Virgjëra i flet bijës për t’i treguar kush janë miqtë e Hyjit. Edhe për numrin e paktë të tyre në kohët e sotme si mes laikëve ashtu edhe mes klerikëve. Dhe përse Hyji që është i pasur e do varfërinë, përse Ai zgjodhi të varfërit dhe jo të pasurit dhe për ç’arësye kishës iu lejua të ketë pasuri.
LIBRI 4 - KAPITULLI 76

Nëna i flet nuses për Krishtin: "Përse je shqetësuar, bija ime?" Ajo përgjigjet: "Sepse kam frikë mos më çojnë mes mëkatarëve kokëfortë." Dhe Nëna tha: "Si mund ta dish a janë kokëfortë apo miq të Hyjit?" Ajo tha: "Nuk di nga ta kuptoj këtë. Patjetër që nuk guxoj të gjykoj askënd pasi m’u treguan dy vetë. i pari ishte shumë i përvuajtur dhe i shenjtë në sytë e njerëzve, kurse tjetri ishte plangprishës dhe ambicioz. Megjithatë synimet dhe vullneti i tyre nuk përkonin me veprat që kryenin. U tremba pa masë."

Nëna u përgjigj: "Njeriut i lejohet të gjykojë kur ligësia duket qartë me qëllim që të shprehë keqardhje ose për të korigjuar. Por nuk është mirë të gjykojë në raste të dyshimta. Për këtë dëshiroj të të tregoj se cilët janë miqtë e Hyjit. Ta dish se miqtë e Hyjit janë ata që i pranojnë dhuratat e Hyjit me frikë të përshpirtshme, që e falenderojnë gjithnjë Atë për to dhe nuk dëshirojnë gjëra të panevojshme por kënaqen me çka u është dhënë.

Po ku mund të gjenden njerëz të tillë? Le të kërkojmë fillimisht mes njerëzve të thjeshtë. Kush prej tyre thotë, 'Kam boll, nuk dua më shumë'? Le të shohim mes kalorësve dhe zotërinjve të tjerë. Kush prej tyre mendon si vijon: 'Të mirat që kam i kam trashëguar dhe prej tyre dua aq sa më nevojitet të jetoj siç duhet para Hyjit dhe njerëzve. Të tjerat do t’i ndaj me Hyjin dhe të varfërit. Por nëse zbuloj se në trashëgiminë time ka gjëra të fituara padrejtësisht, atëherë ose do t’i kthej ose do t’ia parashtroj çështjen shërbëtorëve të zgjedhur të Hyjit.' Mendime të tilla, bija ime, janë të rralla këtu në tokë.

Le të shohim edhe mes mbretërve dhe gjeneralëve. Kush prej tyre e meriton të lavdërohet? Është mbret ai që është si Jobi në karakter, si Davidi në përvujtëri, si Fineasi në zellin për ligjin, si Mojsiu në butësi dhe durim. Është general ai që udhëheq ushtrinë e mbretit dhe e rreshton për betejë; që, si Jozueu, ka besim tej Hyji dhe frikë të përshpirtshme; që, si Joabi, përpiqet për interesin e të zotit dhe jo për të vetin; që, si Juda Makabeu, tregon zell për ligjin dhe i dëshiron të mirën të afërmit. Një gjeneral i tillë është si njëbrirësh me bri të mprehtë në ballë dhe një gur të çmuar nën bri. Ç’simbolizon briri i gjeneralit përveç zemrës së tij burrërore me të cilën ai duhet të luftojë trimërisht dhe t’i godasë armiqtë e fesë? Xhevahiri nën bri është dashuria hyjnore e gjeneralit që mbetet e palëkundur në zemrën e tij dhe e bën të shkathët e të pamposhtur në çdo sipërmarrje. Por tashmë gjeneralët janë më tepër si drerë të tërbuar se si njëbrirësh, pasi kudo luftojnë për hir të mishit, jo për hir të shpirtrave apo për Hyjin.

Le të shohim atëherë mes mbretërve. Kush prej tyre nuk e rëndon barrën e shtetasve me krenarinë e vet? Kush prej tyre jeton me të ardhurat e kurorës? Kush e kthen pronën që kurora mban padrejtësisht? Kush harxhon kohë për të bërë drejtësi për hir të Hyjit? Bija ime, ah sikur të kishte mbretër të tillë në botë që t’i jepnin lavdi Hyjit!

Le të shohim edhe në radhët e klerikëve që janë të detyruar ta duan vetëpërmbajtjen, varfërinë dhe përshpirtshmërinë. Ç’është e vërteta edhe ata kanë shkuar në udhë të shtrembër. Ç’janë priftërinjtë përveçse lypsarë të gjorë të Hyjit? Duke qenë se jetojnë me ofertat hyjnore, ata duhet të jenë edhe më të përvuajtur dhe të zellshëm ndaj Hyjit pasi i kanë lënë pas interesat tokësore. Kisha u ngrit mes vështirësish dhe varfërisë në fillim në mënyrë që Hyji të ishte trashëgimia e tyre e që ata të mos krenoheshin me botën apo mishin por me Hyjin.

