Fjalë që nuses iu rrëfyen nga lart, ose më mirë fjalë nga goja e ëmbël e Virgjërës së lavdishme, të shpallura qartë, drejtpërdrejtë, pa fshehur asgjë e që e udhëzojnë dhe ngushëllojnë nusen dhe që i duhen përcjellë papës, mëkëmbësit të Zotit e që paralajmërojnë për rrënimin e kishës.
LIBRI 4 - KAPITULLI 78

I Nderuar Atë, unë, vejushë, deklaroj se shumë rrëfime, tepër të mrekullueshme, i janë bërë një gruaje ndërsa banonte në atdheun e vet. Pasi iu nënshtruan vëzhgimit të kujdesshëm të ipeshkvinjve dhe rregulltarëve të shkolluar dhe priftërinjve laikë, këto rrëfime doli se vijnë nga ndriçimi i shenjtë dhe i mrekullueshëm i Shpirtit Shenjt dhe jo nga ndonjë burim tjetër. Madje edhe mbreti dhe mbretëresha e mbretërisë e pranuan këtë mbi bazën e provave të besueshme. Përveç kësaj, ajo grua udhëtoi jashtë për të shkuar në qytetin e Romës ku, ndërsa po lutej një ditë në kishën Santa Maria Maxhore, ajo u rrëmbye në vegim shpirtëror ndërkohë që trupi i saj dukej sikur kish rënë në topitje, edhe pse jo në topitje gjumi.

Në atë çast asaj iu shfaq tejet e nderuara Virgjër. Gruaja në fjalë u shqetësua nga ky vegim i pazakontë. Duke qenë e vetëdijshme për dobësinë e vet, ajo trembej se mos ky ishte ndonjë rreng i djallit, dhe me mendje kërkoi mëshirën e Hyjit që të mos lejonte që ajo të binte pre e tundimeve djallëzore. Por Virgjëra që iu shfaq i tha: "Mos ki frikë nga gjërat që do të shikosh dhe dëgjosh, mos kujto se vijnë nga shpirti i keq. Ashtu si drita dhe nxehtësia shoqërojnë lindjen e diellit por nuk vijnë pas një reje të errët, po ashtu dy gjëra e shoqërojnë ardhjen e Shpirtit Shenjt në zemër: dashuri e zjarrtë për Hyjin dhe ndriçim i përsosur në lidhje me fenë katolike. Ti po i përjeton që të dyja këto tani: ti e ndjen se nuk do tjetër përveç Hyjit dhe se asnjë pikë e vetme nuk të mungon nga tërësia e fesë katolike. Këto dy gjëra nuk ndodhin kur shfaqet një shpirt i keq të cilin mund ta krahasojmë me një re të errët."

Virgjëra vazhdoi dhe i tha gruas: "Duhet t’i dërgosh një mesazh nga ana ime një prelati." Gruaja u përgjigj me trishtim të madh: "E nderuara Virgjëra ime, ai nuk do të më besojë por them se do të qeshë me fjalët e mia e s’do t’i marrë për të vërtetë hyjnore." Virgjëra iu përgjigj duke thënë: "Edhe pse e di predispozitën e zemrës së tij fare mirë dhe si do të vonohet për t’u përgjigjur, si edhe si do ta përfundojë jetën, prapë se prapë duhet t’i dërgosh mesazhin që vijon.

Dua që ta dijë se themeli i Kishës së Shenjtë është dëmtuar aq shumë në të djathtë sa kupola ka shumë të çara në majë dhe kjo bën që gurë të bien rrezikshëm e shumë që kalojnë poshtë humbasin jetën. Disa kollona, që duhej të qëndronin drejt, gati janë rrëzuar dhe dyshemeja ka aq shumë gropa sa të verbërit që hyjnë rrëzohen rrezikshëm. Ndonjëherë ndodh edhe që bashkë me të verbërit bien keq edhe ata që kanë sy të fortë, për shkak të gropave të rrezikshme në dysheme. Për këto arësye, kisha e Hyjit po lëkundet rrezikshëm. Pasojat e kësaj do të shihen shpejt. Të siguroj se ajo do të rrënohet nëse nuk bëhen riparime.
Dhe rrënimi i saj do të jetë aq i bujshëm sa do ta marrë vesh gjithë bota e krishterë. Gjithë kjo duhet marrë në kuptim shpirtëror.

