Parathënie e rëndësishme për udhëzimet që Krishti i diktoi nuses për një prift e që përmban shumë gjëra të dobishme.
LIBRI 4 - KAPITULLI 79

Nder dhe lavdi Hyjit të Gjithëpushtetshëm për të gjitha veprat e Tij! Nder i pafund për të që e ka nisur veprën e hirit në ju. Kur toka mbulohet nga bora dhe ngrica, vërejmë se farërat e mbjellura në të nuk mund të mbijnë përveçse në ato vende të pakëta që ngrohen nga rrezet e diellit e ku bimët dhe lulet çelin në sajë të veprimit të diellit. Natyra dhe virtyti i brendshëm i farërave mund të dallohen nga këto.

Njëlloj e gjithë bota më duket e mbuluar tani aq shumë me ngricën e acartë të krenarisë, lakmisë dhe epshit saqë, fatkeqësisht, janë të paktë ata njerëz në zemrat e të cilëve mund të banojë dashuria e përsosur e Hyjit, duke gjykuar nga fjalët dhe veprat e tyre. Padyshim që ashtu si dikur miqtë e Hyjit u gëzuan kur panë Lazrin të ngjallej nga të vdekurit për lavdinë e Hyjit, po ashtu tani miqtë e Hyjit gëzohen sa herë që shohin dikë të ngrihet nga tre veset e sipër-përmendura që çojnë në vdekje të përjetshme.

Është për t’u theksuar se ashtu si Lazri hasi armiqësi të dyfishtë pas ringjalljes (pasi ai kishte armiq fizikë, domethënë ata që ishin armiq të Hyjit dhe që e urrenin Lazrin në mënyrë fizike, dhe armiq shpirtërorë, domëthënë djajtë që nuk duan kurrë të jenë miq të Hyjit, që e urryen në mënyrë shpirtërore), po ashtu tani të gjithë ata që ngrihen nga mëkatet e rënda me dëshirën për të bërë jetë të përkorë, pa krenari dhe lakmi, hasin armiqësi të dyfishtë.

Armiqtë njerëzorë të Hyjit duan t’u shkaktojnë dëm fizik të dyfishtë. Edhe djajtë përpiqen t’i lëndojnë dhe t’i dëmtojnë shpirtërisht në mënyrë të dyfishtë. Para së gjithash njerëzit e botës i qortojnë me fjalë. Së dyti, nëse munden, i trazojnë me vepra, duke u përpjekur t’i bëjnë si vetja në vepra dhe sjellje dhe t’i largojnë nga udha e drejtë. Megjithatë, njeriu i Hyjit, i sapokthyer në jetën shpirtërore, mund t’i mposhtë lehtë këta njerëz të ligj, nëse nuk e humbet durimin për fjalët që i thonë dhe nëse më pas kryen vepra të mira të një natyre shpirtërore dhe hyjnore edhe më shpesh dhe më me zell në sytë e tyre.

Djajtë përdorin dy metoda të tjera për ta mposhtur. Dëshira e tyre e madhe, para së gjithash, është që ta bëjnë shërbëtorin e ri të Hyjit të bjerë përsëri në mëkat. Nëse nuk e arrijnë këtë, atëherë mundohen ta shtyjnë t’i kryejë veprat e mira në mënyrë të paarësyeshme dhe të pamatur ose duke ndenjur zgjuar jashtë çdo limiti. Synimi i tyre është që ai të lodhet dhe të mos ketë më fuqi për t’i shërbyer Hyjit. Ilaçi më i mirë për rrezikun e parë është rrëfimi i shpeshtë dhe i sinqertë i mëkateve dhe pendesa e thellë me gjithë zemër për fajet. Ilaçi më i mirë për rrezikun e dytë është një përvujtëri e tillë që e bën njriun t’i bindet ndonjë drejtuesi shpirtëror me përvojë sesa të vendosë vetë çfarë të bëjë dhe çfarë veprash pendestare të kryejë. Ky ilaç është me të vërtetë aq i mirë dhe i mrekullueshëm, edhe nëse këshilluesi është më pak i denjë se i këshilluari, sa njeriu mund të ketë shpresën e sigurtë se urtia hyjnore, domethënë Hyji vetë, do të kujdeset që t’i japë këshilluesit këshillën më të dobishme për të këshilluarin, me kusht që të dy të kenë dëshirën e përsosur për të vepruar për nder dhe lavdi të Hyjit.

Prandaj, miqtë e mi të shtrenjtë, meqenëse bashkë jemi ngritur nga mëkatet, le t’i kërkojmë Hyjit të denjojë të na ndihmojë – mua për të folur, ju për t’u bindur. Duhet të kërkojmë ndihmën e Hyjit sidomos për ju, që jeni të pasur, të urtë dhe fisnikë dhe që keni denjuar të më kërkoni këshillë mua që jam e padenjë, e paditur dhe jo shumë inteligjente. Shpresoj sinqerisht se Hyji do ta marrë parasysh përvujtërinë tuaj dhe do ta bëjë të dobishme për trupin dhe shpirtin tuaj çka unë po ju shkruaj në nder të Tij.