Nusja i drejtohet Krishtit duke shpallur mëshirën e madhe që Ai ka treguar për të. Krishti i përgjigjet duke konfirmuar mëshirën e Tij të ëmbël ndaj saj. Ai e ka zgjedhur atë si enë për ta mbushur me verë nga e cilaj pastaj të pinë shërbëtorët e Hyjit.
LIBRI 4 - KAPITULLI 77

Nder Hyjit të plotfuqishëm për gjithë krijesat e Tij! Lavdi Atij për virtytet që ka! I ofrofshin shërbim të lavdishëm për dashurinë e Tij! Unë, njeri i padenjë, që kam mëkatuar kaq shumë kundër Teje, Hyji im, qysh nga rinia, të falenderoj tejet i ëmbli Hyji im, sidomos sepse nuk ka asnjë aq kriminel sa Ti t’i mohosh mëshirën, mjaft që ai të të kërkojë mëshirë me dashuri dhe përvujtëri të vërtetë dhe me vendosmërinë për të bërë kthesë.

O më i dashuri dhe më i ëmbli Hyj! Çka ke bërë për mua është e mrekullueshme në sytë e të gjithë atyre që e marrin vesh. Sa herë që të pëlqen, Ti ma vë trupin në gjumë – por jo në gjumë trupor por në pushim shpirtëror. Pastaj e ngre shpirtin tim në jetë sikur të zgjohej nga gjumi që ai të dëgjojë dhe ndjejë në mënyrë shpirtërore. O, Zot, sa të ëmbla janë fjalët e gojës Sate! Me të vërtetë më duket, sa herë dëgjoj fjalët e Shpirtit Tënd, sikur shpirti im brenda meje i përpin ato me kënaqësi të papërshkrueshme si t’ishin ushqimi më i ëmbël që duket sikur zbret në zemër e jep gëzim të madh dhe ngushëllim të papërshkrueshëm. Më duket e mrekullueshme që ndërsa dëgjoj fjalët e Tua, unë jam krejtësisht e ngopur dhe prapë se prapë e uritur. Ndjehem e ngopur sepse asgjë tjetër nuk më pëlqen sa fjalët e Tua. Por ndjehem edhe e uritur sepse oreksi im për to rritet vazhdimisht. Pra, i bekuar je Ti, Hyji im, Jezu Krisht! Më ndihmo, Zot, që në të gjitha ditët e jetës sime të bëj çka të pëlqen Ty!"

Krishti u përgjigj duke thënë: "Unë nuk kam as fillim as fund. Gjithë gjërat janë krijuar nga pushteti Im dhe sistemuar nga urtia Ime. Gjithçka e drejtoj Unë dhe asgjë nuk është e pamundur për Mua dhe të gjitha veprat e Mia i kam kryer me dashuri. Për këtë arësye, është jashtëzakonisht zemërgur ai që nuk më do apo nuk ka frikë prej Meje sepse Unë jam edhe kujdestari dhe gjykatësi i të gjithëve. E megjithatë njerëzit bëjnë vullnetin e djallit, vrasësit Tim dhe trathtarit të njerëzimit. U ka dhënë të pijnë helm aq vdekjeprurës në këtë botë saqë shpirti, kur e provon njëherë me kënaqësi, nuk mund të jetojë por bie i vdekur në ferr dhe jeton përgjithmonë në mjerim. Ky është helmi i mëkatit që shumë vetëve u duket i ëmbël por në fund rezulton të jetë shumë i hidhur. Ky helm padyshim pihet me kënaqësi gjithë kohën nga dora e djallit. Kush ka dëgjuar ndonjëherë për një gjë kaq të çuditshme? Njerëzve u ofrohet jeta, por ata zgjedhin dhe përqafojnë vullnetarisht vdekjen.

