e donte atë po aq shumë. Hyji përlëvdohej nga dashuria e tyre dhe prindërit e të dyve ishin të lumtur. Armiku i tyre e pa këtë dhe mendoi me vete: 'E di se nusja dhe dhëndri bashkohen në tre mënyra – me anë të letrave, me anë të bisedave mes tyre dhe fizikisht. Prandaj unë do t’i mbush rrugët me hunj, driza dhe ferra që t’ua bllokoj kalimin lajmëtarëve dhe postierëve. Për t’i penguar të bisedojnë do të bëj zhurmë e shamatë që t’i shpërqëndroj. Për t’i penguar të rrinë bashkë të zhveshur në shtrat, do të caktoj roje në çdo cep e qoshe që të mos kenë mundësi të bashkohen.'

Dhëndri, më i mprehtë se armiku i tij, i kuptoi këto gjëra dhe u tha shërbëtorëve të tij: 'Armiku im po më ngre kurthe në filan dhe filan vend. Hapni sytë atje dhe nëse e zbuloni, lëreni derisa t’i ngrejë kurthet, pastaj suljuni por mos e vrisni. Bërtisni që shërbëtorët e tjerë t’i shohin kurthet e armikut e të tregohen më të kujdesshëm.' Diçka e ngjashme ndodh për gjërat shpirtërore. Letrat me anë të të cilave dhëndri dhe nusja, domethënë Hyji dhe shpirti i mirë bashkohen, janë thjesht lutjet dhe aspiratat e njerëzve të mirë. Ashtu si letrat fizike janë shenjë e ndjenjave dhe synimeve të dërguesit, po ashtu lutjet e të mirëve hyjnë në zemrën e Hyjit dhe e bashkojnë shpirtin me Hyjin në një lidhje të vetme dashurie. Por djalli ndonjëherë e pengon zemrën e njeriut që të kërkojë atë çka i bën mirë shpëtimit të shpirtit apo që është kundër kënaqësië së mishit. Gjithashtu ai nuk lejon që të dëgjohen ata që luten për mëkatarë të tjerë pasi, duke qenë mëkatarë, ata nuk kërkojnë përmirësimin e shpirtit të vet e as ndonjë gjë me vlerë të përjetshme.

Bisedat me anë të të cilave dhëndri dhe nusja bëhen një zemër dhe një shpirt nuk simbolizojnë gjë tjetër përveç rrëfimit dhe pendesës. Ndonjëherë djalli bën aq zhurmë mes tyre saqë ata nuk arrijnë ta dëgjojnë njëri-tjetrin. Kjo zhurmë nuk simbolizon gjë tjetër përveç sugjerimeve të ulta që djalli i bën zemrës që dëshiron të bëjë pendesë të frytshme. Ai i thotë kështu me ngacmimet e tij: 'O, shpirti im sqimatar, a nuk është e vështirë të zbatosh praktika të pazakonta? A mendon se gjithkush mund të bëhet i përsosur? Mjaft e ke të jesh një mes të shumtëve? Pse përpiqesh të bësh gjëra më të mëdha? Pse bën gjëra që asnjë tjetër nuk i bën? Nuk do të jesh në gjendje t’i çosh deri në fund. Të gjithë do të gajasen me ty nëse e tepron duke e ulur veten.'

I mashtruar nga sugjerime të tilla, shpirti mendon me vete: 'Është e vështirë të heqësh dorë nga praktikat e zakonshme. Thjesht do të rrëfehem për mëkatet e kaluara. Boll e kam të bëj ashtu siç bën shumica. Nuk jam në gjendje të bëhem i përsosur. Me siguri që Hyji është i mëshirshëm. Ai nuk do të na kishte shëlbuar nëse do të donte që të humbisnim.' Me këtë zhurmë djalli e pengon Hyjin ta dëgjojë shpirtin. Kjo nuk do të thotë se Hyji nuk dëgjon gjithçka, por që Atij nuk i pëlqen të dëgjojë biseda ku shpirti i bindet më tepër tundimit se arësyes.