Por, bija ime, a nuk mund të kishte zgjedhur Hyji mbretër dhe sundimitarë si apostuj e kështu kisha të pasurohej me trashëgimitë e tyre tokësore? Patjetër që mund ta kishte bërë këtë, por Hyji, që është i pasur, erdhi në botë si i varfër për të treguar se gjërat tokësorë janë kalimtare e kështu njerëzit të mësonin nga shembulli i Hyjit të mos turpëroheshin nga varfëria por të rendnin drejt pasurive të vërteta qiellore. Kështu Ai themeloi organizatën e bukur të kishës mbështetur tek një peshkatar dhe e vuri atë në vend të vet të jetonte në botë me provaninë hyjnore dhe jo me trashëgimi.

Pra kisha nisi me tre të mira: e para, me fe të zellshme; e dyta, me varfëri; e treta, me pushtetin e virtyteve dhe të mrekullive. Këto tre gjëra i kish i lumi apostull Pjetër. Ai pati fe të zellshme kur shpalli haptazi Hyjin dhe nuk ngurroi të vdiste për të. Pasi gjithashtu edhe varfëri kur dilte për të lypur dhe ushqehej me punën e duarve të veta. Por ai e tregoi veten të pasur me të mira shpirtërore, gjë që ka më shumë rëndësi, kur, për shembull, i dha të çalit aftësinë për të ecur (gjë që asnjë princ nuk mund ta bënte), edhe pse nuk kishte argjend apo ar për t’i dhënë.

Por a nuk mundej Pjetri, që kishte ngjallur të vdekurit, të kishte ar nëse donte? Patjetër që po, por ai e liroi veten nga barra e pasurisë që ajo të mos e pengonte të hynte në qiell dhe në mënyrë që i zoti i deleve t’u jepte atyre shembullin e përvujtërisë duke treguar se përvujtëria dhe varfëria (qoftë shpirtërore apo fizike) hapin rrugën për në qiell. E treta, ai kishte pushtetin e mrekullive, të sëmurët madje shëroheshin edhe kur hija e tij binte mbi ta. Duke qenë se Pjetri zotëronte përsosmërinë e virtyteve, gjuha e tij u bë çelësi për në qiell dhe emri i tij bekohet në qiell dhe në tokë.
Sidoqoftë, ata që lartësojnë emrat e tyre në tokë dhe duan fëlliqësitë, domethënë gjërat tokësore, harrohen në tokë dhe marrin vlerësim të tmerrshmëm në librin e drejtësisë.

Por Hyji deshi të tregojë se varfëria e Pjetrit dhe e shenjtërve të tjerë nuk ishte e imponuar por e vullnetshme. Për pasojë Ai frymëzoi shumë shpirtra t’u jepnin bujarisht atyre. Megjithatë vetë shenjtërit krenoheshin më tepër në varfëri se në gjembat e pasurisë. Kështu sa më e madhe vërfëria në të cilën jetonin, aq më tepër rritej devotshmëria e tyre. Ka për t’u çuditur këtu?

Si mundeshin ata që e kishin zgjedhur Hyjin për fatin dhe gëzimin e vet të ishin pa Të? Apo si mundeshin ata që kërkonin gëzimet e botës të gjenin ndonjë gëzim tek Hyji? Përkundrazi ai ishte shtegtar i varfër në sytë e tyre. Por me kalimin e kohës, në mënyrë që miqtë e Hyjit të ishin më të zellshëm dhe të gatshëm për të predikuar fjalën e Hyjit dhe që njerëzit ta kuptonin se nuk janë pasuritë që janë të këqija por shpërdorimi i tyre, kishës iu dhanë të mira të përkohshme gjatë papatit të Silvestrit dhe të papëve të tjerë. Këto për një kohë të gjatë u përdorën nga njerëzit e shenjtë vetëm për nevojat e tyre, të miqve të Hyjit dhe për të ndihmuar të varfërit.

Prandaj miq të Hyjit janë ata që kënaqen me provaninë e Hyjit. Edhe nëse nuk i njeh, im Bir i njeh fort mirë. Në të vërtetë Hyji gjendet shpesh në metal të fortë dhe nga stralli mund të nxirret një shkëndijë zjarri. Pra shko e mos u shqetëso. As Biri im kur ishte në trup nuk e ktheu gjithë Judenë menjëherë, as apostujt nuk i kthyen paganët njëherë e përgjthmonë. Jo, puna e Hyjit kërkon kohë më të gjatë për t’u realizuar."