Megjithatë, Unë, qenia më e fuqishme nga të gjitha, pata mëshirë për mjerimin dhe ankthin e tyre të madh. Veprova si një mbret i pasur dhe zemërmirë që i dërgoi verë të çmueshme shërbëtorëve të vet të ngushtë duke u thënë: 'Pini ju dhe jepuni të pijnë edhe shumë të tjerëve, pasi i bën mirë shëndetit. I jep shëndet të sëmurëve, ngushëllim të trishtuarve dhe zemër të guximshme atyre që janë të shëndetshëm.

Vera gjithashtu nuk dërgohet pa faqore. Këtë kam bërë në të vërtetë në këtë mbretëri. Shërbëtorëve të Mi u dërgova fjalët e Mia që mund të krahasohen me verën më të mirë dhe ata do t’ua përcjellin ato të tjerëve sepse fjalët e Mia bëjnë mirë për shëndetin.

Me faqoren të kam parasysh ty që po dëgjon fjalët e Mia. Ti i ke bërë të dyja gjërat, sepse i ke dëgjuar dhe transmetuar fjalët e Mia. Ti je faqorja Ime. Do të të mbush sa herë që dua dhe do të të zbraz sa herë që dua. Kështu Shpirti Im do të të tregojë ku duhet të shkosh dhe çfarë duhet të thuash. Mos iu tremb askujt përveç Meje. Duhet të shkosh me gëzim kudo që Unë dëshiroj dhe të thuash me guxim gjithçka që të urdhëroj, pasi asgjë nuk mund të më bëjë ballë. Do të jem me ty."

Pastaj nusja tha: "Dëgjova këtë zë, dhe u përgjigja me lotë: O, Zot Hyji im, unë që jam si liliput para madhërisë Sate, të kërkoj leje për t’u përgjigjur." Zëri u përgjigj duke thënë: "E dija përgjigjen tënde qysh përpara se ta mendoje. Por të jap leje të flasësh." Atëherë nusja tha: "Unë u përgjigja: Mbret i çdo lavdie, dhurues i çdo urtie, krijues i çdo virtyti, madje virtyti vetë, përse më përzgjedh mua për një mision të tillë, mua që ia kam lëshuar trupin mëkatit, që nuk jam më e mençur se një gomar dhe e paaftë për vepra të virtytshme? Të lutem mos u zemëro me mua, i ëmbli Zoti Jezu Krisht, për pyetjen që po të bëj. Njeriu nuk duhet të çuditet për asgjë që vjen prej Teje, pasi Ti mundesh të bësh gjithçka, por unë çuditem me veten time, pasi të kam fyer në mënyra të ndryshme dhe pak i kam ndrequr mëkatet e mia."

Zëri u përgjigj duke thënë: "Do të të përgjigjem me një krahasim. Nëse monedha të ndryshme i jepen një mbreti të pasur dhe të fuqishëm dhe pastaj mbreti i shkrin dhe u jep formën që dëshiron, duke bërë për shembull kurora apo unaza nga monedhat e arta, pjata dhe gota prej monedhave të argjendit, vazo dhe tasa nga monedhat e bakrit, të cilat pastaj mbreti mund t’i përdorë për nevojat e tij apo për zbukurim, përse çuditesh që Unë bëj të njëjtën gjë? Prandaj nuk duhet të çuditesh më nëse marr zemrat e miqve të Mi, që ata lirisht m’i kanë ofruar, dhe bëj ç’të dua me to. Edhe pse disa janë më pak të ndjeshme se të tjerat, prapë se prapë, kur ata më ofrojnë zemrën e vet, disa prej tyre i përdor për një gjë, të tjera për diçka tjetër, por që të gjitha për lavdinë dhe nderin Tim, pasi zemra e sinqertë është monedhë që më pëlqen shumë.

Pra Unë i përdor gjërat e Mia ashtu si më pëlqen. Dhe meqenëse ti je e Imja, nuk duhet të çuditesh për çka dua të bëj me ty. Përkundrazi, ji e këmbëngulëse dhe e vendosur për të bërë çka urdhëroj. Unë jam mjaft i fuqishëm për të të dhënë kudo që të jesh gjithçka që të nevojitet."