Bashkimi lakuriq mes Hyjit dhe shpirtit nuk simbolizon tjetër përveç dëshirës qiellore dhe dashurisë së pastër me të cilën shpirti duhet të digjet çdo orë. Kjo dashuri pengohet në katër mënyra. E para, djalli e shtyn shpirtin të bëjë ndonjë gjë kundër Hyjit që, edhe pse nuk është diçka serioze, prapë i jep kënaqësi mendjes së tij. Gëzimi i këtij lloji, meqenëse ai e merr lehtë dhe nuk shqetësohet për të, është i neveritshëm për Hyjin. E dyta, djalli i frymëzon shpirtit të bëjë vepra të mira për t’u pëlqyer të tjerëve dhe herë të tjera nga frika ose për interesa tokësore, e shtyn të lërë pa bërë vepra të mira që ai mund t’i bëjë. E treta, djalli i shkakton harresë dhe apati në shpirt në lidhje me veprat e mira që ai duhet të kryejë dhe mërzitet së bëri mirë. E katërta, djalli e bën shpirtin ta lëshojë veten kokë e këmbë në çështje tokësore, trishtime dhe gëzime të kota ose frikëra të ekzagjeruara.

Gjëra të tilla i pengojnë letrat, domethënë lutjet e të drejtit si edhe bisedat reciproke të dhëndrit dhe nuses. Megjithatë, edhe pse djalli është dinak, Hyji është akoma më i mençur e më i fortë e i shkatërron kurthet e armikut të Tij në mënyrë që letrat e dërguara t’i mbërrijnë dhëndrit.

Kurthet shkatërrohen atëherë kur Hyji frymëzon mendime të mira dhe kur zemra dëshiron t’i largohet veprave të ulta dhe të bëjë vepra që i pëlqejnë Hyjit. Poterja e armikut bëhet zap kur shpirti bën pendesë me maturi dhe është i vendosur të mos i përsërisë mëkatet e rrëfyera.

Ta dish se djalli nuk bën shamatë e potere vetëm për ata që janë armiqësorë ndaj Hyjit por edhe për miqtë e Hyjit. Këtë mund ta kuptosh më mirë me anë të një krahasimi. Njëherë, ndërsa një vajzë po fliste me një burrë, në mes tyre u shfaq një perde. Burri e pa, por vajza jo. Në fund të bisedës, vajza ngriti sytë dhe e pa perden. E frikësuar, ajo tha me vete: 'Hyji më ndihmoftë që të mos mashtrohem nga kurthet e djallit!' Kur dhëndri e pa trishtimin e vajzës, ai e hoqi perden dhe i tregoi të vërtetën mbi gjithçka. Po ashtu të përsosurit mund të marrin frymëzime hyjnore por djalli pastaj fillon potere sa herë që ata krekosen nga krenaria ose deprimohen nga frika e tepruar ose i tolerojnë mëkatet e të tjerëve lehtësisht ose dobësohen nga gëzimi ose trishtimi i tepërt.

Diçka e ngjashme të ka ndodhur ty. Djalli i shtyu disa persona që të të shkruajnë se ai që ishte gjallë kish vdekur dhe ty të pushtoi një trishtimi madh. Por Hyji të tregoi vdekjen e tij shpirtërore dhe kështu, për ngushëllimin tënd, Hyji provoi të vërtetë në kuptim shpirtëror atë që ishte e rremë në kuptim fizik. Ti e sheh se është e vërtetë çka ata thonë për provat që çojnë në përfitime shpirtërore. Po të mos ishte trishtuar për shkak të gënjeshtrës që dëgjove, një fuqi kaq e madhe dhe bukuri shpirtërore nuk do të të ishte treguar. Për këtë arësye dhe që ti të mund ta kuptosh planin e fshehtë të Hyjit, një lloj perdeje u ul mes shpirtit tënd dhe Hyjit ndërsa Ai fliste, pasi shpirti i atij njeriu u shfaq në formën e një nevojtari dhe Hyji e bëri këtë vëzhgim në fund të çdo lokucioni: 'Kur t’i vijë koha do ta marrësh vesh nësë ai ka vdekur apo është gjallë.' Sapo t’u tregua bukuria dhe zbukurimi shpirtëror që një shpirt duhet të ketë për të hyrë në qiell, perdja u hoq dhe t’u tregua e vërteta, konkretisht se ai njeri ishte i gjallë fizikisht por i vdekur shpirtërisht dhe se kushdo që hyn në atdheun qiellor duhet të jetë i armatosur me virtyte të tilla.

Sidoqoftë, synimi i djallit ishte të të tundonte me gënjeshtra dhe të të trazonte në mënyrë që të të shpërqëndronte nga dashuria e Hyjit me trishtimin për humbjen e një njeriu kaq të dashur. Por sapo the 'Hyj më ndihmo nëse ky është iluzion!' perdja u hoq dhe t’u treguan e vërteta fizike dhe shpirtërore. Pra djallit i lejohet të mundojë edhe të drejtët në mënyrë që shpërblimi i tyre të rritet."