Unë jam Virgjëra në kraharorin e së cilës denjoi të hyjë Biri i Hyjit, pa as edhe më të voglën kënaqësi trupore. Biri i Hyjit lindi nga krahërori im i mbyllur, duke më dhënë ngushëllim dhe aspak dhimbje. Unë isha pranë kryqit kur Ai triumfoi mbi ferrin me anë të mundimeve dhe hapi qiellin me gjakun e zemrës së Tij. Unë isha edhe në mal kur Biri i Hyjit, që është edhe Biri im, u ngjit në qiell. Kam njohuri të plota mbi fenë katolike që Ai i predikoi dhe mësoi kujtdo që dëshironte të shkonte në qiell. Tani unë lutem vazhdimisht për botën si një ylber mbi re që duket sikur përkulet mbi tokë dhe e prek me skajet e tij.

E shoh veten, me anë të lutjeve të mia të vazhdueshme, si ylber të përkulur si mbi banorët e mirë të tokës ashtu dhe mbi ata të këqinj. Përkulem drejt të mirëve që ata të qëndrojnë në urdhëresat e Kishës së Shenjtë dhe përkulem drejt të këqinjve që ata të mos i shtojnë ligësitë e tyre dhe të përkeqësohen. Dua që ai të cilit po i dërgoj këtë mesazh ta dijë se re të ndotura dhe të tmerrshme po ngrihen nga një anë kundër ylberit vezullues. Me këto re kam parasysh ata që jetojnë të zhytur në kënaqësi trupore, ata që janë të pangopur si hone oqeanike në lakminë e tyre për para. Ata me arrogancë dhe në mënyrë të paarësyeshme i shpenzojnë të mirat që kanë si ujë përroi të rrëmbyer. Shumë nga mbikqyrësit e kishës janë fajtorë për këto tre gjëra dhe mëkatet e tyre të neveritshme dhe të fëlliqura ngrihen në qiell para syve të Hyjit duke iu kundërvënë lutjeve të mia ashtu si retë e ndotura i kundërvihen ylberit vezullues. Në vend që ta zbutin zemërimin e Hyjit bashkë me mua, përkundrazi po e ndezin atë kundër atyre vetë. Njerëz të tillë nuk duhen ngritur në pozitë por duhen dëbuar nga kisha e Hyjit.

Si Mbretëreshë e Qiellit unë do t’i vij në ndihmë kujtdo që, duke qenë i ndërgjegjshëm për pamjaftueshmërinë e vet, ka dëshirë të marrë përsipër detyrën e përforcimit të themelit dhe të dyshemesë së kishës dhe dëshiron të ripërtërijë vreshtën e bekuar që Hyji themeloi me gjakun e Vet. Bashkë me engjëjt, unë do t’i shkul rrënjët e dobëta dhe do të flak në zjarr çdo pemë pa kokërr dhe do të mbjell filiza të frytshëm në vend të tyre. Me këtë vresht kam parasysh Kishën e Shenjtë të Hyjit në të cilën duhen rikthyer dy virtytet e përvujtërisë dhe dashurisë hyjnore."

Virgjëra e lavdishme, që iu shfaq gruas, urdhëroi që gjithë këto t’u dërgohen ju, Atë i Nderuar. Unë që po ju dërgoj këtë letër betohem në emër të Jezusit, Hyj i vërtetë dhe i plotfuqishëm, dhe në emër të Marisë, Nënës së tij tejet të denjë, se nuk po e dërgoj këtë letër për hir të ndereve dhe përfitimeve tokësore! Po e dërgoj sepse gruas në fjalë, të cilës i janë thënë edhe shumë fjalë të tjera në vegime shpirtërore, iu udhërua që këto t’i bëhen të ditura Shkëlqesisë suaj.